Hoti: Bizneset do të kenë pasoja në të ardhura
Zëvendës kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se bizneset në Kosovë për shkak të mungesës së aktiviteteve do të kenë pasoja në të ardhurat e tyre.
“Kjo situatë do të ketë pasoja për të gjithë ne. Nga mungesa e aktivitetit biznesor do të ndikohen të ardhurat e bizneseve dhe, rrjedhimisht, të ardhurat e familjeve, të hyrat buxhetore për shtetin, kthimi i kredive në banka e kështu me radhe. Të gjithe do te jemi bashkë për tu përballur me këto pasoja. Vendimet e Qeverise do të jenë në përputhshmëri me situatën e krijuar,” ka shkruar Hoti.
Gjithashtu Hoti ka shkruar se jeta e njerëzve është më e rëndësishme se stabiliteti financiar i bizneseve, bankave dhe të institucioneve të tjera.
Qeveria e Kosovës ka vendosur mbylljen e shumicës së bizneseve për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
Aktori i njohur diagnostifikohet me koronavirusin e ri
Aktori britanik, Idris Elba, tha se testi i tij për koronavirusin e ri ka dalë pozitiv.
Elba, një yll i "Avengers: Infinity War", tha në një postim në Twitter se po ndjehet mirë dhe se
nuk kishte asnjë simptomë deri më tani, por po e izolonte veten nga të tjerët.
Edhe një rast i konfirmuar me koronavirus në Maqedoninë e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut është regjistruar dhe një rast me koronavisurin e ri.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve është 19 persona.
Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare ka theksuar se për momentin “nuk ka nevojë për shpalljen e gjendjes së krizës në të gjithë territorin si pasojë e koronavirusit”
Franca në izolim të plotë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi për masa shtesë në përpjekje për të parandaluar pëhapjen e virusit.
Nga mesdita e së martës ai tha se banorët duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe do të ketë dënime për ata që shkelin rregullat. Përjashtim do të ketë vetëm për rastet ugjente.
“Ushtria do të përdoret për të ndihmuar transportimin e të sëmurëve në spital”, tha Macron.
Sipas tij, kufijtë do të mbyllen në marrëveshje me vendet e tjera të Bashkimit Evropian.