Autoritetet në Shqipëri kanë vendosur ta bllokojnë qasjen në platformën sociale, TikTok, për një vit të tërë nga janari, pas vrasjes së një nxënësi 14-vjeçar muajin e kaluar në Tiranë.
Vendimi do të hyjë në fuqi më 1 janari 2025, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili u kritikua nga një zyrtare opozitare për këtë vendim.
Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, e bëri të ditur vendimin duke folur gjatë një takimi përmbyllës të këshillimit kombëtar me mësuesit e prindërit për masat ndaj TikTok-ut dhe sigurinë e fëmijëve.
“Për rritjen e sigurisë fizike dhe digjitale në shkolla dhe ndikimin që sjellin rrjetet sociale dhe angazhimi i fëmijëve, ne kemi vendosur bllokimin e TikTok-ut”, tha ajo.
Rama tha gjatë takimit me mësues dhe prindër se qasja në TikTok do të jetë e bllokuar tërë vitin 2025.
"Kemi bërë hulumtime dhe do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga fillimi i janarit dhe për 1 vit plotësisht për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do ketë. Gjatë atij viti do shohim si do veprojnë vendet, çfarë do nxjerrë teknologjia për filtra dhe si do reagojë vetë TikTok”, tha Rama.
Shqipëria u trondit më 18 nëntor kur Martin Cani, nxënës i shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, u vra me thikë nga bashkëmoshatari i vet në qendër të Tiranës.
Pas vrasjes së tij qarkulluan video në TikTok, ku të mitur shpreheshin pro vrasjes.
Gjithashtu, pas vrasjes së tij u publikua fotografia e autorit, i cili u arrestua, që tregonte plagën që kishte marrë në dorë dhe ai u shfaq duke ngritur grushtin lart.
Fotografinë ai ua kishte dërguar një grupi shokësh në platformën sociale Snapchat. Disa ditë para krimit, ai kishte postuar po në këtë rrjet social një tjetër foto me një thikë në dorë.
Vrasja nxiti protesta në kryeqytetin shqiptar për të kërkuar më shumë siguri për nxënësit dhe fëmijët.
Disa ditë më vonë, Qeveria e Shqipërisë i nxori për diskutim dy propozime që synojnë të frenojnë ndikimin e rrjeteve sociale, TikTok dhe Snapchat, te fëmijët.
Deputetja e Partisë Demokratike në opozitë, Ina K. Zhupa e kritikoi vendimin e Qeverisë së Ramës, duke e akuzuar kryeministrin për “shtypjen e lirive”.
Zhupa, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, tha se “vendimi diktatorial për mbylljen e një rrjeti social si TikTok që nuk po e kontrollonte dot është akt i rëndë kundër lirisë së shprehjes dhe demokracisë”.
“Është akt elektoral i pastër dhe përdorim i pushtetit për të shtypur liritë”, shtoi ajo.
Manastirliu shtoi të shtunën se vendimi u mor bazuar në një paketë masash për të cilat po punojnë Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Masat përfshijnë dyfishimin e numrit të oficerëve të sigurisë në shkolla brenda dy vitesh, vendosjen e rregullave të reja dhe masave shtesë për sistemin e monitorimit të telefonave celularë gjatë orëve mësimore, tha Manastirliu.
Gjithashtu, në mesin e masave është edhe forcimi i mekanizmave të referimit proaktiv dhe sinjalizimit të hershëm për rastet e dhunës dhe bullizmit si dhe bullizmit kibernetik, përmes përdorimit të platformave online në referimin e incidenteve në shkolla dhe jashtë tyre, sipas saj.