Pse nuk ka ende fitues të zgjedhjeve në SHBA?
Disa orë pas mbylljes së vendvotimeve më 4 nëntor të këtij viti ishte e paqartë se kush fitoi: Donald Trump, presidenti aktual, apo rivali i tij demokrat, Joe Biden.
Pse duhet kaq shumë kohë për të mësuar se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së?
Lexoni analizën tonë këtu.
Rezultati në shtetet kyçe deri në orën 17:30:
Arizona (11 vota elektorale)
Biden 51.0%, Trump 47.6%
Edhe pse garë e ngushtë këtë vit, Arizona ka votuar për kandidatin republikan në çdo zgjedhje presidenciale - përveç vitit 1996 - që nga viti 1952. Donald Trump ka fituar me rreth 4 për qind në vitin 2016.
Xhorxhia (16 vota elektorale)
Trump 50.5%, Biden 48.3%
Xhorxhia ka votuar për kandidatin republikan në nëntë nga dhjetë zgjedhjet e kaluara presidenciale. Donald Trump ka fituar me rreth 5 për qind në vitin 2016.
Miçigen (16 vota elektorale)
Biden 49.5%, Trump 48.9%
Miçigeni ka votuar për kandidatin demokrat qysh në vitin 1992, derisa Donald Trump ua ka kthyer republikanëve atë, më 2016. Trump e ka fituar para katër vjetësh me 0.2 për qind.
Nevada (6 vota elektorale)
Biden 49.3%, Trump 48.7%
Nevada është shtet i lëkundur prej kohësh. Ajo ka votuar për fituesin e zgjedhjeve, përveç në dy raste, qysh në vitin 1912. Një nga këto raste ka qenë më 2016, kur kandidatja që i ka humbur zgjedhjet, Hillary Clinton, e ka fituar Nevadën me 2 për qind.
Pensilvania (20 vota elektorale)
Trump 54.2%, Biden 44.7%
Pensilvania ka votuar për kandidatin demokrat qysh më 1992, deri më 2016, kur ka fituar Donald Trump. Trump e ka fituar atëbotë me 0.7 për qind.
Uiskonsin (10 vota elektorale)
Biden 49.6%, Trump 48.9%
Uiskonsini ka votuar për kandidatin demokrat qysh më 1988, deri më 2016, kur ka fituar Donald Trump. Trump e ka fituar atëbotë me 0.8 për qind.
Burimi: https://www.270towin.com/2020-election-results-live/
Guvernatori i Penslvanisë: Rezultati mund të mos dihet sot
Rezultatet e zgjedhjeve në Pensilvani mund të mos dihen as sot, tha guvernatori demokrat i këtij shteti, Tom Wolf.
“Mund të mos e dimë rezultatin as sot, por gjëja më e rëndësishme është se kemi rezultate të sakta, edhe nëse marrin më shumë kohë”, tha Wolf në një konferencë për media.
“Mos harroni, demokracia jonë po testohet në këto zgjedhje”.
“Pensilvania do të ketë zgjedhje të drejta dhe këto zgjedhje nuk do të ndikohen nga jashtë”, shtoi ai.
Pensilvania është njëri nga gjashtë shtetet ku gara midis presidentit Donald Trump dhe rivalit të tij demokrat, Joe Biden, është e ngushtë.
Deri në orën 16:30, Trump ka qenë në përparësi në këtë shtet.
Numërimi i votave me poshtë vazhdon ende.
Biden prin në katër shtete kyçe, Trump në dy
Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbetet i paqartë, derisa numërimi i votave në gjashtë shtete kyçe vazhdon ende.
Deri në orën 16:30, kandidati demokrat, Joe Biden, ka pasur epërsi në Arizonë, Miçigen, Nevada dhe Uiskonsin, ndërsa presidenti Donald Trump në Xhorxhia dhe Pensilvani.
Megjithatë, zyrtarët zgjedhorë paralajmërojnë se rezultati mund të ndryshojë, meqë numërimi i dhjetëra mijëra votave me postë dhe me kusht është duke vazhduar.
Njërit kandidat i duhen së paku 270 vota elektorale për t’u shpallur fitues.
Sipas hartës sonë, Biden ka aktualisht 224 vota elektorale, ndërsa Trump 213.