Ndërlidhjet

Një vit sundim i talibanëve i jep Afganistanit siguri, por pak shpresë


Një vit nga kthimi i talibanëve: Rënia e Kabulit në sytë e figurave kryesore
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:03 0:00

Një vit nga kthimi i talibanëve: Rënia e Kabulit në sytë e figurave kryesore

Reuters

Talibanët shënuan një vit në pushtet të hënën, por festa ishte e zbehtë në kohën kur Afganistani po lufton me varfërinë në rritje, thatësirën, kequshqyerjen dhe shpresën e zbehur të grave se ato mund të kenë një rol vendimtar në të ardhmen e vendit.

Në shenjë feste, disa njerëz qëlluan në ajër me armë zjarri në Kabul, por qyteti me 4.5 milion banorë ishte i qetë një vit pasi talibanët marshuan aty.

Vendi është më i sigurt sesa ishte kur lëvizja islamike e linjës së ashpër po luftonte kundër forcave të huaja të udhëhequra nga SHBA-ja, edhe pse një degë lokale e Shtetit Islamik ka kryer disa sulme.

Megjithatë, kjo siguri relative nuk mund ta maskojë sfidën me të cilën përballen talibanët për ta vendosur Afganistanin në rrugën drejt e rritjes ekonomike dhe stabilitetit. Ka presione të mëdha mbi ekonominë, të shkaktuara kryesisht nga izolimi i vendit pasi qeveritë e huaja refuzojnë të njohin sundimtarët e tij.

Ndihma për zhvillim, në të cilën vendi mbështetej aq shumë, është zvogëluar pasi komuniteti ndërkombëtar kërkon që talibanët të respektojnë të drejtat e afganëve, veçanërisht vajzave dhe grave, qasja e të cilave në punë dhe arsim është kufizuar.

Talibanët po kërkojnë që 9 miliardë dollarë të mbajtura jashtë shtetit të kthehen në rezervat e Bankës Qendrore, por bisedimet me Shtetet e Bashkuara po përcillen me pengesa, duke përfshirë kërkesat amerikane që një udhëheqës taliban, që i nënshtrohet sanksioneve, të largohet nga pozicioni i tij si i dyti në këtë bankë.

Talibanët refuzojnë t'u dorëzohen këtyre kërkesave, duke thënë se ata respektojnë të gjitha të drejtat e afganëve brenda kornizës së interpretimit të ligjit islamik.

Kështu që derisa të ketë një ndryshim të madh në pozicionin e secilës palë, nuk pritet asnjë zgjidhje të shpejtë për rritjen e çmimeve, rritjen e papunësisë dhe urinë që mund të përkeqësohet me fillimin e dimrit.

“Të gjithë po shkojmë drejt errësirës dhe fatkeqësisë", tha Amena Arezo, një mjek nga provinca juglindore Hazni. “Njerëzit nuk kanë të ardhme, veçanërisht gratë”.

Rreth 25 milionë afganë tani jetojnë në varfëri - më shumë se gjysma e popullsisë. Dhe, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara deri në 900.000 vende pune mund të humben këtë vit.

Pak mundësi

Fatima, e cila jeton në provincën Herat në perëndim të vendit, tha se kishte vënë re një përmirësim të sigurisë gjatë vitit të kaluar, por vuri në dukje me shqetësim se shkollat për vajzat ishin mbyllur dhe se kishte pak mundësi punësimi për gratë.

Si shumë afganë, nga frika e hakmarrjes ajo kërkoi që vetëm emri i saj të përdorej, jo edhe mbiemri.

Jaeed, nga provinca jugore e Helmandit, ku pati luftime të ashpra në të kaluarën, tha se siguria ishte përmirësuar dukshëm që kur talibanët u kthyen në pushtet, por përmendi inflacionin e madh në vend.

Herën e fundit që talibanët sunduan Afganistanin në fund të viteve 1990, gratë nuk mund të punonin, vajzave iu ndalu shkollimi dhe ligji i rreptë islamik u zbatua brutalisht, duke përfshirë edhe ekzekutimet publike.

Shoqëria civile dhe mediat e pavarura gjithashtu janë tkurrur, ku shumë nga përfaqësuesit e tyre janë larguar nga vendi. Misioni i OKB-së në Afganistan tha në një rishikim të fundit se grupi po arrestonte gazetarë, aktivistë dhe protestues.

Një zëdhënës i talibanëve kishte hedhur poshtë raportin e OKB-së dhe tha se arrestimet arbitrare nuk lejohen.

Administrata e vendit vazhdon të konsiderohet një qeveri e përkohshme ose autoritet 'de fakto' me ministra në detyrë, vendimet e të cilës mund të rrëzohen nga udhëheqësi suprem shpirtëror i grupit, me seli në qytetin jugor të Kandaharit.

Disa ekspertë kushtetues dhe ligjorë thonë se nuk është gjithmonë e qartë se si interpretohet dhe zbatohet në praktikë kodi ligjor dhe moral islam i Sheriatit.

"Problemi më i dukshëm është se nuk ka njëtrajtshmëri ligjore", tha Zalmai Nishat, një ekspert kushtetues afgan që ka punuar më parë si këshilltar qeveritar.

"Tani është sipas tekave të liderit [talibanët] në Kandahar dhe gjithashtu tekat e atyre që po udhëheqin në emër të tij... ky është problemi, është paparashikueshmëria".

Përgatiti: Erjonë Popova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG