Ndërlidhjet

Afër gjysmë milioni viktima në luftën e Sirisë


Ndërtesa të shkatërruara në Homs, Siri. Foto nga arkivi.
Ndërtesa të shkatërruara në Homs, Siri. Foto nga arkivi.

Gjatë një dekade të luftës në Siri janë vrarë rreth gjysmë milioni njerëz, tha Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Britani të Madhe. Shifra përfshin edhe 100.000 vdekje të konfirmuara gjatë periudhës së fundit.

Sipas organizatës që nga viti 2011 deri më tani janë regjistruar 494.438 viktima.

"Shumica e këtyre vdekjeve ndodhën midis fundit të 2012-s dhe nëntorit 2015-s", i tha AFP-së, kreu i organizatës, Rami Abdel Rahman.

Organizata përfshiu në të dhënat e fundit një total prej të paktën 57.567 vdekje të ndodhura në burgjet qeveritare dhe qendrat e paraburgimit që nga viti 2011.

Në konflikt janë vrarë 68.393 xhihadistë, shumica anëtarë të grupit Shteti Islamik ose të organizatave të lidhura me Al-Kaidën, si dhe 79,844 rebelë të tjerë.

Konflikti shpërtheu më 2011 pas ndërhyrjes së dhunshme të forcave të sigurisë ndaj protestuesve anti-qeveritarë.

Në konfliktin në Siri, Rusia dhe Irani kanë mbështetur qeverinë e presidentit Bashar al Assad, ndërkaq, Shtetet e Bashkuara mbështetën grupe të ndryshme rebele.

Grupi militant, Shteti Islamik po ashtu ishte i përfshirë në luftën në Siri, por që të gjitha palët e tjera të përfshira në konflikt, e luftuan atë dhe arritën që ta largojnë nga bastionet që kishte brenda territorit sirian. Megjithatë, disa ekstremistë vazhdojnë të mbajnë nën kontroll disa pjesë në provincën veriperëndimore të Idlibit.

Më 27 maj diktatori sirian Bashar al-Assad u shpall fitues me 95 për qind të votave dhe rrjedhimisht një mandat të katërt shtatë-vjeçar si president i vendit të shkatërruar nga lufta.

Këto ishin zgjedhjet e dyta presidenciale që kur filloi konflikti 10 vjet më parë.

Opozita dhe vendet perëndimore i kanë quajtur mashtrim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG