Trump dhe Biden thonë se do të fitojnë, por rezultati zgjedhor është i paqartë
Shumë vota përmes postës janë ende duke u numëruar në Shtetet e bashkuara.
Në orët e para të 4 nëntorit, asnjëri kandidat për president nuk ka siguruar fitore bindëse.
Kandidati demokrat, Joe Biden, ka thënë se është në rrugë drejt fitores, ndërkohë që presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur fitore para kohe dhe ka përsëritur pretendimet e pabazuara se votimi përmes postës është manipuluar.
Pjesëmarrja në zgjedhjet në SHBA, “më e larta në 120 vjet”
Mbi 160 milionë amerikanë kanë votuar në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit në SHBA, duke prodhuar shkallën më të lartë të pjesëmarrjes në 120 vjet.
Këto janë të dhënat paraprake të Projektit të Zgjedhjeve në SHBA, mision i të cilit është sigurimi i statistikave zgjedhore.
Sipas këtij Projekti, pjesëmarrja në zgjedhjet e së martës ka qenë 66.9 për qind – më e larta qysh në vitin 1900.
Më 1900, pjesëmarrja ka qenë 73.7 për qind dhe presidenti republikan, William McKinley, e ka mundur sfiduesin e tij demokrat, William Jennings Bryan.
“Zgjedhjet presidenciale 2020 kanë pasur pjesëmarrjen më të lartë në 120 vjet”, ka shkruar në Twitter themeluesi i Projektit të Zgjedhjeve, profesori Michael McDonald.
Në garën e sivjetme për të parin e Shtëpisë së Bardhë janë presidenti aktual, Donald Trump, dhe ish-zëvendëspresidenti Joe Biden.
Por, rezultati është ende i paqartë, meqë numërimi i votave në disa shtete kyçe është duke vazhduar.
Twitter etiketon postimin e kryeministrit slloven për “fitoren e Trumpit”
Twitter e ka etiketuar një postim nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, në të cilin ai e përgëzon Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe i akuzon “mediat kryesore” për “mohimin e fakteve”.
“Burimet zyrtare mund të mos i kenë shpallur rezultatet kur kjo është postuar”, ka shkruar Twitter nën postimin e tij.
Jansha vazhdimisht ka shprehur mbështetjen e tij për Trumpin dhe politikat e tij qëkur është bërë kryeministër i Sllovenisë në muajin mars, shkruan BBC.
Shumë shtete në SHBA janë duke vazhduar numërimin e votave dhe as Trump, as sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden, nuk mund të pretendojnë ende fitore bindëse.
Trump, para kohe, ka pretenduar fitoren dhe ka paralajmëruar se mund ta çojë rezultatin e zgjedhjeve në Gjykatën Supreme.
Biden ka thënë se është i bindur se është “në rrugën e duhur” për të fituar, por ka bërë thirrje për durim derisa numërimi i votave vazhdon.
Numërimi i votave që mund ta përcaktojnë rezultatin, vazhdon edhe në gjashtë shtete kyçe: Nevada, Xhorxhia, Miçigen, Karolinë e Veriut, Pensilvani dhe Uiskonsin.
Lexoni edhe këtë: Twitter pezullon disa llogari në ditën e zgjedhjeve në SHBA
Biden prin në katër shtete kyçe, Trump në dy
Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbetet i paqartë, derisa numërimi i votave në gjashtë shtete kyçe vazhdon ende.
Deri në orën 16:30, kandidati demokrat, Joe Biden, ka pasur epërsi në Arizonë, Miçigen, Nevada dhe Uiskonsin, ndërsa presidenti Donald Trump në Xhorxhia dhe Pensilvani.
Megjithatë, zyrtarët zgjedhorë paralajmërojnë se rezultati mund të ndryshojë, meqë numërimi i dhjetëra mijëra votave me postë dhe me kusht është duke vazhduar.
Njërit kandidat i duhen së paku 270 vota elektorale për t’u shpallur fitues.
Sipas hartës sonë, Biden ka aktualisht 224 vota elektorale, ndërsa Trump 213.