Ndërlidhjet

Haradinaj: Thaçi të analizojë pjesëmarrjen në dialog përderisa nuk ka liberalizim të vizave


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ka hezitime që çështja e liberalizimit të vizave të vendoset në agjendën e takimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian.

Pas mbledhjes së Këshillit ndërministror për Integrim Evropian, Haradinaj ka bërë të ditur se përkundër faktit që Kosova i ka kaluar dy faza të rëndësishme të procesit të liberalizimit, vlerësimin e Komisionit Evropian dhe votimin e Parlamentit Evropian për të filluar dialogun, tani ka mungesë të gatishmërisë për ta vënë në rend dite këtë çështje nga ana e Këshillit të Ministrave me arsyetimin se mungon vullneti politik.

“Ne si Qeveri e Kosovës po insistojmë që kjo çështje të vihet në rend dite të Këshillit të Ministrave pavarësisht a votojnë për ose kundër. Nuk bën të paragjykohet rezultati dhe të mos vihet në rend dite. Unë besoj se po të hyjë në agjendë të Këshillit të Ministrave liberalizimi do të votohet” është shprehur Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës e ka ndërlidhur liberalizimin e vizave edhe me takimin e së enjtes ndërmjet presidentëve Thaçi dhe Vuçiq duke thënë se BE-ja po i jep shumë rëndësi dialogut, duke e detyruar Kosovën të jetë pjesë e tij, mirëpo duke iu mohuar qytetarëve të saj të lëvizin pa viza.

Thaçi dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel

“Do të ishte shumë keq që njërës palë, në këtë rast Kosovës t’i thuhet të marrë pjesë në dialog e qytetarët e tu nuk kanë të drejtë të lëvizin pa viza. Thaçi është mirë të analizojë vetë se çfarë është duke bërë, a duhet të vazhdojë të shkojë në këto takime kështu apo duhet të pranojë që çdo agjendë e vendit të vet të varet nga disponimi i vendit fqinj” ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka konfirmuar se në fillim të dhjetorit në Kosovë do të qëndrojë Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, i cili do të diskutojë me autoritetet në Prishtinë për zbatimin e reformave për integrim në BE.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG