Ndërlidhjet

Shqipëri: Deputetët e përjashtuar përplasen me Gardën, shumica miraton rregullore të re


Një deputet i Partisë Demokratike, partia më e madhe opozitare e Shqipërisë, ndez një bombë tymuese me ngjyrë në shenjë proteste gjatë një seancë parlamenti në Tiranë, Shqipëri, 4 dhjetor 2023.
Një deputet i Partisë Demokratike, partia më e madhe opozitare e Shqipërisë, ndez një bombë tymuese me ngjyrë në shenjë proteste gjatë një seancë parlamenti në Tiranë, Shqipëri, 4 dhjetor 2023.

Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur të enjten një seancë, mes tensionesh të ngritura e përplasjesh fizike të deputetëve të grupimit “Rithemelimi”, pjesë e opozitës në Shqipëri, me pjesëtarët e Gardës së Republikës, që në hyrje të Kuvendit.

Shkak për përplasje fizike u bë tentimi i 13 deputetëve të përjashtuar të këtij grupimi për të hyrë me forcë, duke deklaruar se nuk e njohin vendimin e Komisionit të Etikës të Kuvendit të Shqipërisë.

Komisioni i ka përjashtuar 13 deputetë - Gazment Bardhin, Sali Berishën, Flamur Nokën, Edi Palokën, Albana Vokshin, Elda Hotin, Ervin Salianjin, Bledion Nallbatin, Asllan Dogjanin, Lefter Gështenjën, Isuf Çelajn, Luan Baçin dhe Xhelal Mziun - për shkak të kaosit që kanë krijuar në seancat e mëparshme.

Ata kanë ndezur flakadanë dhe janë përplasur apo kanë qëlluar me mjete të ndryshme drejt punonjësve të Gardës dhe ministrave të kabinetit qeveritar.

Garda nuk i lejoi të futen në seancë dhe kjo shkaktoi përplasje, me ç’rast u thyen edhe xhamat e derës kryesore të Kuvendit.

Deputetët e përjashtuar u përpoqën të hynin përmes derës dytësore, por nuk arritën, ndërsa nuk munguan debatet me deputetë të shumicës, që kërkonin të hynin për të marrë pjesë në seancë.

Ndërkaq, deputetë të tjerë të opozitës, ndaj të cilëve nuk kishte masë ndëshkuese, iu nënshtruan një kontrolli të rreptë nga punonjësit e Gardës, për të mos lejuar futjen e gjësendeve të paligjshme, si flakadanë, sprej apo mjete tjera piroteknike siç ka ndodhur në seancat e kaluara.

Megjithatë, disa prej tyre ia dolën të fusin në sallë flakadanë që i ndezën sapo nisi seanca.

Punimet për seancën e Kuvendit nisën mes zhurmës së një pjese të deputetëve të opozitës, që godisnin tavolinat, duke bërë thirrje për anulim të seancës.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, njoftoi tërheqjen nga rendi i ditës të marrëveshjes për migracionin që ishte nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e saj, deri në vendimin përfundimtar.

I pyetur për vendimin e Gjykatës Kushtetueses për pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes me Italinë, kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, tha se vendimi u respektua duke e hequr nga rendi i ditës, por tha se nuk do të ketë tërheqje.

"Absolutisht jo [nuk tërhiqemi]! Ne do të vazhdojmë t’i qëndrojmë. Unë besoj se kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme për të treguar që jemi vend evropian", tha Çuçi.

Brenda Kuvendit, pjesëtarë të Gardës ishin pozicionuar jo vetëm para ulëseve të ministrave, siç ndodh kur ka situata të tensionuara, por edhe në pjesët ndarëse mes deputetëve të shumicës dhe atyre të pakicës.

Nën tymin e mjeteve të ndezura piroteknike dhe zhurmës së krijuar qëllimshëm nga deputetë të pakicës, kryetarja e Kuvendit hodhi në votim ndryshimet e propozuara nga deputetë të Partisë Socialiste për Rregulloren e Kuvendit.

Me këto ndryshime parashihet ashpërsimi i masave ndëshkuese ndaj deputetëve që shkaktojnë situata të tilla. Maksimumi i ndëshkimit, nuk do të jetë më përjashtim për 10 ditë, por deri në 60 ditë.

Pas seancës, që zgjati vetëm 8 minuta, deputeti Gazmend Bardhi tha se Rregullorja e re e Kuvendit do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërsa, kryetari i grupit të deputetëve të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, tha se ndryshimet në Rregullore janë krejt normale.

Çuçi mori shembullin e Italisë, dhe theksoi se në situata të tilla, deputetët atje përjashtohen me 15 seanca plenare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG