Ndërlidhjet

Situatë më e qetë në Afganistan


Ushtarët francezë bëjnë roje derisa shtetasit francezë dhe afganë presin të hipin në një aeroplan transporti ushtarak në aeroportin e Kabulit më 17 gusht 2021.
Ushtarët francezë bëjnë roje derisa shtetasit francezë dhe afganë presin të hipin në një aeroplan transporti ushtarak në aeroportin e Kabulit më 17 gusht 2021.

Të martën, më 17 gusht, vazhduan fluturimet ushtarake nga Aeroporti “Hamid Karzai” në Kabul të Afganistanit përmes së cilave po evakuohen diplomatët dhe civilët. Pista e aeroportit të Kabulit është liruar nga njerëzit, të cilët një ditë më parë u tubuan në përpjekje për të ikur nga vendi, i cili është marrë nën kontrollin e talibanëve.

Numri i civilëve në aeroport është ulur, tha një zyrtar perëndimor i sigurisë për Reuters.

Një ditë më parë trupat amerikane u detyruan të qëllojnë për të shpërndarë turmat e njerëzve të cilët ngjiteshin në aeroplanët që po bëheshin gati të fluturojnë nga aeroporti.

Të paktën shtatë persona u vranë, thanë dëshmitarët, megjithëse nuk ishte e qartë nëse ata ishin qëlluar apo shtypur gjatë rrëmujës.

Mediat raportuan se dy persona humbën jetën pasi ranë nga pjesa e poshtme e një avioni ushtarak amerikan i cili kishte nisur fluturimin.

"Shumë njerëz që ishin këtu dje kanë shkuar në shtëpi", tha zyrtari.

Dëshmitarët kanë thënë për Reuters se ende mund të dëgjoheshin të shtëna të herëpashershme që vinin nga drejtimi i aeroportit, ndërsa rrugët në qytet dukeshin të qeta.

Forcat amerikane morën kontrollin e aeroportit të dielën (15 gusht) për të siguruar largimin e personelit dhe afganëve që kanë punuar me forcat e huaja. Në të njëjtën ditë, talibanët morën kontrollin e kryeqytetit Kabul dhe hynë në Pallatin presidencial disa orë pasi presidenti, Ashraf Ghani u largua nga vendi.

Të martën raportohet se në kryeqytetin Kabul të Afganistanit po veprojnë vetëm tri ambasada të huaja, e Rusisë, Kinës dhe Pakistanit.

Të gjitha vendet tjera kanë evakuuar personelin e ambasadave të tyre. Vendi fundit që tërhoqi stafin ishte India.

"Duke marrë parasysh rrethanat është vendosur që ambasadori ynë në Kabul dhe stafi i tij të zhvendosen menjëherë në Indi", tha në Twitter më 17 gusht, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme indiane, Arimdam Bagchi.

Rusia ka thënë se do të evakuojë vetëm pjesërisht stafin e saj të ambasadës.

Ambasadori i saj, Dmitry Zhirnov do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e talibanëve më 17 gusht për të diskutuar sa i takon sigurisë së qytetarëve rusë dhe personelin e ambasadës.

Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se operacioni i largimit të personelit amerikan dhe punëtorëve afganë është duke vazhduar dhe se iu kanë dërguar mesazh talibanëve që nëse e pengojnë këtë operacion, do të përballen me përgjigje të shpejtë dhe të ashpër.

Pavarësisht skenave kaotike në aeroport dhe situatës së përgjithshme në Afganistan, presidenti Biden mbrojti vendimin e tij për tërheqje nga ky vend duke thënë se “misioni asnjëherë nuk ka pasur për qëllim shtet-ndërtimin”.

"Amerikanët nuk mund dhe nuk duhet të vdesin dhe të luftojnë në një luftë që afganët nuk janë të gatshëm të luftojnë për veten e tyre", tha presidenti Biden në një fjalim drejtuar kombit.

Talibanët shpallin amnisti

Ndërkohë përfaqësuesit talibanë kanë shpallur një "amnisti" të përgjithshme për të gjithë zyrtarët qeveritarë dhe u kanë bërë thirrje atyre të kthehen në punë “me besim të plotë”, raporton AFP.

Duke folur në televizionin shtetëror afgan, të cilin tani e kontrollojnë militantët, një anëtar i administratës talibane, gjithashtu u bëri thirrje grave të bashkohen me qeverinë, raportoi The Associated Press.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së më 16 gusht bëri thirrje për bisedime për krijimin e një qeverie të re në Afganistan, pasi Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres paralajmëroi për kufizime të të drejtave të njeriut në veçanti ndaj grave dhe vajzave.

Realitet i ri: Afganistani në duart e talibanëve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:25 0:00

Në vitet 1996-2001 kur Afganistani sundohej nga talibanët, gratë nuk lejohej të punonin, ndërsa vajzat nuk lejoheshin të ndiqnin shkollën. Gratë duhej të mbulonin fytyrat dhe të shoqëroheshin nga një i afërm mashkull nëse donin të dilnin nga shtëpitë e tyre.

Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Qeveria ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG