Ndërlidhjet

BE: Talibanët kanë dështuar të krijojnë sistem politik gjithëpërfshirës


Flamuri i Bashkimit Evropian.
Flamuri i Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian ka akuzuar talibanët se "kanë dështuar të krijojnë një sistem politik gjithëpërfshirës", në prag të përvjetorit të parë të sundimit të lëvizjes islamike.

"Popullsia, duke përfshirë grupet etnike dhe fetare, në veçanti popullatën Shiite, po përjetojnë abuzim të institucionalizuar dhe sistematik të të drejtave të tyre ekonomike, sociale, kulturore, civile dhe politike", tha më 14 gusht, Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së për çështjet e Jashtme.

“Më konkretisht, ata kanë shkelur dhe abuzuar rëndë të drejtat e grave dhe vajzave afgane, të cilat mbeten të privuara nga arsimi i mesëm, ndërsa kufizimet e reja në kodet e veshjes dhe lëvizjes i kanë përjashtuar ato nga shumica e aspekteve të jetës ekonomike dhe publike”, tha Massrali.

Në deklaratë thuhet se nuk ka mekanizëm që mbron gratë dhe vajzat dhe se dhuna në familje është rritur.

“Mekanizmat për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna dhe martesat e detyruara janë çmontuar dhe dhuna në familje është në rritje”.

Talibanët pushtuan Kabulin më 15 gusht 2021, duke u rikthyer në pushtet në Afganistan gati 20 vjet pasi ata u rrëzuan nga pushtimi i SHBA-së pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Asnjë vend nuk e ka njohur ende sundimin e talibanëve.

Pasi fillimisht deklaruan se do të ishin më të moderuar se në kohën e tyre të mëparshme, talibanët u kthyen në një linjë të ashpër, duke shtypur të drejtat e grave, duke lejuar pak kritika dhe duke vendosur kontroll më të madh mbi median.

Vërejtja e BE-së vjen një ditë pasi një protestë e grave në Kabul u shpërnda me dhunë nga luftëtarët talibanë, të cilët qëlluan me armë në ajër dhe rrahën protestuesit që kishin kërkuar "bukë, punë dhe liri".

Rreth 40 gra marshuan para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit më 13 gusht përpara se luftëtarët t'i shpërndanin.

Fotot dhe videot e protestës të postuara në mediat sociale tregojnë forcat talibane që gjuajnë dhe sulmuan fizikisht gratë. Disa gra u ndoqën nga luftëtarët talibanë, të cilët i qëlluan ato me kondakët e pushkëve.

Talibanët gjithashtu arrestuan tre gazetarë të huaj dhe një punëtor afgan për mbulimin e protestës, ndërsa dy gazetarë të tjerë vendas u plagosën lehtë, sipas Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur Afganistan (AIJA).

Hujatullah Mujadidi, anëtar i lartë i AIJA-s me bazë në Kabul, tha se gazetarët e huaj të arrestuar ishin nga Gjermania, Danimarka dhe Norvegjia.

Amnesty International shprehu shqetësimin për raportimet se talibanët përdorën "forcë të tepruar" për të shpërndarë gratë. Në postimin e tyre në Twitter thuhet se gratë kishin "protestuar në mënyrë paqësore për të kërkuar të drejtat e tyre njerëzore".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG