Ndërlidhjet

A është në kundërshtim me marrëveshjet shpërbërja e Ekipit Menaxhues?


Fotografi ilustruese nga arkivi
Fotografi ilustruese nga arkivi

Kosova dhe Serbia sërish i interpretojnë ndryshe marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Kësaj radhe ka pasur një “konfuzion” lidhur me mandatin e Ekipit Menaxhues për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Më 3 maj, autoritetet kosovare e liruan nga detyra Ekipin Menaxhues, me arsyetimin se një ditë më parë në Bruksel e kishin paraqitur statutin dhe se i kishte përfunduar mandati.

Për këtë reaguan ashpër autoritetet nga Serbia, duke theksuar se mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e projekt-statutit të Asociacionit, por se ai ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të tij.

Pastaj erdhi interpretimi i Bashkimit Evropian, si lehtësues i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nga BE-ja thanë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më 4 maj se Ekipi Menaxhues duhet të jetë funksional derisa të miratohet statuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ekipi menaxhues propozoi dhe paraqiti draftin [statutin] e parë, që do të thotë se ka filluar procesin dhe jo se procesi ka përfunduar. Prandaj, vendimi për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues bie ndesh me tekstin dhe frymën e marrëveshjes”, tha Stano.

Por, lidhur me deklaratat për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, ka reaguar Qeveria e Kosovës. Në reagim thuhet se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ekipin menaxhues, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.

"Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmërie në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës. Gatishmërinë e njëjtë, duhet ta ketë kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes, si për shembull vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës, për të cilën po gjendet në vështirësi kur përgjigjet. Apo edhe për shkeljet e tjera që Serbia po ia bën marrëveshjes", thuhet në reagim.

Sipas Qeverisë së Kosovës, "Ekipi Menaxhues e ka patur vetëm një mision apo detyrë - përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit. Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik".

*Video nga arkivi: Sa herë u shkel Marrëveshja e Ohrit?

Kur u ra dakord për krijimin e Ekipit Menaxhues?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është arritur në vitin 2013. Marrëveshja parashikonte që Asociacioni të formohej në bazë të statutit, të kishte kryetar, nënkryetar, kuvend dhe këshill dhe se shpërbërja e tij mund të bëhej vetëm me vendim të komunave anëtare.

Ky bashkim duhet të përbëhet nga dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë - gjashtë në jug të Ibrit: Graçanica, Shtërpca, Novobërda, Kllokoti, Ranillugu dhe Parteshi - dhe katër në veri, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.

Në mënyrë që të gjitha këto komuna të formojnë Asociacionin, fillimisht është dashur të mbahen zgjedhjet lokale sipas ligjeve të Prishtinës zyrtare në veri të Kosovës, në mënyrë që të formohen katër komuna. Kjo ndodhi në nëntor të vitit 2013.

Mirëpo, zgjedhjeve u ka paraprirë Plani i Zbatimit të marrëveshjes nga viti 2013, në të cilin për herë të parë përmendet Ekipi Menaxhues për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kështu, parashihej që të dyja palët të formojnë një Ekip Menaxhues për krijimin e Asociacionit deri në fund të majit të vitit 2013, me qëllim hartimin e statutit, por edhe për të trajtuar “të gjitha çështjet që janë relevante për krijimin e Asociacionit".

Gjithashtu, ishte planifikuar që Ekipi Menaxhues të përbëhet nga përfaqësues të katër komunave nga veriu, të cilët do të themeloheshin pas konfirmimit nga autoriteti kompetent i Kosovës.

Kur duhet të shpërndahet Ekipi Menaxhues?

Sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, dy palët kanë arritur një marrëveshje tjetër në vitin 2013 lidhur me mandatin e Ekipit Menaxhues për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta gjejë këtë dokument në mesin e dokumenteve të publikuara të Qeverisë së Kosovës apo BE-së.

Sipas dokumentit që gjendet në ueb-faqen e Zyrës për Kosovën, Ekipi Menaxhues është dashur të shpërbëhet pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në veri dhe formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Megjithatë, veprimet për krijimin e Asociacionit nuk u realizuan kurrë në terren dhe në vitin 2015 palët ranë dakord për parimet mbi bazën e së cilave duhet të formohej. Më pas, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se disa nga parimet nuk janë në përputhje me 23 nenet e Kushtetutës, të cilat autoritetet në Prishtinë i përdorën si shpjegim për refuzimin e krijimit të Asociacionit.

Detyra dhe përgjegjësitë tjera të Ekipit Menaxhues

Ekipi Menaxhues, përsëri në bazë të dokumentit të disponueshëm në ueb-faqen e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, është dashur të ndërmarrë të gjitha “masat e nevojshme praktike për themelimin e Asociacionit”.

Masat praktike përfshijnë: përgatitjen e infrastrukturës për ambientet zyrtare të Asociacionit; identifikimin e burimeve të nevojshme njerëzore; duke ndërmarrë veprimet e nevojshme administrative.

Gjithashtu, Ekipi Menaxhues duhej të kishte hartuar statutin e formimit të asociacionit, i cili do të përcaktonte në mënyrë specifike themelimin dhe qëllimin e tij, strukturën organizative, proceset vendimmarrëse dhe kompetencat e tij.

Statuti është hartuar në vitin 2018, por është paraqitur si pjesë e dialogu politik të nivelit të lartë më 2 maj 2023. Kosova e refuzoi këtë statut me shpjegimin se Beogradi zyrtar në Kosovë dëshiron të krijojë Republikën Sërpska, një nga entitetet në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ekipi Menaxhues dhe autoritetet e Kosovës

Sipas Marrëveshjes së Brukselit, Ekipi Menaxhues duhej të luante një "rol përfaqësues ndaj autoriteteve qendrore në Prishtinë".

“Autoritetet qendrore do të konsultohen me Ekipin Menaxhues për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me vetëqeverisjen lokale, në përputhje me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në të.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, në fund të prillit ka thënë se ka ftuar në takim Ekipin Menaxhues, por askush nuk është përgjigjur.

Ai ka nënvizuar se vendimi i vitit 2020 parasheh që Ekipi Menaxhues të raportojë për aktivitetet e tij te ministri i Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës.

Ky ekip përbëhej nga katër anëtarë nga komuniteti serb: Danijela Vujiçiq, Jelena Boloviq, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq.

Aktualisht, nuk është e qartë nëse do të formohet një ekip i ri menaxhues.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG