Ndërlidhjet

“Realiteti më ra fytyrës shpejt”: Sfidat e rritjes së një biznesi nga zeroja


Krenar Roka.
Krenar Roka.

Nga 25 dollarë, sa i kanë pasur Krenari me shokët në bankë, më 2018, tani numërojnë miliona.

Por, jetësimi i ëndrrës nuk ka qenë fare i lehtë.

“Në mungesë të parave, kemi ngrënë çdo ditë makarona dhe oriz, kjo më kujtohet shumë mirë. Gjatë një kohe kemi dalë edhe nëpër rrugë, çdo të mërkurë në mbrëmje, për të parë nëse ka diçka që njerëzit dëshirojnë ta largojnë nga shtëpia, por që për ne ka pasur një vlerë të caktuar”.

Krenar Roka, është nisur drejt Shteteve të Bashkuara qysh në moshën 17-vjeçare, për studime.

Tani, 29-vjeç, Krenari bashkudhëheq kompaninë Rubik, e cila është e specializuar në fushën e patundshmërisë dhe selinë e ka në Nju Jork.

podkastin Të flasim të Radios Evropa e Lirë, Krenari ka treguar më shumë për ëndrrën amerikane, si realizohet dhe cilat janë sfidat në mes?

Aktualisht ai jetën e bën Prishtinës dhe Nju Jorkut.

Dëgjojeni podkastin e plotë edhe në Spotify, Google Podcast dhe iTunes.

Nga 25 dollarë në miliona: Si e realizoi Krenari ëndrrën amerikane?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:20:38 0:00

Radio Evropa e Lirë: Krenar, të kthehemi mbrapa në kohë, të na tregoni se si e morët vendimit të shkoni në Shtetet e Bashkuara, prej Kosovës?

Krenar Roka: Pak a shumë e kam pasur ëndërr gjithmonë, për shkak të një shembulli që e kam pasur në familje, Beharin, djalin e hallës sime, ai është nisur drejt SHBA-së kur unë kam qenë i vogël. Ai ka studiuar në Universitetin Columbia dhe kam dëgjuar vazhdimisht për sukseset e tij, andaj kam dëshiruar që edhe unë t’i përjetoj ato eksperienca që ai i ka kaluar atje. Behari ka qenë një shtysë e madhe për mua, por edhe dëshira që të marrë dije më shumë.

Radio Evropa e Lirë: Ndoshta edhe shumë të rinj tjerë të Kosovës dëshirojnë të shkojnë në SHBA, por a na tregoni cilët kanë qenë hapat që ju çuan juve atje?

Krenar Roka: Thënë të drejtën, unë si fëmijë, sa kam qenë edhe në Kosovë, kam qenë tejet i fokusuar pas mësimeve. Gjatë gjithë kohës kam mësuar në mënyrë sistematike dhe mendoj që ajo ka qenë kyçe që të arrij të shkollohem në Amerikë. Atje, përveç notave, duhet të bëni edhe aktivitete jashtëshkollore. Unë jam marrë me piano, futboll dhe mendoj që të gjitha këto kanë kontribuuar nga pak. Në fund e kam pasur edhe strategjinë se cilat shkolla dëshiroj t’i targetoj, dhe kjo më ka ndihmuar që të jem më i fokusuar dhe që t’ia arrij qëllimit.

Radio Evropa e Lirë: Si shkuat ju atje, me bursë apo vetëfinancim?

Krenar Roka: Ka qenë kombinim.

“Realiteti më ra fytyrës shpejt”

Radio Evropa e Lirë: A na flisni për përjetimet e para kur keni shkuar në SHBA, për sfidat e para atje?

Krenar Roka: Më kujtohet që kur kam shkuar atje e kam pasur një lloj krenarie, por realiteti më pati rënë fytyrës shumë shpejt. Kam menduar që e di gjuhën dhe mund të komunikoj, por kur kam pasur kontakt ditor me njerëz të racave të ndryshme, me thekse të ndryshme, dhe kam pasur detyrë të shkruaj ese të gjata, e kam parë që nuk jam aq i mirë sa kam menduar, dhe prej asaj kohe e kam marrë veten dhe kam nisur të angazhohem me shumë. Kjo ka qenë sfidë akademike, dhe më pas sfidë tjerë ambientimi me njerëz të kulturave të ndryshme.

Radio Evropa e Lirë: Si e vazhduat ju më pas rrugëtimin tuaj?

Krenar Roka: Në Nju Meksiko kam qëndruar dy vjet, atje e kam përfunduar shkollën e mesme. Më pas kam shkuar në një kolegj privat në Mein, me bursë të plotë. Kam studiuar për ekonomi dhe matematikë. Gjatë fakultetit unë i takova dy miq shumë të mirë, Amarin nga Bosnje-Hercegovina dhe Tomason nga Italia. Të dy kanë studiuar matematikë në kolegjin ku jam shkolluar edhe unë. Ne e zhvilluam një shoqëri të mirë dhe e nisëm një biznes në muajin e parë të studimeve. Biznesi ynë i parë ka qenë një dyqan online, sepse zona ku kemi jetuar ne ka qenë pak a shumë e izoluar dhe ka qenë e vështirë që të furnizohemi me ushqime dhe gjëra tjera për përditshmëri. Prandaj ne e hapëm kompaninë, i mbledhnim porositë dhe shkonim i kryenim blerjet për të gjithë dhe i shpërndanim gjërat nëpër dhoma.

Kompania nuk ka pasur edhe aq sukses, por ka qenë një mësim i mirë për të hyrë në lojën e biznesit, dhe për t’i njohur më mirë partnerët – Amarin dhe Tomason. Rrjedhimisht ne vazhduam bashkëpunimin, dhe pas universitetit e vlerësuam se ja vlen që të shkojmë në Nju Jork dhe ta hapim një kompani tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Dhe më pas, si vazhdoi?

Krenar Roka: Është histori e çmendur. Ne kemi shkuar në Nju Jork pa asnjë lidhje dhe me shumë pak kapital, mund të them vetëm me nja 1.000 dollarë secili në bankë. Kemi pasur shumë sfida. Ne – bashkë me Omarin dhe Tomason - kemi jetuar në një apartament goxha të vjetër dhe me kushte jo shumë të mira. Për një periudhë njëvjeçare, në mungesë të parave, kemi ngrënë çdo ditë makarona dhe oriz, kjo më kujtohet shumë mirë. Gjatë një kohe kemi dalë edhe nëpër rrugë, çdo të mërkurë në mbrëmje, për të parë nëse ka diçka që njerëzit dëshirojnë ta largojnë nga shtëpia, por që për ne ka pasur një vlerë të caktuar. Më kujtohet që kemi gjetur printerë, që më pas i kemi shitur online dhe pak e shumë kemi marrë para për ta vazhduar mbijetesën.

Radio Evropa e Lirë: Përgjatë kësaj periudhe, jo shumë të lehtë që e keni përjetuar, a punonit në anën tjetër vazhdimisht në zhvillim të biznesit, si shkonte dita?

Krenar Roka: Po, prej mëngjesit deri në mbrëmje vetëm me këtë punë jemi marrë. Kryesisht kemi ndërtuar produkte të softuerit për audienca të ndryshme. Pak a shumë, ideja ynë ka qenë që ta identifikojmë një problem që ja vlen ta zgjidhim dhe ashtu ta hapim edhe kompaninë. Ne në vitin e parë kemi ndërtuar produkte që askujt nuk i kanë interesuar dhe aty e kam marrë një mësim shumë të vlefshëm: në biznes duhet të krijosh diçka që ofron vlerë për dikë, që i ofron dikujt zgjidhje për problemin që e ka. Pavarësisht sa të pasionuar kemi qenë ne për produktet që i kemi krijuar, kur kemi dalë në teren dhe e kemi parë që askujt nuk i ka interesuar që ta shohë apo të paguajë për produktin, e kemi kuptuar në çfarë pozite jemi si bashkëthemelues të një biznesi. Dhe kjo, besoj unë, që është rrugë nëpër të cilën duhet të kalojë secili që hap biznes.

Duhet ta kesh parasysh që nuk do t’ia qëllosh me të parën, por ideja është që të mësosh sa më shpejt, për të arritur deri te identifikimi i një problemi, që ja vlen të zgjidhet.

Radio Evropa e Lirë: Si nisët të dilni në fitim, pas gjithë atyre përjetimeve?

Krenar Roka: Ne gjithmonë kemi qenë në minus, pak a shumë, por duke ndërtuar produkte të ndryshme i kemi kuptuar edhe kërkesat. Ne jemi të fokusuar në patundshmëri. Duke prezantuar projekte, i kemi siguruar edhe investimet e para në kompani. Investimin e parë e kemi marrë në vitin 2018 prej një kompanie që investon në kompani të teknologjisë. Më kujtohet që kur i kemi marrë 100.000 dollarë, i kemi pasur vetëm 25 dollarë në bankë. Ka qenë eksperiencë e papërshkrueshme.

Por, në të njëjtën kohë, duke e ditur nëpër çfarë kemi kaluar, mendoj që kemi qenë me këmbë në botë, edhe pasi që e kemi siguruar atë investim. E patëm vazhduar mënyrën e njëjtë të jetesës. Më kujtohet që edhe pasi i kemi marrë 100.000 dollarë, kemi vazhduar të shkojmë në Mc Donalds, dhe porositnim hamburgerë. Te pijet, e merrnin vetëm një gotë, e mbushnin disa herë dhe e shfrytëzonim edhe për herët tjera. Kemi tentuar ta ruajmë mentalitetin e mbijetesës, edhe pse kemi marrë sinjale që jemi në kohën e duhur, dhe i kemi marrë disa investime ndërkohë. Më pas kemi marrë investime tjera në vlerë të 5 milionë dollarëve. Më pas unë kam ardhur në Kosovë, e kam hapur një zyrë këtu me një ekip që zhvillon softuerë. Bashkëthemeluesit janë në Nju Jork dhe kështu e zhvillojmë kompaninë.

Radio Evropa e Lirë: Krenar, ju i përmendet sfidat që i keni pasur, por çfarë duhet të dijë një i ri/ e re, që dëshiron shumë ta përjetojë ëndrrën amerikane, megjithatë frikësohet? Ju na treguat që edhe pse ka qenë e vështirë, ju ja keni dalë.

Krenar Roka: Nga ana akademike, besoj që vazhdimësia është kyçe në shkollim, nevoja që të përmirësoheni, të mos kufizoheni vetëm në dijen që ta ofron shkolla, por të interesoheni për shkencë, kulturë, art, histori, të tentoni të udhëtoni, të keni kontakt me njerëz të kulturave tjera. Mundësitë janë, vetëm duhet ta dini pse dëshironi të shkoni atje, çfarë dëshironi të arrini dhe ta keni një strategji si t’ia arrini qëllimit.

Për njerëzit e rinj që dëshirojnë të futen në ndërmarrësi, të hapin organizata, korporata, apo të ngjashme, do t’ua sugjeroja disa gjëra:

  • Të jeni të pasionuar pas problemit, dhe jo pas zgjidhjes së problemit. Po flas nga përvoja ime dhe ajo që kam parë nga të tjerët. Njerëzit nisen me një ide dhe jo me një problem. Kjo është shumë e rëndësishme. Të fokusoheni shumë te problemi që dëshironi ta zgjidhni dhe kur ta kuptoni problemin mirë, edhe zgjidhja rrjedh në mënyrë natyrale.
  • Vetëm nuk mund të arrini asgjë. Sa më i madh synimi, aq më shumë përkrahje të nevojitet. Fillestare është pjesa e partnerit në biznes. Do t’ia rekomandoja secilit që në hapje të biznesit t’i gjejë një apo dy bashkëthemelues, pasi rrugëtimi në ndërtim të kompanisë është shumë i gjatë, me shumë sfida, dhe është mirë që t’i kesh afër vetes njerëz që kanë bindje të njëjta sikurse ti, vlera të njëjta dhe e kanë dëshirën e njëjtë për të arritur qëllim të përbashkët. Por, të rëndësishëm janë edhe ekipi dhe investitorët.
  • Të mos jeni emocionalisht të lidhur me produktin që e keni ndërtuar, pasi produkti do të ndryshojë vazhdimisht dhe asnjëherë nuk mund t’ia qëllosh me të parën.
  • Mos u dorëzoni kurrë.
  • Durimi është shumë i rëndësishëm. Ne si popull, por edhe si individë në këtë pjesë të botës, mendoj që kemi mungesë durimi. Gjërat e mëdha arrihen dalëngadalë, dhe duhet kohë që ta shohësh idenë tënde duke u manifestuar në realitetin ku jetoni.

“Koha është më e vlefshme sesa paraja”

Radio Evropa e Lirë: Nëse do të mund të ktheheshe mbrapa në kohë, çfarë do të bënit ndryshe?

Krenar Roka: Nuk e di, shumë gabime, shumë mësime kanë ndodhur, por diçka që kam kuptuar është që koha është më e vlefshme se paraja. Dikush dikur më pati thënë: Tento gabimet t’i blesh me para, jo me kohë, sepse ndonjëherë kalon gjashtë muaj, një vit, duke ndërtuar gjëra të gabuara, dhe jo çdo problem ja vlen të zgjidhet.

Radio Evropa e Lirë: Në çka shihni më së shumti perspektivë në Kosovë?

Krenar Roka: Mendoj që si popull e kuptojmë idenë e të bërit biznes. Nuk e mendojmë shumë një problem, por e kemi qasjen që futemi në të dhe tentojmë ta zgjidhim. Unë e shoh këtë si shumë pozitive, aftësinë për të marrë rreziqe dhe për të provuar gjëra të reja. Por në të njëjtën kohë, mendoj që nuk është shumë e rafinuar kjo mënyra e të bërit biznes dhe e bashkëpunimit në ekip. Të rinjtë i shoh si një makinë që ka potencial, por në të njëjtën kohë, të rinjtë kanë edhe shumë punë për të bërë, për të arritur potencialin maksimal që e kanë.

XS
SM
MD
LG