Në Shqipëri një person ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga ky virus në 37.
“Ne 24 orët e fundit ka ndërruar jetë një pacient 68 vjeç nga Puka, i cili ishte në gjendje të rëndë, i intubuar prej disa ditësh. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor 68-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë”, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Shqipëria po vazhdon të shënojë numra në rritje të personave të prekur me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 364 teste të dyshuara me koronavirus, prej të cilëve 82 kanë rezultuar pozitivë.
Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik bëri me dije shpërndarjen e rasteve të reja të regjistruar në 24 orët e fundit, ku Tirana vazhdon të jetë qyteti me numrin më të madh të infektimeve.
“Shpërndarja gjeografike e të prekurve në 24 orët e fundit është si vijon: 28 të prekur në Tiranë, 18 në Shkodër, 10 në Krujë, 8 në Durrës, 7 në Vlorë, 3 në Kamëz, nga 2 raste në Kukës, Elbasan, Fier dhe nga 1 i prekur në Korçë dhe Pukë”, tha ajo.
Ndërkohë, 9 qytetarë janë shëruar, duke e çuar numrin total në 1,064.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 50 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.
Në të gjithë Shqipërinë, janë 571 persona aktivë me COVID-19, të shtrirë kryesisht në Tiranë, Shkodër dhe Krujë.
Mes tjerash, Ministria e Shëndetësisë ftoi qytetarët të jenë vigjilentë dhe të ruajnë masat e diktuara nga strukturat përkatëse.
“E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike, duke ruajtur higjienën personale, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara. Në këto kushte është domosdoshmëri mbajtja e maskës në ambiente publike kur nuk është e mundur të ruhet distanca fizike”, tha Dervishi.
Ajo shtoi se “virusi është akoma mes nesh dhe për sa kohë nuk ka një vaksinë, qytetarët duhet të përshtaten me normalitetin e ri”.
Rritja e madhe e numrit të rasteve të prekura me COVID-19 në Shqipëri vjen në kohën kur në vend janë hequr të gjitha masat e detyrueshme të mbylljes së bizneseve, karantinimit e izolimit të njerëzve.
Sipas qeverisë, tani është përgjegjësi e vetë qytetarëve që të kujdesen dhe të zbatojnë rekomandimet për distancim dhe higjienë.