Parashikuesit e zgjedhjeve e nxjerrin Bidenin favorit për të fituar
Gara për Shtëpinë e Bardhë midis presidentit aktual, Donald Trump, dhe kandidatit demokrat, Joe Biden, është ende e ngushtë, por parashikuesit e zgjedhjeve e nxjerrin Bidenin favorit për të fituar.
Kompania e basteve Smarkets, me seli në Britaninë e Madhe, i jep Bidenit 78 për qind shanse për të dalë në krye, ndërsa PredictIt në Zelandën e Re parashikon shanse edhe më të mëdha për të: gati 80 për qind.
Rritja e shanseve të Bidenit vjen në kurriz të shanseve të Trumpit.
Smarkets i jep presidentit aktual vetëm 21 për qind shanse për të qëndruar në Shtëpinë e Bardhë.
Trump, para kohe, e ka shpallur veten fitues, por numërimi i votave që mund ta përcaktojnë rezultatin vazhdon edhe në gjashtë shtete: Nevada, Xhorxhia, Miçigen, Karolinë e Veriut, Pensilvani dhe Uiskonsin.
Biden duhet t’i fitojë të paktën tri nga këto shtete për t’u zgjedhur president, ndërsa Trump duhet t’i fitojë së paku katër.
Edhe përpara zgjedhjeve, Biden ka qenë në epërsi në sondazhet e opinionet në nivel kombëtar, por avantazhi i tij ka qenë më i vogël në shtetet e lëkundura, ku dy kandidatët kanë mbështetje të ngjashme në mesin e votuesve.
Biden ka thënë se është i bindur se është “në rrugën e duhur” për të fituar, por ka bërë thirrje për durim derisa numërimi i votave vazhdon.
Biden kalon në epërsi në Uiskonsin
Me 99 për qind të votave të numëruara në shtetin e Uiskonsinit, kandidati demokrat për president të SHBA-së, Joe Biden, ka epërsi të ngushtë - prej rreth 20,000 votash - kundrejt presidentit Donald Trump, raporton BBC.
Në vitin 2016, Trump e ka mundur kandidaten e atëhershme demokrate, Hillary Clinton, në Uiskonsin, me më pak se 30,000 vota.
Uiskonsini siguron dhjetë vota elektorale.
Kujtojmë se një kandidati i duhen së paku 270 vota elektorale, për t’u zgjedhur president.
Aktualisht, sipas hartës sonë, Biden i ka 224 vota elektorale, ndërsa Trump 213.
Pasiguria në zgjedhjet në SHBA trondit tregjet financiare
Pasiguria rreth rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara i ka tronditur tregjet financiare.
Indeksi Dow Jones, një tregues kyç i tregut të aksioneve në SHBA, ka rënë për më shumë se 1.5 për qind të mërkurën, ndërsa S&P është rritur për 0.6%, pas një rënieje fillestare prej 1.1%.
Aksionet në Gjermani, Francë dhe Angli kanë qenë po ashtu të paqëndrueshme në tregtinë e hershme, ndërsa kanë nisur të rikthejnë fitime të vogla.
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara janë mbajtur të martën.
Në garë kanë qenë presidenti aktual, Donald Trump, dhe ish-zëvendëspresidenti Joe Biden.
Rezultati është ende i paqartë, meqë numërimi i votave në disa shtete kyçe vazhdon.
Trump, i cili para kohe ka pretenduar fitoren, ka paralajmëruar se mund ta çojë rezultatin e zgjedhjeve në Gjykatën Supreme.
Biden ka thënë se është i bindur se është “në rrugën e duhur” për të fituar, por ka bërë thirrje për durim derisa numërimi i votave vazhdon.
Fuqia e Kolegjit Zgjedhor në SHBA
Po ju rikujtojmë edhe një herë që një kandidati i duhen 270 vota elektorale për të fituar pozitën e presidentit amerikan.
Shihni në këtë video si funksionon ky trup.