Pandemia e koronavirusit vazhdon të jetë në krye të agjendave tona ditore.
Si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve me këtë virus në dy muajt e fundit në Kosovë, edhe shkalla e vdekshmërisë është rritur në mënyrë të konsiderueshme.
Javën që tashmë po e lëmë pas, gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë vizituar Spitalin e Gjilanit për të parë sesi stafi shëndetësor është duke u përballur me pacientët e infektuar.
Ndërkohë, po vërehet rritje e interesimit nga të rinjtë për t’u vaksinuar kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.
Materiali më poshtë përfshin disa të rinj që tregojnë se pse kanë vendosur të imunizohen.
Deri më 18 shtator në orën 15:00 është vaksinuar 23 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.
Personat që imunizohen plotësisht kundër këtij virusi pajisjen me një certifikatë si dëshmi.
Ndonëse Kosova i njeh pasaportat digjiale të Bashkimit Evropian, vetë nuk është pjesë e këtij sistemi.
Ministria e Shëndetësisë ka thënë se çdo procedurë që kërkohet nga Komisioni Evropian do të plotësohet me qëllim që të njihet certifikata digjitale e Kosovës.
Një tjetër material që flet për dezinformimin dhe keqinformimin rreth vaksinave dhe teorive konspirative që lidhen me to, e gjeni në linkun më poshtë.
Qindra placenta kutërbojnë në Gjinekologji
Një tjetër çështje, të cilës i kemi kushtuar vëmendje të veçantë, ka qenë ajo e placentave, të cilave nuk po iu bëhet zgjidhje adekuate në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë.
Një ekip i Radios Evropa e Lirë ka vizituar këtë klinikë gjatë javës dhe ka parë nga afër situatën atje.
Placentat janë mbetje patologjike nga lindjet dhe abortet.
Qese të verdha plot me placenta kanë mbushur pesë frigoriferë në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë. Për shkak të mbingarkesës, dyert e të pesë frigoriferëve nuk mbyllen dot dhe tash ka nisur shkrirja e tyre.
Zyrtarë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë thënë se me këtë problem të grumbullimit të placentave përballen që dy vjet dhe se Komunës së Prishtinës i është bërë kërkesë disa herë për ndarjen e një lokacioni.
Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se banorët e fshatit Vranidoll – ku ishte planifikuar të groposeshin mbetjet patologjike - po kundërshtojnë që aty të dërgohen mbetjet patologjike nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Nis gjyqi i parë në Dhomat e Specializuara në Hagë
Gjyqi i parë në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur ndaj Salih Mustafës më 15 shtator.
Aktakuza kundër tij për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme është konfirmuar në qershor të vitit të kaluar.
Pretendohet se krimet janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.
Prokurori i Specializuar, Jack Smith, gjatë fjalës hyrëse ka thënë se përderisa në rastet e tjera që do të dalin para kësaj Gjykate, do të flitet për viktima të etnive të ndryshme, si shqiptarë, kosovarë, serbë, romë, në rastin e Mustafës, sipas tij, të gjitha viktimat kanë qenë bashkatdhetarët e tij, shqiptarë të Kosovës.
Mirëpo ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm për akuzat për krime lufte.
“Po, për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyre e Gestapos”, ka thënë Mustafa kur është pyetur nëse ende ndihet i pafajshëm, ndërkohë që ka përdorur referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Gjykata është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, por vepron në Hagë të Holandë.
Vizita e fundit e Merkelit në Ballkan si kancelare gjermane
Nga zhvillimet kryesore në rajon, vëmendje ka marrë vizita e kancelares gjermane, Angela Merkel në Shqipëri dhe Serbi.
Pas 16 vjetësh në pushtet, kancelarja Merkel është duke kryer vizitat e fundit nëpër shtete të ndryshme në cilësinë e udhëheqëses.
Ajo ka thënë se një nga qëllimet e Gjermanisë është që të shohë anëtarësimin e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por ka shtuar se të gjitha ato kanë një “rrugë të gjatë” përpara.
Investimi në patundshmëri dhe rritja e kërkesës për ar
Nga 230 milionë euro investime të huaja direkte në Kosovë brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, 142 milionë kanë shkuar në sektorin e patundshmërisë.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, Gjermania është shteti me më së shumti investime të huaja direkte, pasur nga Zvicra. Në këto dy shtete jeton numri më i madh i qytetarëve nga Kosova.
Megjithatë, ky investim, nga përfaqësues të organizatave ekonomike, po konsiderohet pa ndikim të madh në ekonomi.
Kuptojeni pse në linkun më poshtë.
Nga temat e tjera të ekonomisë, kemi veçuar atë të rritjes së kërkesës për ar këtë vit.
Nga janari i këtij viti e deri në gusht, në Kosovë janë importuar mbi 72 kilogramë metale të çmuara, apo rreth 40 kilogramë më shumë sesa vitin e kaluar.
Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit në Kosovë janë organizuar një mori dasmash e ahengjesh tjera familjare.
Në këto tubime, gratë zakonisht vendosin më shumë ar, si vathë, unaza, byzylykë dhe aksesorë tjerë.
Gona Zeka nga qyteti i Prishtinës tregon se blen ar vazhdimisht. Rrëfimin e saj e gjeni në materialin më poshtë.
Armët ilegale që po kërcënojnë sigurinë
Këtë vit në Kosovë janë kryer 19 vrasje dhe arsyeja kryesore për këtë fenomen besohet se janë armët ilegale.
Mirëpo, psikologu, Yll Avdiaj, ka thënë se në rritjen e vrasjeve ka ndikuar edhe pandemia COVID-19.
Avdiaj thotë se institucionet duhet ta marrin me seriozitet këtë dukuri, duke filluar nga niveli edukativo-arsimor.
Vonesat e asfaltimit prodhuan rrugë të dobëta
Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se ndërtimi i rrugëve në Kosovë karakterizohet me vonesa nga tre deri në pesë vjet.
Gjatë periudhës 2017-2019, vetëm në ndërtimin dhe përmirësimin e rrugëve rajonale dhe lokale janë shpenzuar mbi 343 milionë euro.
Gjetjet tjera të Zyrës së Auditimit i gjeni duke klikuar në titullin e materialit.
Fushatë kundër burkas dhe nikabit
Gratë afgane kanë publikuar në rrjetin social Twitter, fotografi me fustane të ndryshme e plot ngjyra, që sipas tyre shpërfaqin kulturën afgane. Sipas tyre, burka dhe nikabi, me të cilat janë parë disa gra - prej kur talibanët kanë marrë pushetin - nuk janë pjesë e identitetit të grave afgane. Profesoresha e historisë së Afganistanit, Bahar Jalali, njëherësh iniciatore e fushatës, ka folur për Radion Evropa e Lirë, më shumë në këtë temë.
Në mesin e temave tjera për Afganistanin kanë qenë edhe këto: