Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka dorëzuar një raport kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me punën e ekipit menaxhues, i cili është i ngarkuar për hartimin e statutit të Asociacionit apo Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe.
Në një përgjigje me shkrim nga kjo ministri thuhet se ekipi menaxhues ka mbajtur takime të rregullta me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe, po ashtu, i ka dorëzuar ministrisë raportet e punës së ekipit lidhur me detyrat që dalin nga vendimi dhe marrëveshja e Brukselit.
"Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të njëjtat raporte i ka dorëzuar te Zyra e kryeministrit, për t’i njoftuar lidhur me punën e ekipit dhe veprimet e ndërmarra nga ekipit menaxhues", thuhet në një përgjigje me shkrim nga kjo ministri.
Në Zyrën e Kryeministrit thonë se kanë pranuar një raport nga grupi punues për hartimin e statutit të Asociacionit apo Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe.
Koordinatori në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, tha për Radion Evropa e Lirë, se janë duke e shqyrtuar raportin dhe pasi ta analizojnë atë, do t'i japin vlerësimet e duhura.
"Kemi pranuar një raport nga Ministria e Pushteti Lokal, e cila ka dorëzuar disa procesverbale të disa takimeve që i ka pasur grupi menaxherial, i cili është në përgatitje të hartimit të statutit. Nuk e kam shqyrtuar dhe nuk e kam analizuar dhe nuk mund të flas për përmbajtjen e tij. Ajo çka mund të them është se këta ekspertë do ta hartojnë një draft, i cili do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në atë mënyrë nuk do t'i humbte kohë askujt e shumë shpejt do të zbatohej edhe formimi i Asociacionit", tha Arifi.
Delegacioni i Kosovës për dialogun me Serbinë, para pak ditësh në Bruksel raportoi para përfaqësuesve të 28 vendeve anëtare të BE-së se Kosova nuk do të lejojë që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, të ketë kompetenca ekzekutive.
Arifi ritheksoi se Asociacioni i Komunave serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë në asnjë mënyrë nivel i tretë i pushtetit, por do të jetë Asociacion përbrenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Ish-ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, qortoi Qeverinë aktuale të Kosovës, duke thënë se po mban një raport inferior dhe qëndrim mospërfillës në raport me dialogun.
Kurse, rreth formimit të Asociacionit, Tahiri konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme, sidomos lidhur me statutin që po hartohet.
"Qeveria është dashur të jetë pro-aktive dhe të mos lejojë që procesi të dalë nga binarët. Sigurisht që Qeveria duhet t’i hapë sytë shumë se Marrëveshja për Asociacionin e bën të qartë se nuk ka kompetenca ekzekutive. Nëse lejon kështu që ekipi menaxhues apo punues, të vazhdojë me punë i përbërë vetëm nga përfaqësuesit e komunave serbe, pa përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, procesi mund të dalë jashtë kontrollit dhe pastaj riparimi është shumë i vështirë", theksoi Tahiri.
Formimi i Asociacionit të komunave serbe nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, shihet si çështja kyçe në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
Ndërkaq, institucionet e Kosovës po këmbëngulin në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura, të cilat, sipas Prishtinës, janë bllokuar nga Beogradi.
Para së gjithash, përmenden marrëveshjet për energjinë, ajo për hapjen e urës mbi lumin Ibër, kthimi i dokumenteve kadastrale, njohja e diplomave dhe lejimi i funksionimit të objekteve të marra me qira në veri.
Kurse, pala serbe insiston në formimin sa më të shpejtë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe.
Facebook Forum