Ndërlidhjet

Aksidentohet një veturë me emigrantë në Shqipëri, 8 të vdekur


Pamje nga vendi i ngjarjes së një aksidenti në jug të Shqipërisë, ku vdiqën tetë persona, 2 prill 2024.
Pamje nga vendi i ngjarjes së një aksidenti në jug të Shqipërisë, ku vdiqën tetë persona, 2 prill 2024.

Tetë persona kanë vdekur të martën herët kur një veturë e cila dyshohet se po bartte emigrantë doli nga rruga dhe ra buzë një lumi në jug të Shqipërisë, njoftoi Policia shqiptare.

Kreu i Prokurorisë së Gjirokastrës, Petrit Çano, tha se shoferi është shqiptar nga qyteti veriperëndimor, Shkodër, ndërsa emigrantët nga vende të treta që po përdornin Shqipërinë për të shkuar në vende të Bashkimit Evropian.

“Nuk e dimë nga [cilat vende] vijnë, presim mjekët ligjorë nga Tirana për ekspertizën dhe do të duhet kohë për identifikimin. Pas identifikimit do të bashkëpunojmë me ambasadat përkatëse për kthimin e trupave në vendet e tyre”, tha Çano për media.

Aksidenti ndodhi rreth orës 4:00 në rrugën Këlcyrë-Përmet në jug të vendit.

Policia tha se drejtuesi i veturës, i cili po i bartte shtatë emigrantë të jashtëligjshëm, e humbi kontrollin mbi timonin dhe doli nga rruga duke rënë buzë lumit Vjosa.

Policia tha se hasi një veturë që po udhëtonte me shpejtësi të madhe dhe se ajo i kishte shpërfillur urdhrat e oficerëve për t’u ndalur, duke vazhduar drejt Përmetit.

Oficerët e ndoqën deri në afërsi të vendit të ngjarjes veturën dhe se “kur nuk e kanë parë më mjetin që po ndiqnin, efektivët e policisë kanë inspektuar zonën dhe kanë parë shenjat e aksidentit të rëndë”, tha për media drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa.

Kujdes: Përmbajtja mund të jetë shqetësuese për disa shikues!
Policia duke e hetuar vendin e ngjarjes së një veture të aksidentuar, ku vdiqën tetë persona, në Këlcyrë, në jug të Shqipërisë, 2 prill 2024.
Policia duke e hetuar vendin e ngjarjes së një veture të aksidentuar, ku vdiqën tetë persona, në Këlcyrë, në jug të Shqipërisë, 2 prill 2024.
Kujdes: Përmbajtja mund të jetë shqetësuese për disa shikues! - Klikoni për ta zbuluar
Policia duke e hetuar vendin e ngjarjes së një veture të aksidentuar, ku vdiqën tetë persona, në Këlcyrë, në jug të Shqipërisë, 2 prill 2024.

Paraprakisht, Policia kishte thënë se shtatë emigrantët e paligjshëm së bashku me shoferin humbën jetën në vendin e ngjarjes.

Drejtues të policisë vendore, të policisë kufitare dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dolën në vendngjarje për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

Cipa dhe Cano thanë se gjatë aksit rrugor Këlcyrë- Përmet, në vazhdimësi janë vërejtur "elemente kriminale që merren me këtë aktivitet", me transportimin e paligjshëm të emigrantëve që synojnë të shkojnë drejt BE-së.

Shqipëria është pjesë e rrugës ballkanike që e përdorin emigrantë të paligjshëm për të shkuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Ata hyjnë në territorin shqiptar nga Greqia dhe më pas udhëtojnë drejt Malit të Zi, në përpjekje për të arritur në BE.

Sipas Agjencisë Evropiane Kufitare, Frontex, viti 2023 shënoi një rritje rekorde të hyrjeve të parregullta të emigrantëve në BE përmes rrugës ballkanike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG