Xhevrije Jashareviq, grua rome nga Graçanica afër Prishtinës, nuk e di se si do t’i mbijetojë dimrit që po vjen në shtëpinë e rrënuar. Nuk ka para për të riparuar muret e plasaritura dhe çatinë. Ajo jeton e vetme, me ndihmë sociale, e cila në Kosovë arrin në rreth 60 euro për një anëtar të familjes.
“A është kjo jetë? Ja çfarë po bën Kosova për ne”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Ajo mbeti vetëm pasi burri i saj vdiq, ndërkaq fëmijët e saj u larguan në kërkim të një jete më të mirë.
Për shkak të rasteve të këtilla, më 19 shtator, Qeveria e Kosovës prezantoi strategjinë për përmirësimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali, për periudhën 2022-2026, si dhe një plan veprimi deri në vitin 2024.
Strategjia parasheh zgjidhjen e problemit të papunësisë dhe varfërisë në mesin e pjesëtarëve të komunitetit rom dhe atij ashkali, rritjen e numrit të personave të arsimuar, eliminimin e diskriminimit dhe ndarjen (segregimin) mbi baza etnike, si dhe qasjen në kujdesin shëndetësor.
Xhevrija mendon se komuniteti, të cilit i përket, nuk do të përfitojë shumë nga kjo strategji, pasi as strategjitë e mëparshme nuk kanë sjellë rezultate. Siç thotë ajo, shumica e bashkatdhetarëve të saj ende jetojnë në “kushte jonjerëzore”.
Mendim të ngjashëm shpreh edhe i riu Ibrahim Ragipi, po ashtu nga Graçanica, i cili ka kohë që po përpiqet të gjejë ndonjë punë.
“Të gjithë kinse duan të na ndihmojnë, por në fund, askush nuk e dëshiron vërtet këtë, në realitet kjo nuk ekziston fare”, thotë ai.
Sipas të dhënave të autoriteteve lokale, në territorin e komunës së Graçanicës jetojnë rreth 10 për qind e pjesëtarëve të komuniteteve rom dhe ashkali. Pothuajse në të gjitha fshatrat që e përbëjnë komunën e Graçanicës, romët dhe ashkalitë jetojnë të ndarë, në lagjet e tyre.
Bazuar në regjistrimin e popullsisë në vitn 2011, romët përbëjnë rreth 0.5 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve, ndërsa ashkalitë 0.7 për qind. Përkatësisht, sipas të dhënave nga regjistrimi në vitin 2011, në Kosovë jetojnë 15.436 ashkali, 11.524 egjiptianë dhe 8.824 romë. Sipas të dhënave të Zyrës për çështje të komuniteteve, shkalla e papunësisë në mesin e tyre është mbi 40 për qind.
Të drejtat dhe dallimet mes romëve dhe ashkalive?
Romët dhe ashkalitë janë komunitete pakicë, të njohura me Kushtetutë në Kosovë dhe kanë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës.
Është edhe komuniteti egjiptian, i cili me kërkesën e tij u përjashtua nga dy strategjitë e fundit.
Qeveria e Kosovës, që nga vitit 2008, ka zhvilluar strategji për komunitetet RAE (rom, ashkali dhe egjiptian), me qëllim të integrimit të tyre.
Mirëpo, viteve të fundit, egjiptianët, të cilët janë po ashtu komunitet pakicë i njohur me Kushtetutë në Kosovë, nuk duan të barazohen me romët dhe ashkalitë, por kërkojnë nga institucionet që të zhvillojnë një strategji të veçantë integruese për ta, gjë që nuk është bërë deri më tash.
Komuniteti egjiptian përbëhet nga 0.6 për qind e popullsisë së përgjithshme.
Ashkalitë dhe egjiptianët thonë se kanë origjinë tjetër nga romët. Për dallim nga romët, të cilët kanë gjuhën e tyre dhe u takojnë besimeve të ndryshme, ashkalitë dhe egjiptianët në Kosovë flasin gjuhën shqipe dhe i takojnë besimin islam.
Sipas shpjegimit të tyre, ashkalitë janë me origjinë nga Irani dhe kanë ardhur në Ballkan në shekullin e IV. Egjiptianët pretendojnë se paraardhësit e tyre erdhën në Ballkan nga Egjipti.
Problemi i papunësisë, burim i varfërisë
Në disa ndërtesa në fshatin Plemetin, në Komunën e Obiliqit, rreth 15 kilometra afër Prishtinës, jetojnë rreth 130 romë dhe ashkali, ndërkaq vetëm tre prej tyre kanë punësim të përhershëm.
Njëri prej tyre është Bajrush Berisha, i cili i takon komunitetit ashkali. Në deklaratën e tij për Radion Evropa e Lirë, ai vlerëson se Kosova ende nuk është e gatshme t’i pranojë ata si anëtarë të barabartë të shoqërisë.
“Kemi dy vajza që kanë mbaruar Shkollën e Mjekësisë dhe kanë mundur të punësohen këtu në ambulancë. Nuk pati shans për këtë”, thotë ai dhe shton se Qeveria e Kosovës di vetëm të hartojë strategji të mira, por nuk ka rezultate në terren.
E acaruar nga jeta dhe qëndrimi ndaj komuniteteve është edhe Nevrija nga Plemetini. Ajo tregon për kushtet e këqija e johigjienike të jetesës dhe frikësohet nga infeksionet.
“Këtu ka gjithçka, si do të jetoj unë këtu? Kam shumë vajza, kam një nip... nuk mundem, nuk dua të jetoj këtu”, thotë ajo.
Pse u hartua strategjia e re?
Strategjia e re, e treta me radhë, për përparimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali është vazhdimësi e politikës së Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar një shoqëri shumetnike dhe për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.
Janë definuar pesë fusha të veprimit: arsimi, punësimi dhe mbrojtja sociale, shëndetësia, strehimi dhe çështja e diskriminimit.
Të gjitha këto fusha ishin të mbuluara edhe me dy strategjitë e mëparshme, por krijuesit e strategjisë së re thonë se ajo është më ndryshe, sepse institucionet kompetente do të ndajnë mjete financiare për zbatimin e saj.
Gjithashtu, ministritë dhe komunat janë të obliguara që të emërojnë zyrtarë përkatës për raportim lidhur me zbatimin e strategjisë, të cilët do të bashkëpunojnë me krijuesin e këtij dokumenti, Zyrën për Qeverisje të Mirë.
Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së kryeministrit, e cila ka hartuar strategjinë, thotë se Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 20 milionë euro për zbatimin e saj. Ai shton se do të ketë në dispozicion edhe rreth dy milionë euro nga donatorët.
Hajredini thekson se është e rëndësishme të forcohen strukturat në nivelin lokal për të filluar zbatimin e strategjisë. Ai po ashtu thotë se tashmë është formuar një mekanizëm që do të punojë në punësimin e pjesëtarëve të komuniteteve, për të cilat bëhet fjalë.
“Kemi mbajtur takimin e parë rreth promovimit të mundësive për punësim. Gjithashtu, është iniciuar një platformë, përmes së cilës mund të raportohen rastet e diskriminimit ndaj komuniteteve. Aktualisht, jemi duke shqyrtuar nëntë raste që janë raportuar përmes kësaj platforme”, thotë ai.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Komunitete, Emilia Rexhepi, thotë se Qeveria aktuale është e fokusuar në ndërtimin e një shoqërie, në të cilën nuk do të ketë diskriminim kombëtar, racor, fetar apo gjuhësor.
“Të gjithë ne jemi qenie njerëzore, mund të flasim ndryshe, mund të dukemi ndryshe, por ajo që na lidhë është jeta jonë e përbashkët, vlera e diversitetit, të cilën nuk e ka secili shtet”, thekson ajo.
Rexhepi shton se të gjithë duhet të bashkëpunojnë që strategjia të jetë e suksesshme, në mënyrë që romët dhe ashkalinjtë të mos ndihen të përjashtuar dhe të diskriminuar.
Vesa Batalli nga organizata joqeveritare “Zëri i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve” pret që strategjia e re të japë rezultate dhe shton se kësaj radhe është ndryshe, sepse në zbatimin e saj do të përfshihen të gjitha institucionet kompetente, të cilat janë të obliguara që të ndajnë mjete financiare.
Ajo thekson se sektori civil do të përcjellë zbatimin e Planit të veprimit për zbatimin e strategjisë dhe vuri në dukje se segment i rëndësishëm është lufta kundër diskriminimit racor.
“Këtë vit kemi pasur raste që kanë të bëjnë me atë (diskriminim racor). Qeveria dhe institucionet kanë treguar gatishmëri për të hartuar një platformë që do të luftojë dukuritë negative. Tani na mbetet që të monitorojmë punën e institucioneve, veçanërisht të atyre që janë aty për të mbrojtur të drejtat dhe liritë”, thotë Batalli.
Në mesin e majit të vitit 2022, një mësues nga komuniteti shqiptar në Pejë përjashtoi nga një shfaqje nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët ishin ulur mënjanë. Kjo bëri bujë të madhe në shoqëri. Më pas, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se “diskriminimi nuk ka vend në shkolla” dhe se inspektorati do ta hetojë rastin.
A mund ta përmirësojë strategjia jetën e romëve dhe ashkalinjve?
Gazmend Salijeviq nga partia “Iniciativa e romëve”, e cila merr pjesë në punën e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, në një deklaratë për REL-in thotë se strategjia e re është e mirë, por ai nuk është i sigurt se sa do të përmirësojë ajo jetën e njerëzve në terren.
“Sa do ta ndihmojmë konkretisht dikë, për të ndryshuar jetën e dikujt që jeton në një rrugë apo lagje? Kemi një krizë ekonomike, ndikimi i së cilës është shumë më i madh te grupet e margjinalizuara. Vetëm shpresoj që Qeveria kësaj radhe ka ndarë para, kjo është pozitive në gjithë këtë histori”, tha Salijeviq.
Në korrik të vitit 2019, në Poloni, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan një deklaratë për integrimin e romëve.
Edhe Kosova është nënshkruese e këtij dokumenti dhe është zotuar të rrisë shkallën e punësimit të romëve, të legalizojë të gjitha vendbanimet joformale ku jetojnë romët, të sigurojë strehim të përhershëm dhe të qasshëm, të rrisë shkallën e regjistrimit dhe përfundimit të arsimit fillor në 90 për qind, të sigurojë regjistrimin dhe gjendjen civile, të garantojë sigurimin shëndetësor, të forcojë strukturat qeveritare për të luftuar diskriminimin ndaj romëve, e të tjera.
Në Raportin e Progresit për Kosovën, të publikuar nga Komisioni Evropian në vitin 2021, situata e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në vend është cilësuar si “e vështirë”.
Shqetësimet për këto komunitete janë shprehur edhe nga Human Rights Watch, me seli në SHBA.
Në raportin e publikuar në janar, Human Rights Watch deklaroi se “diskriminimi ndaj romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve në Kosovë mbetet problem”.
Facebook Forum