Ndërlidhjet

Dhoma e Posaçme "në pauzë" njëvjeçare


Ilustrim
Ilustrim

Rreth 21 mijë lëndë të papërfunduara janë grumbulluar në sirtarët e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila për një vit nuk arriti të marrë vendime në lidhje me rastet në shqyrtim.

Gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë vazhdojnë të thumbohen, qoftë nga diplomatët perëndimorë apo shoqëria civile, për shkak të, siç thuhet, punës së ngadalshme dhe zvarritjes së lëndëve. Me kritika ndaj punës së tyre shprehen edhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Paga e një gjyqtari në Gjykatën Supreme është nga 2,200 deri në 2,300 euro.

Por, ata nuk po arrijnë të kryejnë punët me të cilat janë të ngarkuar, deklarojnë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Kosovë që monitorojnë punën e mekanizmave të sistemit të drejtësisë.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se rezultatet e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk përkojnë fare me pagat që ata marrin dhe statusin të cilin e gëzojnë në shoqërinë e Kosovës. Sipas tij, gjyqtarët nuk po arrijnë asnjëherë që t’iu përgjigjen kërkesave të shumta të qytetarëve.

"Disa norma orientuese të cilat janë të vendosura vazhdojnë t'i respektojnë saktë, por assesi nuk bëjnë përpjekje që të punojnë më shumë në mënyrë që thjesht t'u përgjigjen kërkesave të qytetarëve për drejtësi”, tha Musliu.

Në këtë drejtim edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, i ka kritikuar gjykatësit e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Ai në një postim në Tëitter shkroi se, ndonëse Ligji i vjetër për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme ua ka pamundësuar gjykatësve vendorë të vazhdojnë gjykimet pa kolegët nga EULEX-i - misioni evropian për sundim të ligjit - ata kanë mundur të punojnë në përgatitjen e lëndëve të mbetura prapa.

“Gjykatësit e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme kanë marrë paga për një vit pa marrë asnjë vendim, pasi një ligj i vjetër (tani i ndryshuar) thoshte se gjykatësit e EULEX-it duhej të ishin të ulur aty për të vazhduar gjykimet. Këta gjykatës kanë mundur të përgatisin lëndët e mbetura prapa”, ka theksuar Kosnett.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, tha për Radion Evropa e Lirë, se gjyqtarët në Dhomën e Posaçme nuk i kanë bërë punët ashtu siç do të duhej.

Peci tha se në disa takime të mbajtura me gjyqtarë përkatës, u është tërhequr vërejtja për mosangazhimin e duhur.

"Në një aspekt nuk e kanë përfillur vendimin e Këshillit Gjyqësor që është organ mbikëqyrës i gjithë gjykatave", tha Peci, duke sqaruar se vendimi i KGJK-së ka udhëzuar gjyqtarët për të anashkaluar ligjin e vjetër, i cili ende nuk ka hyrë në fuqi.

Gjykata Supreme është kompetente të vendosë: në shkallë të tretë për ankesat e lejuara me ligj, kërkesën për mjetet e jashtëzakonshme juridike kundër vendimeve të formës së prerë të gjykatave të Republikës së Kosovës siç është paraparë me ligj, revizionin kundër vendimeve të shkallës së dytë të gjykatave në çështjet kontestimore, siç është paraparë me ligj.

Po ashtu, Gjykata Supreme përcakton qëndrimet parimore dhe mendimet juridike për çështjet që kanë rëndësi për zbatimin unik të ligjeve nga gjykatat në territorin e Kosovës, lëndët e Agjencisë Kosovare të Pronave siç parashihet me ligj, në Dhomën e Posaçme, lëndët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ose të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, siç parashihet me ligj dhe çështje të tjera të parapara me ligj.

Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar Ligjin për Dhomën e Posaçme, dhe me hyrjen në fuqi të këtij ligji, dhoma do të mbikëqyret nga drejtuesit e Gjykatës Supreme.

"Deri në miratimin e ligjit të ri, Dhoma e Posaçme, sipas ligjit të vjetër e ka pasur edhe kryetarin e vet. Unë po shpresoj se edhe Këshilli Gjyqësor duhet të shikojë në drejtim të asaj se pse nuk janë respektuar vendimet e Këshillit Gjyqësor dhe ndoshta duhet të iniciohet ndonjë procedurë", tha Peci.

Për, siç thuhet, mospunën dhe efikasitetin në sistemin e drejtësisë, Betim Musliu thotë se problemi qëndron të fakti se si gjykatësit dhe prokurorët janë rekrutuar dhe emëruar në ato pozita. Po ashtu, ai thotë se mënyra se si ata janë avancuar i bën ata argat të devotshëm të politikës dhe grupeve të caktuara të interesit.

"Mungesa e mekanizmave të llogaridhënës i ka bërë si gjykatësit, si prokurorët, aq të pushtetshëm sa që mos t'i japin llogari askujt. Prandaj, edhe sot i zgjidhin aq lëndë sa vetëm obligohen që t'i zgjidhin në bazë të normës orientuese, por përkushtimi i tyre që duhet të përkojë me integritetin e lartë personal e profesional nuk është dëshmuar dhe nuk po dëshmohet”, tha Musliu.

Aktualisht gjykatat në Kosovë po ballafaqohen me numër të madh të lëndëve të pazgjidhura si dhe me numër jo të mjaftueshëm të gjyqtarëve. Ky problem nuk ka arritur të sanohet ndër vite, pavarësisht faktit se në raportet e Komisionit Evropian dhe organizatave vendore, gjithmonë është potencuar si çështje rënduese, krahas problemit tjetër që ka të bëjë me mungesën e pavarësimit të gjyqësorit nga ndikimi politik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG