AP: Trump fiton në Kentaki, Biden në Vermont
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka fituar në shtetin e Kentakit, raporton AP.
Sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden, ka fituar në Vermont.
Në Kentaki, Trump fiton tetë vota elektorale, ndërsa Biden në Vermont fiton tri vota elektorale.
Për t’u zgjedhur president, një kandidati i duhen së paku 270 vota të tilla.
Nis mbyllja e disa vendvotimeve në SHBA
Dy shtetet e para amerikane, ku ka nisur mbyllja e vendvotimeve për zgjedhjet presidenciale, janë Indiana dhe Kentaki.
Indiana, prej nga vjen zëvendëspresidenti aktual, Mike Pence, është shteti i parë federal që i ka mbyllur vendvotimet në disa prej rretheve.
Indiana ka 11 vota elektorale, ndërsa Kentaki tetë.
Për të fituar zgjedhjet, njëri nga kandidatët – Donald Trump ose Joe Biden – duhet të sigurojë 270 vota elektorale.
Pjesëmarrja në zgjedhje pritet të jetë më e larta qysh në vitet 1950
Pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale në SHBA pritet të jetë rekorde.
Votuesit amerikanë janë duke zgjedhur midis Donald Trumpit, republikan, dhe Joe Bidenit, demokrat.
Mbi 100 milionë vetë kanë votuar me postë ose në vendvotimet që janë hapur para 3 nëntorit.
Michael McDonald, profesor në Universitetin e Floridës, i cili udhëheq Projektin Zgjedhor të SHBA-së, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pret që pjesëmarrja të jetë 67 për qind - më e larta qysh në vitet 1950.
McDonald ka thënë se do ta konsiderojë rezultatin në Florida si një “shenjë shumë të mirë” se si do të zhvillohen zgjedhjet.
Florida i ka 29 vota elektorale.
Për t’u zgjedhur president, një kandidati i duhen së paku 270 vota elektorale.
Numri i këtyre votave është i ndarë nëpër shtete varësisht madhësisë dhe numrit të banorëve që kanë.
Ka gjasa që rezultatin përfundimtar ta vendosin një numër shtetesh - në mesin e tyre: Arizona, Ajoa, Xhorxhia, Florida, Miçigeni, Karolina e Veriut, Pensilvania, Teksasi dhe Uiskonsini.
Twitter pezullon disa llogari në ditën e zgjedhjeve në SHBA
Twitter tha se ka pezulluar disa llogari të krijuara së voni, të cilat kanë shkelur politikat e këtij rrjeti social, në lidhje me publikimin e lajmeve për zgjedhjet në SHBA.
Twitter tha se llogaritë në fjalë kanë shpërndarë përmbajtje identike, ndërsa janë shfaqur si të pavarura.
Një nga llogaritë e pezulluara, SVNewsAlerts, ka pasur mbi 69,000 ndjekës.
Llogaria ka paralajmëruar shpesh trazira në lidhje me zgjedhjet, si dhe ka nxjerrë në pah çështje në lidhje me sigurinë dhe besueshmërinë e votimit.
Llogaritë e tjera të pezulluara nga Twitter përfshijnë: FJNewsReporter, Crisis_Intel dhe Faytuks.
Në prag të ditës së zgjedhjeve, Twitter ka njoftuar se do të vendosë etiketime në postime të caktuara, të tilla si: “Burimet zyrtare e kanë shpallur këtë fitore ndryshe”.
Twitter po ashtu ka thënë se, për rezultatin përfundimtar, do të marrë parasysh zyrtarët zgjedhorë dhe mediat kombëtare, si: ABC News, Associated Press, CNN dhe Fox News.