Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes ka thënë se “nuk duhet lejuar që të ketë aparteid me vizat për Kosovën”. Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk i din arsyet pse disa vende anëtare të Bashkimit Evropian refuzojnë të japin pëlqimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Komentet e eurodeputetit slloven, pasojnë deklaratat e ditëve të fundit të disa zyrtarëve të Bashkimit Evropian se heqja e vizave për qytetarët e Kosovës mund të merr më shumë kohë sesa që pritej. Pritjet ishin që liberalizimi i vizave të merrte dritën e gjelbër në dhjetor të këtij viti, por kohët e fundit janë shtuar zërat skeptik brenda BE-së rreth kësaj mundësie.
Megjithatë ai shpreson se kjo çështje do të jetë në agjendën e Këshillit të Ministrave në dhjetor të këtij viti.
“Padyshim se deri atëherë ka ende kohë për t’i bindur vendet anëtare për rëndësinë e garantimit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, për mundësinë e liberalizimit të vizave”, tha Soltes.
“Kjo është e nevojshme pasi edhe ka qenë pjesë e kushteve të cilat BE-ja i kishte kërkuar nga Kosova dhe të cilat janë plotësuar nga ana e saj”, theksoi ai.
“Procesi në vazhdim, i cili fillimisht u miratua nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, tash i mbetet Këshillit të Ministrave që ta përmbush pjesën e vet”, theksoi Soltes.
Kosova kishte numrin më të madh të kritereve që duhej plotësuar për t’u përfshirë në Zonën e Schengenit, që nënkupton zonën e lëvizjes së lirë pa viza brenda BE-së. Ndër kushtet kryesore, Kosova kishte ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit dhe kriterin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të dy këto kritere, sipas Komisionit Evropian janë plotësuar gjatë këtij viti.
Por, pavarësisht këtij fakti, disa vende të BE-së, të ndër të cilat edhe Gjermania, Franca e Holanda, kanë shprehur rezervat e tyre për të mbështetur heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Sidqoftë, pritet që të shihet nëse Këshilli i Ministrave do ta përfshijë në agjendë vendimmarrjen për liberalizimin e vizave gjatë muajit të ardhshëm.
Hashtag: Diskutimi i 'pafund' për vizat
Në fillim të dhjetorit, në Prishtinë pritet që të qëndrojë edhe Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn, kur edhe mund të qartësohet sado pak nëse ky proces do të përmbyllet gjatë këtij viti.