Që nga orët e vona të së shtunës, Shqipëria është përfshirë nga reshje të shumta shiu, ku për pasojë ka pëmbytje në disa qarqe, kryesisht në zonat veriore.
Situata është përkeqësuar pasditen e së dieles, ku si pasojë e përmbytjeve dy persona, babë e bir, janë zhdukur, pasi makina me të cilën udhëtonin u rrëmbye nga rrjedha e përroit në vendin e quajtur “Grykë Lugje” në Shkrel të Malësisë së Madhe.
Policia shqiptare bëri të ditur se në makinë ka qënë edhe vajza e mitur e 50 vjeçarit, e cila ka arritur të dalë dhe të shpëtohet nga një banor i zonës.
Ekipiet e kërkim-shpëtimit nisën menjëherë operacionin, por ende nuk ka asnjë gjurmë të tyre.
Në hyrje të qytetit të Shkodrës, në Harkun e Bërdicës, rruga është e përmbytur dhe për pasojë kalimi me automjete të vogla është i pamundur.
Situatën në zonën e nënshkodrës e ka rënduar edhe hapja e portave të hidrocentraleve.
“Si rezultat i prurjeve të shumta dhe në kaskadat e Vau Dejës dhe Komanit është bërë e mundur hapja e portave dhe shkarkimi i një sasie uji, që ka ndikuar për rëndimin e situatës. Situata paraqitet e rëndë, sidomos në Bahçallëk, Kuç, Bërdicë, ku kemi evakuimin e disa familjeve", tha prefektja Majlinda Angoni.
Ministria e Arsimit ka marrë vendimin për të pezulluar mësimin, ditën e nesërme në 16 shkolla të qarkut të Shkodrës, për të shmangur çdo lloj rreziku për nxënësit e dhe mësuesit.
Veç Shkodrës, situata është serioze edhe në Lezhë dhe Dibër, ndërsa probleme ka edhe në qarqet Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Fier.
Në këtë qark është regjistruar edhe sasia më e madhe e reshjeve, prej 190 milimetër shi.
Pas kësaj situate është mbledhur Komiteti i Mbrojtjes Civile për të përcaktuar planin e masave parandaluese dhe lehtësuese për të menaxhuar situatën në vazhdim, pasi metereologët kanë parashikuar se reshjet do të vijojnë të jenë prezente në gjithë territorin e vendit.
Lumejtë Drin, Buna, Kiri etj janë afër kuotës maksimale, por deri tani nuk kanë dalë nga shtrati. Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje Bashkive që të marrin masa.
Deri tani nuk ka një bilanc se sa është numri i banesave të përmbytura apo sa është sipërfaqja e tokës nën ujë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se reshjet e shiut me intensitet të lartë në të gjithë vendin, kanë shkaktuar edhe rënie të gurëve dhe inerteve në disa akse rrugore, si; Bajram Curri-Valbonë, Hani Hotit-Tamarë, Vlorë-Orikum.