Ndërlidhjet

Sulmet izraelite vrasin të paktën 18 palestinezë në Gazë


Fotografi ilustruese. Ndërtesa të dëmtuara nga një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve Bureij në qendër të Rripit të Gazës, më 8 tetor 2024.
Fotografi ilustruese. Ndërtesa të dëmtuara nga një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve Bureij në qendër të Rripit të Gazës, më 8 tetor 2024.

Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 18 palestinezë, përfshirë nëntë anëtarë të së njëjtës familje, në veri dhe qendër të Gazës, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve e Autoritetit Palestinez, WAFA, herët të mërkurën.

Nëntë anëtarët e familjes u vranë në një sulm që kishte si objektiv apartamentin e tyre në lagjen Shejaia në veriun e Gazës, raportoi WAFA duke cituar mjekë.

Në mesin e viktimave u raportuan të jenë pesë fëmijë dhe dy gra.

Ndërkohë, në kampin e refugjatëve Nuseirat në qendër të Gazës, tre të tjerë u vranë, përfshirë një fëmijë, dhe disa u plagosën nga një sulm izraelit, shtoi WAFA.

Më 7 tetor 2023, militantët e drejtuar nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – sulmuan qytete izraelite dhe fshatra pranë kufirit, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje, sipas statistikave izraelite.

Ofensiva pasuese e Izraelit në Gazë ka vrarë gati 42.000 palestinezë, sipas ministrisë së shëndetësisë në enklavë, ka zhvendosur pothuajse të gjithë 2.3 milionë banorët e saj dhe ka sjellë një krizë humanitare me përhapje të problemeve të urisë dhe shkatërrim të infrastrukturës kritike dhe kujdesit shëndetësor.

Ushtria izraelite tha më 7 tetor se gjatë vitit të fundit i ka bombarduar më shumë se 40.000 shënjestra në Gazë, ka zbuluar 4.700 tunele dhe ka shkatërruar 1.000 vende të raketahedhësve.

Konflikti në Gazë është duke u zhvilluar ende, ndërsa Izraeli tani po lufton në një front të dytë në jug të Libanit kundër Hezbollahut.

Mëngjesin e 7 tetorit, Hezbollahu, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, hodhi raketa në qytetet veriore të Izraelit, Haifa dhe Tiberias, duke shkaktuar dëme dhe disa lëndime të lehta, sipas policisë izraelite.

Bashkimi Evropian ka vendosur në listën e zezë krahun e armatosur të Hezbollahut, por jo edhe krahun e tij politik, i cili ka ulëse në parlamentin libanez. Në javët e fundit, Izraeli ka bombarduar periferitë jugore të Bejrutit dhe është duke e kryer një inkursion tokësor në jug të Libanit, në përpjekje për ta shkatërruar Hezbollahun.

Fushata e Izraelit kundër Hezbollahut nxiti patronin e grupit, Iranin, të përgjigjet duke sulmuar shtetin hebraik me një breshëri raketash, pjesa dërrmuese e të cilave u shkatërruan nga mbrojtja ajrore izraelite pa shkaktuar dëme të konsiderueshme, por sulmi ringjalli frikën për shpërthimin e një konflikt më të gjerë rajonal.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG