Ndërlidhjet

Si mund ta dëmtojë aktakuza kompaninë e Trumpit?


SHBA: Ish-Presidenti amerikan Donald Trump, bashkë me vajzën e tij Ivanka, dy djemtë, Donald Junior dhe Eric si dhe Allen Weisselberg, zyrtari kryesor i financave në kompaninë Trump. (Foto ilustruese)
SHBA: Ish-Presidenti amerikan Donald Trump, bashkë me vajzën e tij Ivanka, dy djemtë, Donald Junior dhe Eric si dhe Allen Weisselberg, zyrtari kryesor i financave në kompaninë Trump. (Foto ilustruese)

Akuzat për mashtrim me taksat të ngritura kundër kompanisë së Donald Trumpit të enjten, janë një goditje për biznesin tashmë veç të tronditur nga marrëveshjet e anuluara, pas kryengritjes në Kapitol të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga ndikimi i pandemisë së koronavirusit në hotele dhe klube.

Aktakuza mund ta bëjë më të vështirë për Trumpin që të arrijë marrëveshje të reja, për të marrë kredi të reja bankare dhe për të sjellë para të reja në biznesin e tij të mbytur në borxhe, raporton Associated Press.

Vetë ish-presidenti nuk u akuzua nga prokurorët, por hetimet po vazhdojnë.

Këtu keni një vështrim mbi kompaninë dhe sfidat me të cilat po përballet tani:

Çfarë është organizata Trump?

Kompania është një entitet biznesi që përfshin qindra firma dhe partneritete, të cilat zotërojnë ose administrojnë godina zyrash, hotele, kulla banimi, klube golfi, të drejta markash, marrëveshje licencimi dhe asete të tjera në të gjithë botën.

Këto biznese të ndryshme, ndajnë stafet e tyre me Organizatën Trump, duke përfshirë edhe dy djemtë e rritur të Trumpit, Donald Junior dhe Ericu, të dy këta nënkryetarë ekzekutivë, si dhe Allen Weisselberg, zyrtari kryesor i financave që është paditur.

Cilat janë pretendimet?

Një aktakuzë e jurisë së madhe, e akuzoi Organizatën Trump për komplot, për të ndihmuar drejtuesit e lartë që të mashtrojnë për taksat e tyre, duke mos raportuar kompensimet, sikur shfrytëzimet falas të apartamenteve dhe makinave, pagesa të shkollimit ose rimbursim për shpenzime personale.

Kompania u deklarua e pafajshme, sikurse edhe vetë Weisselberg, një nga punonjësit më besnikë dhe më jetëgjatë të Trumpit.

Kompania thotë se as ajo dhe as Weisselberg, nuk kanë bërë asgjë të keqe teksa kanë pretenduar që akuzat ndaj tyre janë të motivuara politikisht.

Weisselberg, po akuzohet gjithashtu se ka mashtruar me taksat e tij, duke mashtruar sikur vendbanimi i tij me kohë të plotë ishte në qytetin e Nju Jorkut, ku ai ishte subjekt i taksës në të ardhura.

Cili është roli aktual i Trumpit në kompani?

Trumpi dha dorëheqje nga të gjitha pozicionet që kishte mbajtur në qindra njësi të Organizatës Trump, në mbi 20 vende të ndryshme, përpara se të betohej si president katër vjet më parë.

Kjo ishte përpjekje e tij për të zbutur frikën, se ai do të shfrytëzonte presidencën për të ndihmuar biznesin e tij. Në atë kohë, ai fitoi besimin për të mbajtur pasuritë e tij dhe u dorëzoi kontrollin e përditshëm dy djemve të tij të rritur dhe Weisselbergut.

Por Trumpi mbeti pronari i vetëm ose pronari kryesor i atyre qindra bizneseve dhe mund të merrte fitime prej tyre në çdo kohë. Kohët e fundit, ai është kthyer në zyrat e tij të vjetra në Trump Tower, në Fifth Avenue, por nuk është e qartë se sa ai ka marrë rolin e tij të mëparshëm, duke mbikëqyrur veprimtaritë.

A do t’ia dëmtojnë akuzat kompanisë aftësinë e të bërit biznes?

Nëse Organizata Trump dënohet, asaj do t’i duhet të paguajë një gjobë sa dyfishi i shumës së taksave të papaguara, ose 250,000 dollarë, gjithashtu, kompanisë mund t’i duhet ta ndryshojë mënyrën e funksionimit të saj.

Por edhe nëse nuk dënohet, edhe vetëm aktakuza mund të paraqesë probleme.

“Kompanitë që po paditen, qofshin ato private apo publike, të mëdha apo të vogla, përballen me pasoja të rënda”, tha Daniel Horwitz, një avokat mbrojtës i jakave të bardha në McLaughlin dhe Stern, si dhe ish-prokuror në zyrën e avokatit të rrethit në Manhattan.

“Kompanitë në industrinë e shërbimeve financiare, hezitojnë të bëjnë biznes me ta”, tha Horwitz. “Qasja e tyre në kapital është e kufizuar ose është e ndërprerë, siç është aftësia e tyre për të vendosur asetet e tyre likuide pranë bankave dhe parave të gatshme”.

Çfarë ka ndodhur me kompanitë e tjera që janë akuzuar penalisht?

Firma gjigande e kontabilitetit Arthur Andersen, filloi të humbasë biznesin e auditimit pasi u ngritën kallëzime penale ndaj saj, në lidhje me punën e bërë në Enron, që në fund iu desh të pushonte nga puna dhjetëra mijëra punëtorë. Në vitin 2005, Gjykata e Lartë i përmbysi bllokadat e vëna nga dënimi i saj, por ishte tepër vonë dhe firma u shemb.

Kompanitë e tjera të goditura rëndë nga akuzat penale, përfshijnë gjigantin e bonove të pavlefshme të viteve 1980-të, Drexel Burnham Lambert, fondi dikur masiv mbrojtës SAC Capital dhe kompania e naftës BP, e cila u desh të paguante miliarda për shkak të akuzave penale për rolin e saj në një shpërthim të një shpimi nafte në Gjirin e Meksikës.

Sa janë gjasat për tu goditur Kompania Trump?

Organizata Trump mund ta ketë më të vështirë të arrijë marrëveshje për të vendosur emrin Trump në ndërtesa apo produkte, për të tërhequr turne në kurset e saj të golfit si dhe për të marrë para hua.

Ajo mund të jetë në gjendje të përballojë goditjet. Ishte një kompani e madhe, por veprimet e saj janë të thjeshta dhe prapa skenave: ajo drejton klube golfi dhe hotele, mbledh çeqe nga ndërmarrjet që i zënë zyrat që janë në zotërim të saj si dhe operon me tarifa të licencimit për ndërtesat duke përdorur emrin e saj.

Megjithëse disa kompani janë shembur pas aktakuzave penale, të tjerët kanë mbijetuar ose madje edhe kanë lulëzuar, përfshirë Bank of America, e cila u dënua për praktika të pamatura të huazimit të hipotekave. Të tjerët që morën ato që quhen akuza penale të shtyra, janë bërë mirë më pas, duke përfshirë gjigantin e barërave Bristol-Myers Squibb, i cili u akuzua për mashtrim kontabilar dhe JPMorgan Chase & Co., i cili u kap në lidhje me mashtrimin masiv të Bernard Madoff.

Aksionet në këto tri kompani janë në kulmet e tyre më të larta të të gjitha kohërave.

Cilat janë planet e ardhshme të biznesit të ish-presidentit?

Ai nuk ka folur, por atje janë vënë re disa lëvizje të dukshme.

Ekspertët e markave, thonë se kompania ende mund të përdorë famën e Trumpit për të arritur marrëveshje licencimi në të gjithë botën. Në vitet e suksesit të tij rreth televizionit, “The Apprentice”, Trumpi kishte bërë marrëveshje për të vendosur emrat e tij në kostume, kollare, biftekë dhe kulla banimi në Llas Vegas, Çikago dhe Nju Jork.

Marka Trump është dëmtuar nga retorika dhe qëndrimet e tij përçarëse. Është e paqartë se sa e suksesshme, do të dëshmohet një përpjekje e re licencimi.

Ndërsa ishte në zyrën e Presidentit, hotelet dhe kullat e banimit në disa qytete ia hoqën emrin ndërtesave të tyre. Kompania e tij duhej të hiqte planet për zinxhirët e rinj të hoteleve, për shkak të mungesës së interesit nga partnerët e mundshëm.

Më e dëmshme nga të gjitha, ishin akuzat që Trumpi nxiti rrethimin e përgjakshëm të Kapitolit në muajin janar. Ndërmjetësuesit e pasurive të patundshme, huadhënësit dhe bizneset e tjera, i ndërprenë lidhjet me kompaninë menjëherë pas kësaj.

Associated Press raportoi në fillim të këtij viti, se çmimet e qirave në shumë ndërtesa që kanë licencuar përdorimin e emrit të tij, kanë rënë ndjeshëm, me ndërmjetësit që thonë se disa blerës të mundshëm, nuk pranojnë as të shikojnë apartamente në ndërtesa me emrin e Trumpit mbi derë.

Përgatiti: Durim Abdullahu

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG