Forcat ruse kanë garantuar qytetin lindor ukrainas të Harkivit, duke vrarë një person dhe plagosur 16 të tjerë, tha kryetari i qytetit, Ihor Terekhov, përderisa Ministria e Jashtme e Ukrainës edhe një herë i bëri thirrje Uashingtonit për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore.
Më 27 mars, edhe të paktën dy civilë u vranë nga sulmet ruse në pjesën lindore dhe jugore të Ukrainës.
Sulmi në Harkiv kishte për cak një ndërtesë banimi, shkroi Terekhov në Telegram, duke e përshkruar sulmin si “një tjetër akt të terrorit të përgjakshëm kundër ukrainasve”.
Guvernatori i Harkivit, Oleh Synyehubov, tha se ndodhën dy sulme në një qark të qytetit të Harkivit, duke raportuar për dëme në infrastrukturën civile.
Një ndërtesë pesëkatëshe pësoi dëme të mëdha dhe po ashtu edhe Instituti i Emergjencave, tha ai.
Në javët e fundit, rusët kanë intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës duke shënjestruar infrastrukturën kyçe, përfshirë stacionet elektrike, në shenjë hakmarrjeje për bombardimet në rajonet kufitare ruse.
Gjatë një konference online më 27 mars, kryediplomati ukrainas, Dmytro Kuleba, bëri thirrje për dërgesa urgjente të sistemeve të mbrojtjes ajrore.
“Veçmas, sulmet aktuale ruse janë intensive dhe po përdoren raketa balistike që mund të arrijnë caqe me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, duke u dhënë pak kohë njerëzve që të strehohen, dhe duke shkaktuar dëm të madh”, tha ai.
“Sistemet Patriot dhe të ngjashme janë vendimtare. Ato janë të dizajnuara të mbrojnë jetë, e jo të marrin jetë”, tha ai, duke iu referuar raketave të prodhimit amerikan.
Më herët gjatë javës, gjatë një interviste për Politico, Kuleba tha se Ukraina ka nevojë të madhe për këto raketa tokë-ajër për t’u mbrojtur nga sulmet e pareshtura ruse, teksa pushtimi i Ukrainës i nisur nga Rusia tashmë ka hyrë në vitin e tretë.