Ndërlidhjet

Ushtria kineze: Do të shtypim çdo përpjekje të Tajvanit për pavarësi


Pjesëtarë të ushtrisë kineze gjatë stërvitjeve ushtarake të mbajtura në janar të vitit 2021.
Pjesëtarë të ushtrisë kineze gjatë stërvitjeve ushtarake të mbajtura në janar të vitit 2021.

Ushtria e Kinës u zotua se do të “shtypë” çdo përpjekje për të promovuar pavarësinë e Tajvanit. Ky paralajmërim i bërë më 12 janar vjen një ditë para se ishulli vetëqeverisës të mbajë zgjedhjet kyçe parlamentare dhe presidenciale.

Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj.

“Ushtria Çlirimtare Popullore kineze është në vigjilencë të lartë gjatë gjithë kohës dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të shtypur me vendosmëri përpjekjet e ‘pavarësisë së Tajvanit’ në të gjitha format”, tha zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes, Zhang Xiaogang, përmes një deklarate.

Zhang akuzoi subjektin udhëheqës në Tajvan, Partinë Progresive Demokratike, se po e shtyn ishullin “drejt kushteve të rrezikshme të luftës” duke blerë armë nga Shtetet e Bashkuara.

Ishulli që ka demokracia vibrante dhe ka 23 milionë banorë, ndahet nga një ngushticë prej 180 kilometrash nga Kina komuniste, e cila pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe nuk ka përjashtuar mundësinë që ta marrë kontrollin e ishullit edhe përmes forcës.

Zgjedhjet e së shtunës do të vëzhgohen nga afër nga e mbarë bota dhe fituesi i zgjedhjeve presidenciale do të udhëheqë ishullin që ka rëndësi të madhe strategjike – dhe është një prodhues i madh i gjysmëpërçuesve – dhe do të menaxhojë lidhjet me Kinën.

Në vitet e fundit, Pekini ka ruajtur praninë ushtarake, pothuajse në baza ditore, përreth Tajvanit, duke dërguar luftanije dhe avionë luftarakë përreth ishullit.

XS
SM
MD
LG