G7 angazhohet në luftimin e koronavirusit të ri
Drejtuesit e G7-ës kanë shprehur angazhimin e përbashkët për të punuar së bashku në trajtimin e asaj që ka të ngjarë të jetë një krizë e gjatë dhe e vështirë shëndetësore, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
"Ishte rasti për të shprehur një vullnet të fortë politik për të adresuar këtë krizë së bashku, për të koordinuar, për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme. Për ne përparësia është shëndeti i qytetarëve tanë", tha Michel për një konferencë shtypi pas një telefonate të përbashkët të përfaqësuesve të G7-ës.
Michel, i cili kryeson samitin e liderëve të BE, tha që BE-ja po punonte shumë për të mbështetur studiuesit në kërkimin e tyre për një vaksinë kundër koronavirusit.
Grupin e vendeve më të industrializuara në botë - të njohur si G7 - e përbëjnë: Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.
Mushkonjat nuk e transmetojnë koronavirusin
Deri më tani nuk ka asnjë informacion dhe provë që sugjeron se koronavirusi i ri mund të transmetohet përmes kafshimit të mushkonjave, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Koronavirusi i ri është një virus i frymëmarrjes i cili përhapet kryesisht përmes pikave të krijuara kur një person i infektuar kollitet ose teshtin, ose përmes pikave të pështymës ose rrjedhjes nga hunda.
Shmangni kontaktin e ngushtë me këdo që kollitet dhe teshtin, thotë OBSH.
SHBA-ja liderëve të Kosovës: Lërini menjëanë dallimet, përqëndrohuni të qytetarët
Ambasada e Shteteve të Bashkuara unë Kosovë thotë se tani nuk është koha për të lejuar që dallimet politike të brendshme dhe rajonale të na bëjnë të mos i ndihmojmë njëri-tjetrit në këtë kohë të nevojës kolektive.
“Ne i bëjmë thirrje të gjithë liderëve në vend dhe në rajon që të lënë mënjanë dallimet politike dhe të përqëndrohen në nevojat e qytetarëve të tyre. Të punosh së bashku dhe mbështetje ndaj njëri tjetrit është përgjigjja e kësaj sfide", thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane.
Në Kosovë janë shënuar 15 raste me koronavirusin e ri derisa e gjithë bota është duke luftuar kundër këtij virusi, i cili deri më tani ka lënë të vdekur mbi 6, 500 persona.
Presidenti Thaçi u bënë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve që të rrinë të qetë dhe të kujdesën për veten dhe familjet e tyre si dhe të kufizojnë lëvizjet duke mos dalë nga shtëpi dhe të qëndrojnë sa më shumë brenda.
Presidenti Thaçi tha se nuk ka nevojë për panikë dhe se institucionet janë të përgatitura të përballen me çdo situatë.