Ndërlidhjet

Lai Ching-te, i cilësuar si ngatërrestar nga Kina, i fiton zgjedhjet presidenciale në Tajvan


Lai Ching-te Partia Progresive Demokratike gjatë një konference për media pasi i fitoi zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Tajvan, 13 janar 2024.
Lai Ching-te Partia Progresive Demokratike gjatë një konference për media pasi i fitoi zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Tajvan, 13 janar 2024.

Qytetarët e Tajvanit e kanë votuar Lai Ching-te si president të ardhshëm të vendit të shtunën, të cilin Kina e ka cilësuar si ngatërrestar dhe për të cilin kishte bërë thirrje të mos votohej.

Partia Progresive Demokratike (PPD) e Lai e fitoi mandatin e tretë në zgjedhjet e së shtunës në Tajvan, të cilat Pekini i kishte përshkruar si zgjedhje mes luftës dhe paqes.

Lai, i cili prej vitit 2020 ka qenë zëvendëspresident, lufton për një Tajvan të pavarur dhe me identitet të ndarë kombëtar nga Kina.

Tajvani ka qenë tregim i suksesshëm demokratik prej se i mbajti zgjedhjet e para presidenciale në vitin 1996, pas disa dekadave vuajtjeje kundër sundimit autoritar dhe ligjit ushtarak.

Para zgjedhjeve, Kina vazhdimisht e ka dënuar Lain si një separatist të rrezikshëm dhe i ka hedhur poshtë thirrjet e tij të vazhdueshme për bisedime.

Lai thotë se është i vendosur për ta ruajtur paqen përgjatë Ngushticës së Tajvanit dhe për ta forcuar mbrojtjen e ishullit.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të shtunën në mëngjes se ka vërejtur balona kineze duke e kaluar ngushticën e ndjeshme, njëra prej të cilat fluturoi edhe mbi vetë Tajvanin.

Kjo Ministri i ka dënuar fluturimin e raportuar të balonave mbi ngushticë gjatë muajit të fundit duke i cilësuar si luftë psikologjike dhe kërcënim për sigurinë e aviacionit.

Lai u përball me dy kundërshtarë për postin e presidentit – Hou Yu-in nga partia më e madhe opozitare e Tajvanit, Kuomintang (KMT), dhe ish-kryetarin e Tajpeit, Ko Wen-je nga Partia e Popullit të Tajvanit (TPP), e cila u themelua më 2019.

Hou, njëlloj si Kina, e ka akuzuar Lain se po e mbështet pavarësimin formal të Tajvanit.

Lai thotë se Hou është në favor të Pekinit, akuzë të cilën ai e mohon.

Ko e ka fituar një mbështetje të zjarrtë, posaçërisht në mesin e votuesve të rinj, pasi është përqendruar në çështjet përditshme themelore, siç është çmimi i lartë i banimit.

Presidenti i tanishëm i Tajvanit, Tsai Ing-wen nuk kishte të drejtë të garonte, pasi i ka mbajtur dy mandate si president.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG