Ndërlidhjet

Një tërmet i fuqishëm godet Azinë Juglindore


Një ndërtesë e shembur në Bangkok të Tajlandës më 28 mars 2025.
Një ndërtesë e shembur në Bangkok të Tajlandës më 28 mars 2025.

Një tërmet i fuqishëm ka goditur Azinë Juglindore, duke mbytur disa persona. Dridhjet e fuqishme të tokës kanë shkaktuar shembjen e objekteve në ndërtim e sipër në Bangkok dhe shkatërruar ndërtesa e ura në Mianmar, ku junta ushtarake ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në disa zona.

Të paktën tre persona u mbytën në Tuango të Mianmarit - që njihej më herët si Burma - pasi një xhami u shemb pjesërisht, thanë dëshmitarët, ndërkaq mediat lokale kanë raportuar se dy persona janë mbytur dhe 20 të tjerë janë lënduar pas shembjes të një hoteli në Aung Ban.

Në Tajlandë, guvernatori i Bangkokut, Chadchart Sittipunt, tha se janë tri viktima nga tërmeti. Ai paralajmëroi se mund të jetë pasgoditje, por u bëri thirrje njerëzve që të ruajnë qetësinë, duke shtuar se situata gjerësisht ishte nën kontroll.

Të paktën një person është mbytur dhe dhjetëra punëtorë janë nxjerrë nga rrënojat e një rrokaqielli, tha Instituti Kombëtar për Emergjenca Mjekësore në Tajlandë.

Një person duke kaluar në një rrugë të dëmtuar nga tërmeti në Mianmar më 28 mars.
Një person duke kaluar në një rrugë të dëmtuar nga tërmeti në Mianmar më 28 mars.

Dëshmitarët në Bangkok thanë se njerëzit dolën në rrugë në panik pas dridhjeve të fuqishme të tokës.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se tërmeti ishte 7.7 ballë i Rihterit, me një thellësi prej 10 kilometrash.

Epiqendra e tërmetit ishte 17.2 kilometra nga qyteti Mandalaj në Mianmar, qytet që ka një popullsi prej 1.5 milion banorësh.

Pas tërmetit të fuqishëm, kishte edhe disa dridhje të fuqishme të tokës, por edhe me intensitet më të ulët.

Në Mianmar, tërmeti ka shembur ndërtesa në pesë qytete, por edhe një rrugë dhe një urë në Jangon, qytetit më të madh në vend.

Ushtria në Mianmar, që udhëheq me shtetin, ka shpallur gjendje emergjente në disa rajone.

"Shteti do të vlerësojnë situatën dhe do të kryejë operacione të shpëtimit, por edhe do të ofrojë ndihmë humanitare", tha junta ushtarake përmes një postimi të publikuar në Telegram.

Junta mori pushtetin më 2021 përmes grushtit të shtetit, që çoi në luftë civile, dhe që atëherë udhëheqja ushtarake është izoluar ndërkombëtarisht.

Në mediat sociale janë publikuar pamje nga Mandalaja e Mianmarit, duke shfaqur shembje të ndërtesave, përfshirë të një pjese të Pallatit Mandalaj.

Agjencia Xinhua e Kinës raportoi se dridhje të fuqishme të tokës janë ndier në provincën Junan, në jugperëndim të Kinës, që gjendet në kufi me Mianmarin. Por, autoritetet kineze nuk kanë raportuar për viktima.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG