Twitter fsheh postimin e Trumpit për “zhdukjen e avantazhit” të tij
Një ditë pas zgjedhjeve në SHBA, Twitter ka fshehur një postim të presidentit Donald Trump, në të cilin ai ka shkruar se avantazhi i tij në shtetet kyçe, të udhëhequra nga demokratët, “ka nisur të zhduket me magji”.
Twitter ka ndërmarrë veprim të ngjashëm edhe ndaj një postimi tjetër, në të cilin Trump ka thënë se kundërshtarët e tij “janë duke bërë përpjekje t’i vjedhin votat”.
Të dyja mesazhet janë tani të fshehura pas paralajmërimeve se këto pretendime janë të diskutueshme dhe mund të jenë çorientuese.
Fshehja e tyre po ashtu i kufizon mundësitë e përdoruesve për të pëlqyer postimet ose për t’u përgjigjur në to.
Facebook ka vendosur “kuti të kontrollit të fakteve” te mesazhet e njëjta të Trumpit në platformën e tij, duke thënë se rezultatet përfundimtare mund të marrin më shumë kohë se normalisht.
Facebook nuk i ka kufizuar pëlqimet apo komentet në mesazhet e Trumpit.
Twitter nuk ka reaguar ndaj ndonjë postimi të rivalit demokrat të Trumpit, Joe Biden, por ka fshehur një postim të kryetarit të Partisë Demokratike në Uiskonsin, Ben Wikler, i cili ka thënë se “Joe Biden sapo e ka fituar Uiskonsinin”.
Fushata e presidentit Trump tha se rrjetet sociale vazhdojnë fushatën e tyre “për të censuruar dhe heshtur presidentin”.
Rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit në SHBA është i paqartë ende, pasi numërimi i votave në disa shtete kyçe vazhdon.
Informacionet e fundit nga Nevada
Sekretari i shtetit të Nevadës tha se ky shtet nuk do të japë më rezultate të zgjedhjeve, deri të enjten në mëngjes, raporton BBC.
Ai tha se vendimi u mor për të lehtësuar presionin mbi qarqet, të cilat kanë ende vota për të numëruar.
Në shtetin e Nevadës aktualisht kryeson kandidati demokrat, Joe Biden, me më pak se 8,000 vota epërsi kundrejt presidentit Donald Trump.
Në një lidhje telefonike me gazetarët të mërkurën, ndihmësi i Trumpit, Jason Miller, tha se Nevada është një shtet “i mbushur me korrupsion”, edhe pse nuk ofroi prova për këtë.
Nevada është njëri nga gjashtë shtetet kyçe, ku gara Trump-Biden është tejet e ngushtë dhe numërimi i votave vazhdon.
Fushata e Trumpit do të kërkojë rinumërim në Uiskonsin
Fushata e presidentit Donald Trump tha se do të kërkojë rinumërim të votave në shtetin kyç të Uiskonsinit, ku rezultatet e hershme e nxjerrin kandidatin demokrat, Joe Biden, në epërsi.
“Ka pasur raporte për parregullsi në disa qarqe të Uiskonsinit, të cilat ngrenë dyshime serioze në lidhje me vlefshmërinë e rezultateve”, tha menaxheri i fushatës së Trumpit, Bill Stepien.
Në Uiskonsin, kandidatëve u lejohet të kërkojnë rinumërim nëse margjina fituese është një për qind ose më pak.
Sipas ligjit në Uiskonsin, rinumërimi duhet të përfundojë brenda 13 ditëve nga kërkesa.
Uiskonsini është një nga gjashtë shtetet, ku gara midis Trumpit dhe Bidenit është tejet e ngushtë dhe numërimi vazhdon.
Rezultati në shtetet kyçe deri në orën 19:35:
Arizona (11 vota elektorale)
Biden 51.0%, Trump 47.6%
Edhe pse garë e ngushtë këtë vit, Arizona ka votuar për kandidatin republikan në çdo zgjedhje presidenciale - përveç vitit 1996 - që nga viti 1952. Donald Trump ka fituar me rreth 4 për qind në vitin 2016.
Xhorxhia (16 vota elektorale)
Trump 50.2%, Biden 48.5%
Xhorxhia ka votuar për kandidatin republikan në nëntë nga dhjetë zgjedhjet e kaluara presidenciale. Donald Trump ka fituar me rreth 5 për qind në vitin 2016.
Miçigen (16 vota elektorale)
Biden 49.7%, Trump 48.8%
Miçigeni ka votuar për kandidatin demokrat qysh në vitin 1992, derisa Donald Trump ua ka kthyer republikanëve atë, më 2016. Trump e ka fituar para katër vjetësh me 0.2 për qind.
Nevada (6 vota elektorale)
Biden 49.3%, Trump 48.7%
Nevada është shtet i lëkundur prej kohësh. Ajo ka votuar për fituesin e zgjedhjeve, përveç në dy raste, qysh në vitin 1912. Një nga këto raste ka qenë më 2016, kur kandidatja që i ka humbur zgjedhjet, Hillary Clinton, e ka fituar Nevadën me 2 për qind.
Pensilvania (20 vota elektorale)
Trump 53.4%, Biden 45.4%
Pensilvania ka votuar për kandidatin demokrat qysh më 1992, deri më 2016, kur ka fituar Donald Trump. Trump e ka fituar atëbotë me 0.7 për qind.
Uiskonsin (10 vota elektorale)
Biden 49.6%, Trump 48.9%
Uiskonsini ka votuar për kandidatin demokrat qysh më 1988, deri më 2016, kur ka fituar Donald Trump. Trump e ka fituar atëbotë me 0.8 për qind.