Numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri vazhdon të shënojë rritje.
Ministria e Shëndetësisë njofton se përgjatë 24 orëve të fundit janë kryer 362 testime të dyshuara për COVID-19, prej të cilave 57 kanë rezultuar pozitivë.
Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik, tha se qyteti i Krujës ka numrin më të lartë të rasteve ditore me COVID-19, me 16 të infektuar, ndjekur nga Tirana me 14, 9 Vlora, 8 Shkodra, 6 Lushnja, 2 Puka, dhe nga 1 Durrësi e Fieri.
Aktualisht bëhet e ditur se në Spitalin infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po marrin shërbim 47 pacientë, ku 7 prej tyre janë në terapi intensive dhe një i intubuar.
Siç bën me dije Ministria e Shëndetësisë, në të gjithë vendin aktualisht numërohen 441 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër dhe Krujë.
Daja u shpreh se raste me COVID-19 janë zbuluar në subjektet tregtare si dhe institucione publike dhe ato private.
Duke u nisur nga kjo evidencë, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar dhe inkurajuar kompanitë që punën e tyre ta vazhdojnë nga shtëpia, duke evituar kështu përhapjen e mëtejshme të pandemisë.
“Nisur nga fakti se po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje, subjekte tregtare apo institucione të ndryshme publike dhe private, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon bizneset, institucionet, kompanitë, kudo ku është e mundur puna nga shtëpia, të nxisin këtë mënyrë alternative për të frenuar përhapjen e COVID-19”, tha Daja.
Po ashtu, gjatë 24 orëve janë shëruar 5 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1044.
Shqipëria gjatë javës së fundit është duke shënuar numra rekord të të prekurve me koronavirus.
Në vend janë hequr të gjitha masat e detyrueshme të mbylljes së bizneseve, karantinimit e izolimit të njerëzve. Sipas qeverisë, tani është përgjegjësi e vetë qytetarëve që të kujdesen dhe të zbatojnë rekomandimet për distancim.
Virusi ka lënë të vdekur 35 persona prej kur është shfaqur për herë të parë në Shqipëri në muajin mars.