Ndërlidhjet

Gjykata shpall fajtorë pjesëtarët e grupit “Syri i Popullit”


Dënohet “Syri i Popullit”
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:05 0:00

Dënohet “Syri i Popullit”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë të akuzuarit në rastin e njohuri si "Syri i Popullit".

Të akuzuarit janë shpallur fajtorë për përgatitje të veprave terroriste. Sipas Gjykatës të akuzuarit planifikimin vrasjen e shumë zyrtarëve të lartë në Kosovë, duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

Sadri Ramabaja, është dënuar me 5 vite burgim, Avni Llumnica, me dënim unik prej 12 vjetësh burgim, Ragip Sallova me 4 vjet burgim, Behxhet Luzha me 2 vjet burgim, Halim Halimi me 3 vjet burgim, Bajrush Konjusha me 3 vjet burgim ndërsa i akuzuari tjetër, Rexhep Topllana me 2 vjet burgim. Të dënuarve gjykata ua ka njohur kohën sa kanë qëndruar në paraburgim.

Ndërsa, për Murat Jasharin i cili kreu tentim-vrasje ndaj avokatit Azem Vllasi, Gjykata vendosi që ta dërgojë atë në 10 vjet ndalesë në institucione shëndetësore për shkak të gjendjes së tij psikike.

Çfarë është “Syri i Popullit”?

Emri i organizatës “Syri i Popullit” u bë i njohur më 12 mars të vitit 2017, kur në orët e hershme të atij mëngjesi, Murat Jashari një aktivist politik i viteve të 90-ta, trokiti në derën e banesës së avokatit Azem Vllasi në Prishtinë, për ta vrarë atë.

Pak sekonda pasi Vallasi hapi derën, Murat Jashari shkrepi armë zjarri duke tentuar që ta vriste Vllasin.

Pas pak kohësh nisën arrestimet e para ku pos Murat Jasharit që kreu tentim-vrasjen u arrestua edhe Avi Llumnica. Këta dy persona u arrestuan nën akuzat se ishin pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”, e cila mori përgjegjësinë për tentim-vrasjen e Azem Vllasit.

Hetuesia zgjeroi hetimet duke arrestuar edhe persona të tjerë si Bajrush Konjusha, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha.

Arrestimi më i bujshëm sa i takon pjesëtarëve të kësaj organizate ishte ai i pjesëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, arrestimi i të cilit ndodhi më 7 tetor të vitit 2017.

Ramabja u arrestua në portin e Durrësit në Shqipëri derisa tentonte që të largohej nga ky vend me pasaportë dhe leje-qëndrimi të falsifikuar franceze, kishin njoftuar autoritetet e Shqipërisë.

Gjatë seancave gjyqësore në këtë proces, Ramabaja ishte i zëshëm në kundërshtimin e akuzave me të cilat ai ngarkohej duke thënë se rasti ishte i montuar politikisht me qëllim të eliminimit të tij nga skena publike.

Kush është Azem Vllasi, viktima e parë e organizatës “Syri i Popullit”?

Azem Vllasi ishte ndër politikanët më me ndikim në vitet e 80-ta në Kosovë. Vllasi ishte funksionar i lartë në kohën e ish-Jugosllavisë, derisa drejtoi atë që njihej si Krahina Autonome e Kosovës.

Ai u shkarkua nga kjo pozitë në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, kur u hoq autonomia e Kosovës.

Në vitin 1989 Vllasi u arrestua duke u shndërruar në person të burgosur politik. Një vit më vonë Vllasi u lirua nga burgu.

Azem Vllasi.
Azem Vllasi.

Pas përfundimit të luftës së viteve “98-99”, Vllasi sërish mbajti disa pozita në kuadër të institucioneve të Kosovës. Fillimisht ishte këshilltar i ish-kryeministrit Bajram Kosumi, ndërsa më vonë në kuadër të Qeverisë së Kosovës, u emërua këshilltar për bisedimet me Serbinë.

Viteve të fundit Vllasi punon si avokat, ndërkohë që në opinion njihet edhe si analist politik.

Prokuroria akuzoi “Syrin e Popullit” se planifikonte vrasjen e figurave politike

Në një dokument prej më shumë se 70 faqesh, Prokuroria Speciale e Kosovës akuzonte organizatën “Syri i Popullit” se planifikonte veprimtari terroriste në Kosovë. Sipas aktakuzës, pjesëtarët e kësaj organizate po planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të shtetit të Kosovës.

Prokuroria pretendonte se pjesëtarët e organizatës “Syri i Popullit”, synonin që të arrinin qëllimet e tyre përmes sulmeve dhe me vrasjes së personaliteteve më të larta shtetërore duke u nisur nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës që kishin qenë aktiv nga viti 1980 deri më 1991, duke i konsideruar ata si tradhtarë të vendit.

Një polic qëndron para banesës së Azem Vllasit, i cili u plagos në mars të vitit 2017.
Një polic qëndron para banesës së Azem Vllasit, i cili u plagos në mars të vitit 2017.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, “Syri i Popullit”, po ashtu planifikonte vrasjen e disa prej funksionarëve që kishin mbajtur dhe mbanin pozita udhëheqëse nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Në aktakuzë thuhet se në listë për t’u vrarë nga kjo organizatë ishin edhe shumë emra të tjerë, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa, Fatmir Limaj, Xhavit Haliti si dhe shumë të tjerë që nga kjo organizatë konsideroheshin tradhtarë që duhej eliminuar.

Prokuroria Speciale: “Syri i Popullit” kishte strukturë dhe planifikim

Aktakuza e Prokurorisë Speciale, shpjegonte se organizata “Syri i Popullit” kishte logon, vulat dhe betimet, të cilat kryheshin para flamurit kombëtar dhe fotografisë së ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Adem Jasharit.

Prokuroria pretendonte se organizata kishte dy grupe të njohura si "Grupi Gueril" dhe "Grupi i Dajakut". Ndërsa sa i takon financimit, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, veprimtarët e kësaj organizate do të kishin rroga mujore, derisa financimi do të bëhej nga afaristët vendorë si dhe nga mërgata në kohën sa do të krijoheshin rrethanat.

Thaçi e Veseli: Kurti e Konjufca janë pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”

Në procesin gjyqësor për rastin “Syri i Popullit dëshmuan edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi si dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Gjatë dëshmisë para gjykatës, që të dy, si Thaçi ashtu edhe Veseli, i kishin përmendur dy drejtuesit e Vetëvendosjes, Albin Kurtin e Glauk Konjufcën, se qëndrojnë prapa organizatës “Syri i Popullit”.

Si reagim ndaj deklaratës së Thaçit e Veselit, drejtuesi i Vetëvendosjes Albin Kurti si dhe Glauk Konjucfa dorëzuan kallëzim penal për lajmërim apo kallëzim të rremë.

Kurti dhe Konjufca pretendojnë se Thaçi e Veseli, nën betim më datën 28 dhjetor të vitit 2018, në procesin gjyqësor ndaj të ashtuquajturës organizata “Syri i Popullit”, kanë deklaruar se dy anëtarët e Vetëvendosjes, Kurti dhe Konjucfa janë pjesë e kësaj organizate.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG