Ndërlidhjet

Si devijoi Gjeorgjia nga Perëndimi?


Një demonstruese e veshur me flamurin e Gjeorgjisë dhe atë të Bashkimit Evropian, duke qëndruar para pjesëtarëve të policisë, që po bllokonin rrugën drejt ndërtesës së Parlamentit në Tbilisi, në maj.
Një demonstruese e veshur me flamurin e Gjeorgjisë dhe atë të Bashkimit Evropian, duke qëndruar para pjesëtarëve të policisë, që po bllokonin rrugën drejt ndërtesës së Parlamentit në Tbilisi, në maj.

Gjatë gjithë partneritetit të Gjeorgjisë me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, që ka zgjatur me dekada, partnerët perëndimorë të këtij vendi të Kaukazit, zakonisht, nuk kanë pasur favoritë në politikën e brendshme të tij.

Por, pas kthesës së fundit të partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, drejt një retorike anti-perëndimore dhe një praktike autoritare, ka sinjale gjithnjë e më të fuqishme nga partnerët perëndimorë të Gjeorgjisë, se ata do të preferonin që partia të mos votohet në zgjedhjet parlamentare të tetorit.

Sinjalet janë jodirekte dhe zyrtarët perëndimorë këmbëngulin se vendimin duhet ta marrin votuesit gjeorgjianë.

Por, për shumë në Gjeorgji, mesazhet nga SHBA-ja dhe Evropa gjatë javëve të fundit kanë qenë të dukshme.

Partnerët ndërkombëtarë të Gjeorgjisë e kanë ashpërsuar qasjen e tyre që nga miratimi i një ligji të diskutueshëm për “agjentët e huaj”, i cili imponon kontrolle të rrepta mbi mediat e financuara nga jashtë dhe OJQ-të që marrin më shumë se 20 për qind të financave të tyre nga jashtë.

Rusia ka përdorur të njëjtin emërtim për një ligj të vetin, për të shtypur opozitën dhe median e pavarur.

Ambasadori i BE-së në Gjeorgji ka thënë se procesi për pranimin e Gjeorgjisë në këtë bllok, është pezulluar, si rezultat i veprimeve të Qeverisë së Ëndrrës Gjeorgjiane dhe se ai shpreson se gjeorgjianët do ta bëjnë “zgjedhjen e duhur” në zgjedhjet e ardhshme.

Bashkimi Evropian ka njoftuar zyrtarisht se synon t’i reduktojë kontaktet politike me zyrtarët e Qeverisë gjeorgjiane dhe ta rrisë bashkëpunimin me shoqërinë civile, e cila është mobilizuar për ta mposhtur Ëndrrën Gjeorgjiane në vjeshtë.

Zyrtarët e Ëndrrës Gjeorgjiane kanë reaguar me kujdes, duke thënë se këto lëvizje krijojnë përshtypjen e favorizimit.

“Kjo nuk e ndihmon Gjeorgjinë”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë Maka Botchorishvili, deputete e Ëndrrës Gjeorgjiane.

“Brendapërbrenda, kjo është një kartë në dorën e opozitës, për të thënë se gjërat me partnerët tanë strategjikë po përkeqësohen”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se është vetëm çështje “spekulimesh” se Perëndimi synon ta përforcojë opozitën në zgjedhje.

“Por, është gjithashtu fakt që po luan rol këtu në Gjeorgji. Pavarësisht se a ka qëllim ose jo, ai po e bën këtë”, ka thënë Botchorishvili.

Shumë nga aleatët e partisë në pushtet nuk kanë qenë kaq të matur.

Shtyrja e stërvitjeve ushtarake nga SHBA-ja “i shërben vetëm një qëllimi - për të bërë presion mbi elektoratin gjeorgjian, për të votuar për partitë që do të përfshiheshin verbërisht në çdo luftë që u kërkojnë patronët e tyre”, ka thënë në një intervistë televizive Sozar Subari, deputet i Pushtetit Popullor - degë e Ëndrrës Gjeorgjiane.

Sozar Subari.
Sozar Subari.

Largimi nga Perëndimi

Ëndrra Gjeorgjiane ka marrë pushtetin në vitin 2012, me premtimin se do të ruajë drejtimin perëndimor të vendit, por duke u përpjekur për të ulur edhe tensionet me Rusinë, e cila kishte pushtuar vendin katër vjet më parë.

Zyrtarë të Ëndrrës Gjeorgjiane kanë fajësuar Qeverinë e mëparshme të Mikheil Saakashvilit për provokimin e sulmit rus në vitin 2008, i cili ka çuar në shkëputjen e dy rajoneve.

Përpjekjet për t’i ulur tensionet me Rusinë kanë nxitur akuza të vazhdueshme nga opozita, se Ëndrra Gjeorgjiane është në “xhepin e Kremlinit”.

Këto akuza janë bërë më të forta pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022 dhe Gjeorgjia ka marrë një qëndrim të kujdesshëm dhe herë pas here anti-ukrainas.

Deri vonë, zyrtarët perëndimorë kanë qenë dashamirës ndaj pozitës së cenueshme të Gjeorgjisë përballë Rusisë dhe ndaj përpjekjeve të Ëndrrës Gjeorgjiane për të menaxhuar mes pasojave të luftës në Ukrainë.

BE-ja, madje, i ka dhënë Gjeorgjisë statusin e kandidatit - të lakmuar prej kohësh - në dhjetor të vitit 2023.

Por, kjo simpati, sipas shumë vlerësimeve, ka mbaruar.

Së voni, retorika e partisë është bërë më antiperëndimore dhe konspirative - ajo akuzon vazhdimisht një “parti të luftës globale” në hije, për përpjekje për ta tërhequr Gjeorgjinë në luftën e Ukrainës.

Dhe, Qeveria ka ndërmarrë hapa gjithnjë e më antidemokratikë, duke miratuar sidomos ligjin e “agjentëve të huaj”, i cili është kundërshtuar fuqishëm nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Qeveria e Ëndrrës Gjeorgjiane duket se ka vënë bast se mund ta testojë durimin e BE-së, duke bërë përparim në rrugën e pranimit në bllok dhe, njëkohësisht, duke i sfiduar kërkesat e bllokut, por kjo nuk është më një strategji e zbatueshme, ka thënë një diplomat perëndimor në Tbilisi në kushte anonimiteti.

Diplomati ka nxjerrë në dukje një deklaratë të BE-së se veprimet e Qeverisë gjeorgjiane kanë rezultuar në një “ndalim de facto të procesit të pranimit” - një lëvizje e paprecedentë për bllokun - dhe ka theksuar se kjo deklaratë është nënshkruar edhe nga Hungaria - mbrojtësja dikur e fuqishme e Gjeorgjisë në BE.

“Nëse ata janë duke luajtur bixhoz këtë herë, këtë herë nuk do të kalojë lehtë”, ka thënë diplomati. “Ligji [për “agjentët e huaj”] ka qenë pika e fundit”, sipas tij.

Vetëm një këshillë miqësore?

Çështja e përfshirjes së SHBA-së dhe Evropës në zgjedhje është e ndjeshme. Është bërë edhe më shumë e tillë tani kur diskursi i Ëndrrës Gjeorgjiane thotë se Perëndimi, me kritikat për ligjin e “agjentëve të huaj”, bën përpjekje për të ndikuar në punët e brendshme të Gjeorgjisë, qoftë nëpërmjet OJQ-ve dhe mediave të financuara nga jashtë, qoftë nëpërmjet aleatëve në opozitë.

Por, zyrtarët perëndimorë janë munduar të argumentojnë se nuk mbajnë anë.

“Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin një parti politike kundrejt një tjetre”, ka thënë nënsekretarja e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Uzra Zeya, në një intervistë për ueb-faqen e lajmeve Civil.ge.

Miratimi i ligjit të Gjeorgjisë për "agjentët e huaj" nxori mijëra protestues në rrugë këtë pranverë.
Miratimi i ligjit të Gjeorgjisë për "agjentët e huaj" nxori mijëra protestues në rrugë këtë pranverë.

“Ne, megjithatë, presim që partnerët tanë të sigurojnë një proces të vërtetë demokratik dhe konkurrues. I takon popullit gjeorgjian të vendosë”, ka shtuar ajo.

Nga vetë opozita gjeorgjiane, zyrtarët janë ankuar për kohë të gjatë për, siç kanë thënë, një qëndrim tepër të favorshëm të SHBA-së dhe BE-së ndaj Ëndrrës Gjeorgjiane dhe për shpërfilljet që kjo parti u ka bërë kryeqyteteve perëndimore.

Në zgjedhjet e fundit, në vitin 2020, ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së janë përballur me kritika të ashpra nga partitë opozitare në Gjeorgji për pranimin e legjitimitetit të votës.

Ëndrra Gjeorgjiane është rizgjedhur për herë të tretë, por opozita ka pretenduar se votimet janë dëmtuar nga mashtrimet dhe parregullsitë dhe ka protestuar në kryeqytetin Tbilisi dhe në qytete të tjera anembanë vendit.

Udhëheqësit e opozitës tani e mirëpresin qëndrimin më të ashpër nga Perëndimi dhe presin që një gjë e tillë t’i rrisë shanset e tyre në vjeshtë, ndërkohë që i hedhin poshtë akuzat se kjo përbën ndërhyrje të pahijshme.

“Është e qartë se ka një ndryshim të politikës nga SHBA-ja dhe nga Bashkimi Evropian. Liderët politikë evropianë dhe amerikanë kanë qenë të qartë se nën këtë qeveri, ata nuk shohin asnjë perspektivë të avancimit të integrimit euroatlantik të Gjeorgjisë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Tina Bokuchava, udhëheqëse e Partisë Lëvizja e Bashkuar Kombëtare, që është forca më e madhe opozitare e Gjeorgjisë.

Tina Bokuchava.
Tina Bokuchava.

“Askush prej jashtë vendit nuk i thotë askujt se për kë duhet të votojë”, ka thënë ajo.

“Ata, thjesht, janë të qartë për perspektivat që do t’i kishte vendi ynë nën këtë qeveri. Dhe, kjo është e drejtë dhe e nevojshme, sepse populli gjeorgjian nuk duhet të mashtrohet”, ka thënë Bokuchava.

“Unë nuk e vë përgjegjësinë mbi supet e miqve tanë perëndimorë. Është përgjegjësia jonë t’i ndryshojmë gjërat këtu”, ka thënë Giga Bokeria, kryetare e partisë opozitare, Gjeorgjia Evropiane.

“Por, disa politika janë të dobishme, disa jo. Dhe, një politikë e nënvlerësimit të trajektores së Gjeorgjisë, është e padobishme për demokracinë e brendshme dhe për interesat perëndimore gjithashtu”, ka thënë ajo.

Ndërsa reagimet perëndimore po bëhen duke i pasur parasysh zgjedhjet, “unë do të thosha se përgjigjja perëndimore do të ishte e ngjashme edhe nëse nuk do të kishte zgjedhje”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, është një zgjedhje që “duhet ta bëjnë gjeorgjianët”, por ata, gjithashtu, duhet të kuptojnë se vendi nuk mund të llogarisë në të njëjtin nivel mbështetjeje, nëse ka autokratizim dhe përqafim të Rusisë”.

“Ose e filloni luftën, ose e lini pushtetin”

Se çfarë efekti do të kenë veprimet evropiane dhe amerikane në zgjedhje, mbetet e paqartë.

Ëndrra Gjeorgjiane është përpjekur t’i mobilizojë votuesit me mesazhin se ajo po ngrihet për pavarësinë dhe sovranitetin e vendit kundër një opozite të kontrolluar nga një Perëndim që nuk i ka në mendje interesat më të mira të Gjeorgjisë.

Në nisjen formale të fushatës zgjedhore të partisë, më 16 korrik, themeluesi i Ëndrrës Gjeorgjiane dhe udhëheqësi de facto i saj, Bidzina Ivanishvili, ka akuzuar “partinë e luftës globale" që vepron nëpërmjet “burokracisë evropiane dhe amerikane” për promovimin e opozitës.

Ato forca “kanë vendosur ta rikthejnë në pushtet bashkimin e njerëzve pa atdhe, Lëvizjen e Bashkuar Kombëtare”, ka thënë Ivanishvili, duke përdorur epitetin e partisë për opozitën.

“Ose e filloni luftën, ose e lini pushtetin”: ky është një propozim i papranueshëm dhe populli gjeorgjian do t’i japë përgjigje të qartë më 26 tetor”, ka thënë Ivanishvili.

“Duket se [BE-ja dhe SHBA-ja] po përpiqen të ndikojnë në zgjedhjet këtu dhe kjo mund të dështojë”, ka thënë Botchorishvili e Ëndrrës Gjeorgjiane.

“Kjo nuk do ta ndihmojë opozitën dhe nuk do ta dëmtojë Ëndrrën Gjeorgjiane. Ajo që do të dëmtohet, do të jetë mënyra se si do të duken Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në Gjeorgji, para shoqërisë gjeorgjiane”, ka thënë ajo.

Por, Bokuchava e Lëvizjes së Bashkuar Kombëtare ka thënë se qëndrimi më i ashpër i Perëndimit do të ndihmojë në tërheqjen e votuesve që mund ta kenë mbështetur Ëndrrën Gjeorgjiane, por se janë të shqetësuar për marrëdhëniet e Gjeorgjisë me Perëndimin.

“Unë mendoj se kjo do të ndikojë shumë në votime”, ka thënë ajo.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG