Ndërlidhjet

Tërmeti i fuqishëm vret mbi 140 njerëz në Mianmar dhe Tajlandë


Pamje nga Mianmari pas tërmetit të 28 marsit.
Pamje nga Mianmari pas tërmetit të 28 marsit.

Një tërmet i fuqishëm e ka goditur të premten Mianmarin dhe Tajlandën, duke lënë të vrarë të paktën 140 njerëz dhe duke plagosur qindra të tjerë.

Dhjetëra persona të tjerë dyshohet të jenë të bllokuar nën rrënoja dhe numri i viktimave pritet të rritet.

Tërmeti 7.7 shkallësh i Rihterit e ka goditur qytetin Sagaing në qendër të Mianmarit, dhe është pasuar më vonë me një tjetër tërmet 6.4 shkallësh.

Tërmeti ka shkatërruar banesa, ka rrëzuar ura dhe ka prishur rrugë përreth Mianmarit, si dhe ka rrëzuar një ndërtesë 30-katëshe që ka qenë në ndërtim e sipër, qindra kilometra larg Bangkokut.

Ndonëse ende nuk dihet shkalla e saktë e katastrofës, lideri i Mianmarit të izoluar ka lëshuar kërkesë të rrallë për ndihmë ndërkombëtare.

Shefi i juntas, Min Aung Hlaing, ka thënë se 144 persona janë vrarë, 732 janë konfirmuar të plagosur dhe ka paralajmëruar se numri i të vrarëve “pritet të rritet”.

Deri më tani janë konfirmuar tre të vrarë në Tajlandë.

“Në disa vende, disa ndërtesa janë rrëzuar”, ka thënë ai në një fjalim televiziv, pas vizitës në një spital në kryeqytet.

“Do të dëshiroja të ftoja çdo shtet, çdo organizatë, dhe secilin në Mianmar që të afrohet dhe të ndihmojë. Faleminderit”.

Ai ka bërë thirrje për përpjekje masive për kërkim-shpëtim për shkak të katastrofës, dhe ka thënë se i ka hapur të gjitha rrugët për ndihmë të huaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG