Numri i të infektuarve me koronavirus kalon 200,000
Numri i rasteve me koronavirus në gjithë botën ka kaluar 200,000, tregojnë shifrat e fundit të Universitetit Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara.
Sipas tyre, aktualisht në gjithë globin janë 201,672 njerëz të infektuar, ndërsa 8,008 pacientë kanë vdekur.
Kina vazhdon të ketë numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara (81,102), ndërsa pasa saj vjen Italia me 31,506.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, numrin më të madh të rasteve e ka aktualisht Sllovenia (275).
Në Kosovë janë 19 të infektuar me koronavirus.
Spasovski kërkon të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Maqedoninë e V.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut po kërkon nga kuvendi dhe presidenti i Republikës shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, për t’u përballur në mënyrë sa më efikase me pandeminë e koronavirusit.
Për shkak të pamundësisë së mbledhjes së kuvendit, që tashmë është shpërndarë, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, sipas kryeministrit Oliver Spasovski, mund ta bëjë presidenti Stevo Pendarovski.
Maqedonia e Veriut ka aktualisht 35 njerëz të infektuar me koronavirus.
- Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Pastrimi i rrugëve në Prishtinë
Si masë mbrojtëse kundër koronavirusit, Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë aksion për pastrimin e rrugëve. Pastrimi po bëhet nga kompani të kontraktuara nga komuna.
Praga ashpërson masat mbrojtëse kundër koronavirusit
Autoritetet e kryeqytetit çek, Pragës, kanë ashpërsuar masat mbrojtëse, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri, duke thënë se të gjithë individët duhet të mbulojnë fytyrën në ambiente publike.
Kryetari i Pragës, Zdenek Hrib, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, se rregullat e reja do të nisin së zbatuari nga mesdita e 18 marsit.
“Po ndaloj hyrjen, qëndrimin dhe lëvizjen e njerëzve pa mbulesë mbrojtëse të gojës dhe hundës, derisa shfrytëzoni transportin publik, derisa vizitoni bizneset që veprojnë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, nëpër hapësirat sociale dhe ato shëndetësore, në zyra publike, shërbime të emergjencave, barnatore dhe plaforma tjera”, ka shkruar Hrib.
Deri më 18 mars është konfirmuar se 484 raste janë prekur me koronavirus në Republikën Çeke, pa ndonjë viktimë.