Turqia me masa shtesë kundër koronavirusit
Turqia do të mbyllë përkohësisht kafenetë, palestrat sportive dhe do të pezullojë lutjet nëpër xhami në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, pasi ky shtet ka identifikuar 18 raste të personavetë infektuar me këtë virus, bëjnë të ditur autoritetet.
“Që nga mesnata e të hënës, të gjitha kafenetë, kinematë, palestrat do të pezullohen”, tha ministria e punëve të brendshme të Turqisë.
Ankaraja gjithashtu do të ndalojë fluturimet për gjashtë vende përfshirë këtu edhe Britaninë e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, bëri të ditur ministri i shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca.
Këshillat e OBSH-së për koronavirusin:
Maqedonia e Veriut shënon 5 raste të reja me COVID-19
Pesë raste të reja me koronavirus janë regjistruar në Maqedoninë e Veriut duke e çuar në 25 numrin e përgjithshëm të të infektuarve me Covid-19.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha të hënën se 4 nga të infektuarit janë nga Dibra dhe 1 nga Shkupi. Testimet janë bërë edhe për tre persona të tjerë, por ata kanë dalë me rezultate negative.
Dy persona të tjerë janë testuar në një klinikë private dhe besohet të jenë pozitiv, por nuk merren si numra zyrtarë pa u konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Klinika Infektive.
Mbi 30 të tjerë janë vendosur në izolim shtëpiak. Një person i infektuar është liruar pas shërimit të plotë në Klinikën Infektive.
FSK në gatishmëri të përballjes me koronavirusin
Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në nivelin e dytë dhe se ka krijuar Forcën për Detyrë, duke u bazuar në vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Në njoftimin e FSK-së thuhet se është vendosur në gatishmëri personeli, pajisjet dhe sistemet për të parandaluar dhe mbrojtur qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, udhëzon qytetarët e Republikës së Kosovës që të respektojnë të gjitha rregullat, kufizimet dhe udhëzimet e dhëna nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe apelon tek të gjithë që të rrisin masat e kujdesit, por në asnjë moment mos të krijojmë frikë dhe panikë”.
Respektimi i rregullave dhe kufizimeve është ndihma më e madhe që secili qytetar i Republikës së Kosovës i bën vendit dhe shoqërisë. Forca e Sigurisë së Kosovës ju siguron se do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për t'i dalur në ndihmë në çfarëdo situate”, thuhet në njoftimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.