Në Shqipëri një tjetër person ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në 43.
“Në 24 orët e fundit një 70-vjeçare nga Durrësi ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, me gjithë mjekimin intensiv dhe përkujdesjen e mjekëve. 70-vjeçarja e prekur nga Covid-19, vuante nga një formë e rëndë e leukozës”, tha Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Sipas Ministrisë së Shëndetësis, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 320 testime dhe janë konfirmuar 53 raste pozitive me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi. Këto janë kryesisht raste të reja, por edhe kontakte të rasteve të mëparshme.
Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është 26 në Tiranë, 6 në Shkodër, 5 në Krujë, 4 në Vlorë, nga 3 raste në Fier dhe Pogradec, nga 2 raste në Kukës dhe Lezhë, nga 1 rast në Durrës dhe Përmet.
Në njoftimin e Ministrisë bëhet e ditur gjithashtu se numri i personave të shtirë në spital është rritur.
“Vijon të ketë shtrime të reja të qytetarëve që kanë nevojë për trajtim spitalor, duke përfshirë dhe moshat e reja 30-40 vjeç. Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 63 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 janë te intubuar”, tha Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë.
Ajo bëri të ditur se po punohet afër me Policinë e Shtetit për të “kontrolluar qytetarët e papërgjegjshëm në mënyrë që të shmanget kthimi i karantinës”.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel të gjithë qytetarëve të konfirmuar pozitivë me shenja të lehta apo asimptomatikë të respektojnë karantinën dhe të qëndrojnë të vetizoluar. Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama para pak ditësh paralajmëroi ashpërsim të masave në vend, nëse situata me koronavirus nuk do të përmirësohet.
Edhe pse tha se mendon se situata mund të vihet përsëri në kontroll, mbyllja nuk do të shmanget nëse situata e përhapjes së Covid-19, vazhdon të rëndohet.
“Nëse do të vazhdojmë kështu, fatkeqësisht do të na duhet të rimbyllemi dhe të përballojmë edhe njëherë pasojat e plagëve që morëm nga mbyllja e parë, por nuk dua ta zgjas me këtë, sepse kam bindjen se ende e kemi në dorë ta kontrollojmë situatën”, ishte shprehur kryeministri Rama.
Që nga fillimi i përhapjes së pandemisë në Shqipëri në muajin mars janë testuar gjithsej 23,126 persona, prej të cilëve kanë rezultuar pozitivë 1,891.
Aktualisht në vend janë 722 raste aktive dhe 1,126 persona të shëruar.