Trump dhe Biden ndajnë edhe disa shtete
Agjencia e lajmeve AP raporton se presidenti Donald Trump ka fituar Luizianën, Nebraskën, Dakotën Veriore, Dakotën Jugore dhe Uajomingun, ndërsa kandidati demokrat, Joe Biden, ka fituar Nju Meksikon, Nju Jorkun, Qarkun e Kolumbisë dhe Kolloradon.
Sipas rezultateve në hartën tonë, Biden prin me votat elektorale.
Aktualisht, Biden ka 83 vota elektorale, ndërsa Trump 63.
Garë edhe për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve
Përveç presidentit, votuesit amerikanë kanë zgjedhur të martën edhe anëtarët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve.
Kontrolli i dy dhomave të Kongresit është vendimtar për presidentin që të shtyjë përpara agjendën e tij.
Gjatë dy vjetëve të kaluar, presidenti Donald Trump ka punuar me një Kongres të ndarë.
Demokratët kanë pasur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa republikanët në Senat.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, i cili ka garuar në Kentaki, ka fituar kundrejt kandidates demokrate, Amy McGrath.
Të 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve zgjidhen çdo dy vjet.
Mandatet në Senat janë për gjashtë vjet. Zgjedhjet mbahen çdo dy vjet, në bazë të rotacionit. Këto zgjedhje mbahen për 35 nga 100 anëtarët e Senatit.
Në betejë për shtetet me numër të madh votash elektorale
Ende është i paqartë fituesi i zgjedhjeve në shtetet që kanë numrin më të madh të votave elektorale.
Florida, Pensilvania, Kalifornia dhe Karolina e Veriut janë në mesin e këtyre shteteve.
Presidenti Donald Trump ka siguruar tashmë disa fitore të parashikuara, si Kansasin dhe Dakotën e Veriut.
Kandidati demokrat, Joe Biden, po ashtu ka siguruar bastionet demokrate, si Kollorado dhe Virxhinia.
Për të fituar, njërit prej kandidatëve i duhen së paku 270 vota elektorale.
Trump në epërsi
Rezultatet e deritashme të zgjedhjeve në SHBA tregojnë se presidenti Donald Trump është në epërsi, kundrejt kandidatit demokrat Joe Biden.
Aktualisht, Trump kryeson me 93 vota elektorale, ndërsa Biden ka 83.
Se si qëndron situata në secilin shtet, mund ta shihni në hartën tonë.