Ndërlidhjet

Shumica e futbollisteve kthehen në kombëtaren spanjolle, pas ndërhyrjes së Qeverisë


Kombëtarja e grave e Spanjës.
Kombëtarja e grave e Spanjës.

Shumica e futbollisteve të ekipit kombëtar të grave të Spanjës janë pajtuar të kthehen në skuadër, njoftoi Qeveria e Spanjës të mërkurën, duke i dhënë fund grevës e cila nisi pasi ish-presidenti i Federatës së Futbollit, Luis Rubiales, e puthi me forcë një lojtare.

Ky njoftim vjen pas shumë orëve bisedime gjatë natës për kërkesat e futbollisteve për ndryshime shtesë në Federatën e Futbollit të Spanjës (RFEF), pasi Rubiales dha dorëheqje muajin e kaluar.

“Ne kemi arritur pajtim për një varg marrëveshjes, të cilat do të përpilohen dhe do të nënshkruhen nesër” mes RFEF-së dhe Qeverisë së Spanjës, njoftoi Victor Francos, sekretari i Shtetit për Sport, i cili shtoi se dy prej 23 futbollisteve të thirrura në skuadër nuk deshën të vinin.

Dyshja që u largua përfundimisht, Mapi Leon dhe Patri Guijarro, ishin në mesin e 15 futbollisteve të cilat u futën në grevë para Kupës së Botës për të protestuar kundër metodave të trajnerit të atëhershëm, Jorde Vilda, dhe kundër çështjeve të tjera brenda federatës.

Asnjëra nuk luajti në triumfin e Spanjës në Kupën e Botës në Australi dhe Zelandë të Re dhe të dyja thanë të mërkurën kur u larguan nga kampi i kombëtares së “nuk ishin në gjendje të duhur” për të luajtur.

Në përgjithësi, 19 futbolliste nga skuadra e trajnerit të ri, Montse Tome, ishin në grevën e thirrur për ndryshime në RFEF, duke ngritur shqetësime se ato nuk do të luanin në ndeshjet e ardhshme të Spanjës në Ligën e Kombeve, që do t’ia kishte rrezikuar shanset skuadrës për të luajtur në Lojërat Olimpike 2024.

Disa orë para njoftimit për marrëveshjen, futbollistet e thirrura nga Tome u mblodhën për stërvitje, edhe pse kishin deklaruar se nuk do të luanin, por disa prej tyre shprehën druajtje se do të pezulloheshin nëse nuk do të luanin.

“Na kanë detyruar të vijmë. Por, nëse duan të na pezullojnë, atëherë ne duhet të vijmë”, tha Leon rrugës për në kamp.

Zemërimi

Skandali i cili e tronditi futbollin spanjoll shpërtheu vetëm pak çaste pasi Spanja e fitoi Kupën e Botës së grave më 20 gusht, kur ish-presidenti Rubailes e puthi me forcë në buzë mesfushoren Jenni Hermoso derisa skuadra po e pranonte trofeun.

Pas tri javëve kritikash dhe trysnie, Rubiales vendosi përfundimisht të japë dorëheqje, ndërsa trajneri kontrovers Vilda u shkarkua, por shumica e futbollisteve kërkuan përmirësime dhe ndryshime shumë më të mëdha në federatë.

Hermoso nuk u thirr në skuadër në mënyrë që “të mbrohej”, tha të hënën trajneri i ri, Tome, i cili ishte ndihmëstrajner i Vildas.

Edhe ky vendim ishte kontrovers, po ashtu.

“Të më mbroni mua nga çka? Dhe nga kush?” shkroi Hermoso në X të martën.

Ajo e akuzoi RFEF-në se po kërkon t’i “frikësojë dhe kërcënojë” kampionet e botës duke i thirrur në kombëtare kundër vullnetit të tyre për ndeshjet e ardhshme.

Spanja do të përballet me Suedinë më 22 shtator dhe me Zvicrën më 26 shtator në Ligën e Kombeve.

Dy finalistët e Ligës së Kombeve do të kualifikohen për Lojërat Olimpike 2024.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG