Institucionet qendrore të Kosovës nuk kanë dalë me një qëndrim të qartë në lidhje me kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, për pezullimin e tarifës doganore ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Në vend të një deklarimi apo shprehjes së një qëndrimi rreth kësaj kërkese, udhëheqësit në Kosovë, kanë përdorur më shumë rrjetet sociale për shprehjen e qëndrimeve të tyre, plot batuta e metafora.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në shkrimet e tyre në rrjetet sociale nuk kanë dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë në kërkesat e SHBA-së dhe BE-së.
Kurse pak më i qartë në qëndrimin e tij, ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha të hënën në Prishtinë se pozicioni i tij për taksën doganore nuk ka ndryshuar.
"Unë pozicionin tim për temat e kam të qartë, konsistent dhe është i njëjti", tha Haradinaj.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka thënë se SHBA-ja, rithekson pikëpamjen për pezullimin e menjëhershëm të tarifës në importet nga Serbia dhe Bosnja.
Në komunikatë është thënë se pezullimi i taksës "është një masë e nevojshme për të rimëkëmbur momentumin në procesin e dialogut. Presim edhe nga hisedarët tjerë të ndërmarrin masat e tyre konstruktive”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas një takimi me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, tha se propozimi i tij është që taksa doganore të mos hiqet, por të "pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj".
"Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende", ka shkruar Veseli në një postim në rrjetin social Facebook.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar që të kontaktojë me zyrtarët nga Presidenca të hënën, por ata nuk kanë qenë të qasshëm.
I pyetur nga gazetarët rreth shfuqizimit të taksës, kryeministri Haradinaj kishte deklaruar se “edhe bora shkrihet dikur...”. Kjo deklaratë, më pas tërthorazi, sikur ishte thumbuar në një postim të presidentit Hashim Thaçi në Facebook, ku ai kishte shkruar se “bora ka zënë të shkrihet shpejt...Uroj të mos bëhet skllotë!”.
I pyetur rreth këtyre porosive që presidenti Thaçi kishte adresuar përmes profilit të tij në Facebook, Haradinaj tha pas takimit të Këshillit Ndërministror për Investime Strategjike se nuk e dinë se çfarë ka dashur të thotë presidenti. Ai konfirmoi se kohëve të fundit nuk ka pasur ndonjë takim apo komunikim me presidentin Thaçi.
"Për besë shumë të vështirë e kam të komentoj postimin e presidentit edhe atë çka ka paralajmëruar për shkak se neve nuk kemi komunikim, ka një kohë të gjatë që nuk kemi takime të ndërsjella. Nuk po e di se për çka e ka pasur fjalën. Si Qeveri ne nuk po rrimë, nuk po e humbim kohën, po punojmë në materie të marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Edhe e kemi thënë disa herë se do të vëmë çdo gjë në dispozicion të delegacionit shtetëror të institucioneve të Kosovës, për një marrëveshje të mundshme Kosovë -Serbi", tha Haradinaj.
Presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj ndajnë qëndrime të ndryshme edhe në lidhje me marrëveshjen finale që Kosova synon ta arrijë në dialogun me Serbinë. Përderisa shefi i shtetit angazhohet për një marrëveshje që çon te, siç thotë ai, korrigjimi i kufirit, kryeministri në anën tjetër është kategorik se kufiri nuk duhet të jetë pjesë e çfarëdo marrëveshjeje me Serbinë.
Po në lidhje me dialogun me Serbinë, presidenti Thaçi, të dielën ka shkruar në Facebook se në ditët dhe javët në vazhdim, institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime dhe vendime në interes shtetëror dhe të forcimit të partneritetit me aleatët ndërkombëtarë.
"Të gjitha institucionet shtetërore janë në shërbim të mbrojtjes, avancimit dhe arritjes së qëllimeve tona strategjike shtetërore. Dialogu dhe marrëveshja eventuale paqësore vetëm sa e përshpejtojnë realizimin e synimeve tona për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB", ka shkruar ai.
Këto synime, sipas Thaçit, janë të arritshme, për aq kohë sa do të jenë të bashkuar, pozitë, opozitë dhe shoqëri civile dhe duke pasur mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, respektivisht mbështetjen e SHBA-së.
Por, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se një dialog çfarë e ka pasur Kosova deri më tash me Serbinë nuk duhet të ketë më kurrë.
"Dialogu në nëntë vjetët e fundit ishte dialog në shërbim të interesave të Serbisë", ka shkruar në Facebook, Avni Arifi, njëri nga këshilltarët e kryeministri Haradinaj.
Duke i komentuar polemikat dhe mospajtimet e vazhdueshme ndërmjet presidentit dhe kryeministrit të Kosovës, analisti politik, Imer Mushkolaj, tha për Radion Evropa e Lirë se ato tregojnë sesa të pakoordinuara janë institucionet e Kosovës për çështje të rëndësishme, siç është dialogu dhe taksa doganore.
"Kjo tregon animozitet që ekziston mes liderëve institucionalë në Kosovë, jo vetëm të kësaj përbërjeje institucionale, por edhe në të kaluarën. Ata nuk zgjedhin formë e as gjuhë që të përdorin për të fituar poenë politik, respektivisht për të provuar që ta diskreditojnë tjetrin. Kjo nuk është një qasje institucionale e as shtetërore, për shkak se për çështje të rëndësishme në mos për të gjitha çështje që kanë të bëjnë më interesin e qytetarëve, do të duhej të ishte një qëndrim i vetëm, por fatkeqësisht këtë nuk po e shohin që po ndodh", tha Mushkolaj.
Thirrjet nga faktori ndërkombëtar, konkretisht nga amerikanët që të hiqet taksa doganore, sipas Mushkolajt, duhet të trajtohen seriozisht.
"Them se ekziston hapësirë për të parë se si të trajtohen kërkesa e aleates kryesore të Kosovës, që është SHBA-ja dhe për të parë mundësinë e pezullimit të taksës në një afat të caktuar, brenda të cilit afat duhet të përmbushen disa nga pritjet që shteti i Kosovës i ka kundrejt shtetit të Serbisë, si në rrafshin ekonomik apo politik", tha Mushkolaj.
Ndryshe, pas insistimeve të Bashkimit Evropian, kohët e fundit edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar veprime konkrete nga Prishtina zyrtare për të mos minuar dialogun.
“Pengesat nga anash, dhe refuzimi për të pezulluar tarifat – gjitha këto shkojnë kundër interesave të SHBA-së”, thuhet në qëndrimin e SHBA-së.
“Ajo çka është e nevojshme tani është një lidership i guximshëm për të promovuar qëllimet tona të përbashkëta. Kjo është ajo që na ndihmon neve për të mbajtur një marrëdhënie të fortë bilaterale”, është thënë në komunikatën e fundit për media nga Ambasada e SHBA-së.