Ndërlidhjet

Shqipëri: SPAK kërkon nga Kuvendi autorizim për arrestimin e Arben Ahmetaj


Ish-ministri dhe deputeti i Partisë Socialiste në Shqipëri, Arben Ahmetaj.
Ish-ministri dhe deputeti i Partisë Socialiste në Shqipëri, Arben Ahmetaj.

Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit në Shqipëri (SPAK) ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit të Financave dhe deputetit aktual të Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj.

Kërkesa mban datën 7 korrik dhe nënshkrimin e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani.

SPAK thekson se kërkon autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë, për arrestimin ose heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit.

Arben Ahmetaj akuzohet për “Mosdeklarim apo fshehje të pasurive", “Korrupsion pasiv" si dhe “Pastrim parash".

Hetimet ndaj Arben Ahmetajt nisën në vitin 2022 dhe Prokuroria e Posaçme thekson se "vazhdon hetimi në drejtim edhe të fakteve të tjera penale apo personave të tjerë të implikuar".

Edhe pse zyrtarisht nuk është saktësuar për çfarë akuzohet Ahmetaj, mediat në Shqipëri kanë raportuar se bëhet fjalë për procedurat e ndjekura për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.

Në vitin 2015 qeveria akordoi një kontratë për ndërtimin e këtij incineratori me procedurë emergjente. Djegësit masivë të mbeturinave, në Shqipëri njihen si inceneratorë.

Shkresa e drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani për Kuvendin e Shqipërisë thekson nevojën “për të ruajtur sekretin hetimor” dhe kërkon që procedura e shqyrtimit të dokumenteve nga Këshilli i Mandateve të bëhet pa praninë e publikut për shkak se, "hetimet vijojnë për persona dhe fakte të tjera".

Pas kësaj kërkese pritet mbledhja e Këshilli të Mandateve të Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas rregullores së Kuvendit, kryetarja e institucionit, Lindita Nikolla, vë në dijeni Këshillin e Mandateve dhe Rregullores të marrë në shqyrtim kërkesën e SPAK.

Brenda 2 javësh duhet të hartohet një raport që do të kalohet në kuvend. Raporti do të hidhet në votim dhe do të vendoset nëse do të pranohet apo jo dhënia e autorizimit për kërkesën e SPAK. Votimi në Kuvend bëhet i hapur.

Pas këtij zhvillimi ka reaguar opozita në Shqipëri. Kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i bëri thirrje kryeparlamentares Nikolla që ta mbledhë Këshillin e Mandateve që ditën e hënë, ndërsa tha se SPAK duhet t’i shtrijë hetimet deri te kryeministri, Edi Rama.

"SPAK duhet t’i shkojë deri në fund kësaj afere, duke bërë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm deri tek kreu i aferës korruptive, Edi Rama. Së bashku, ata kanë kryer disa nga veprat më monstruoze të korrupsionit qeveritar në 3 dekadat e fundit"-shkruan Bardhi në Twitter.

Në mbledhjen e komisionit parlamentar të Ligjeve, Bardhi gjithashtu solli në kujtesë rastin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të cilin Këshilli i Mandateve e refuzoi kërkesën e SPAK për të dhënë autorizimin për arrestimin e tij.

Tahiri u akuzua fillimisht për përfshirje në trafik droge, apo ai u dënua vetëm për shpërdorim detyre.

Ndaj ministrit Arben Ahmetaj hetimet nisën në vitin 2022, ndërsa më 22 qershor 2023 ai u thirr për herë të parë në SPAK, u pyet për rreth 6 orë si person nën hetim.

Arben Ahmetaj ka mbajtur disa poste të rëndësishme në qeverinë Rama. Ai ka qenë drejtues i Drejtorisë së Tatimeve, ministër i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, ministër i Financave, zëvendëskryeministër, dhe ministër i Rindërtimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG