Ndërlidhjet

Si e ka penguar lufta dërgimin e ndihmës në Siri


Një fëmijë i strehuar në tendë në Alepo të Sirisë, pas tërmetit shkatërrues të 6 shkurtit në Siri dhe Turqi.
Një fëmijë i strehuar në tendë në Alepo të Sirisë, pas tërmetit shkatërrues të 6 shkurtit në Siri dhe Turqi.

REUTERS

Mijëra njerëz janë vrarë në Siri, si pasojë e një tërmeti që ka goditur rajonin kufitar me Turqinë, më 6 shkurt.

Megjithatë, pak ndihmë u është ofruar banorëve në zonat më të prekura.

Përpjekjet për kërkim – shpëtim janë penguar nga një luftë civile që e ka ndarë shtetin dhe ka krijuar ndasi në mes të fuqive rajonale dhe botërore.

Çfarë ndikimi ka pasur lufta civile në Siri?

Pas 12 vjetësh të konfliktit, Siria tani është e copëtuar.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, i përkrahur nga Rusia dhe Irani, ka rikthyer kontrollin në pjesën më të madhe të shtetit, mirëpo grupet opozitare dhe luftëtarët e përkrahur nga Turqia kontrollojnë rajonin veriperëndimor.

Kombet e Bashkuara besojnë se katër milionë njerëz kanë pasur nevojë për ndihma në këtë rajon, edhe para tërmetit.

Veriperëndimi i Sirisë, që kontrollohet nga rebelët, është zona e prekur më së keqi nga tërmeti 7.8 shkallësh i Rihterit, ndonëse edhe rajonet tjera të kontrolluara nga Qeveria janë përballur me viktima dhe dëme të mëdha.

Si mund të dërgohen ndihma në Siri?

Qeveria e Asadit ka thënë se shtetet e huaja duhet të respektojnë sovranitetin e Sirisë dhe ndihma për secilën pjesë të shtetit duhet të hyjë përmes territorit që e kontrollon Qeveria.

Në praktikë, ndihma për pjesën veriperëndimore, të kontrolluar nga rebelët, është dërguar me vite nga kufiri me Turqinë, mirëpo për këtë proces nevojitet një miratim i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara çdo gjashtë muaj.

Rusia, anëtare e këtij këshilli që e ka të drejtën e vetos dhe mbështet Qeverinë në Damask, e ka miratuar vetëm hapjen e një kanali të ndihmës nga Turqia, mirëpo ka thënë se ndihma e OKB-së duhet të kanalizohet përmes Damaskut dhe më pas në vijat e frontit.

Shefi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihma, Martin Griffiths, i cili e ka vizituar të hënën Sirinë, është duke lobuar në OKB për të hapur korridore tjera të ndihmës nga Turqia, për të ndihmuar në situatën e krijuar pas tërmetit.

A mund të depërtojë ndihma në vijat e frontit brenda Sirisë?

Disa përpjekje për të dërguar ndihmë humanitare në vijat e frontit në Siri – prej kur ka ndodhur tërmeti – kanë treguar sa i vështirë është ky proces.

Një konvoj i nisur nga zona verilindore – e kontrolluar nga kurdët – për në veriperëndim, të kontrolluar nga fraksionet rebele turke, është kthyer mbrapsht të enjten.

Këto dy grupe janë armike me njëra-tjetrën dhe kanë luftuar disa herë përgjatë luftës civile.

Burime nga të dyja anët e kanë fajësuar njëra-tjetrën për mosdepërtim të ndihmës dhe politizim të saj.

Skena tragjike pas tërmeteve në Turqi dhe në Siri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:38 0:00

Të dielën, një zëdhënës i OKB-së ka thënë se ndihma e dërguar nga zonat e kontrolluara prej Qeverisë, për në zonat e tërmetit, është duke u penguar nga disa “faza të miratimit”.

Një burim brenda grupit, Hayat Tahrir al-Sham – organizatë islamiste sunite e përfshirë në luftën civile – ka thënë se nuk do të lejojë dërgimin e ndihmave në zonat qeveritare.

Kush është duke dërguar ndihmë?

Shtetet perëndimore kanë tentuar ta izolojnë Assadin prej shpërthimit të konfliktit, pasi atë e fajësojnë për shtypjen e përgjakshme të protestave më 2011.

Ato e kanë sanksionuar Damaskun dhe i kanë ofruar shumë pak ndihmë direkte, ndonëse kanë thënë se sanksionet ekonomike nuk e prekin sektorin e ndihmave dhe se ende ka donacione të shumta brenda OKB-së, në të cilat ka qasje Damasku.

Prej shpërthimit të tërmetit, mediat shtetërore siriane kanë thënë që më shumë se 50 aeroplanë kanë dërguar ndihma nga shtetet arabe dhe aziatike në aeroportet që kontrollon Qeveria.

Në këto zona është thënë të ketë arritur të dielën edhe ndihma mjekësore italiane, njëherësh ndihma e parë e dërguar në Siri pas tërmetit në zonat e kontrolluara nga Qeveria.

Ndikim në ndihmën e drejtpërdrejtë perëndimore në veriperëndim ka pasur edhe forcimi i grupeve të linjës së ashpër, andaj ndihma kufitare është vonuar me raste edhe tri ditë.

Procesi i dërgimit të ndihmave më pas ka rinisur të enjten dhe aty janë përfshirë ushqime, pajisje mjekësore dhe strehim – por jo edhe ekskavatorët dhe pajisjet tjera që ekipeve të kërkim-shpëtimit u duhen aq shumë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG