Ndërlidhjet

Shkupi dhe Sofja pajtohen t’i zgjidhin dallimet


Kryeministrat Zoran Zaev dhe Bojko Borisov
Kryeministrat Zoran Zaev dhe Bojko Borisov

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria synojnë që deri në tetor t’i zgjidhin të gjitha çështjet që dalin si obligim nga marrëveshja e fqinjësisë së mirë ndërmjet dy vendeve, e arritur në vitin 2017 në Sofje.

Pikërisht në dy vjetorin e nënshkrimit të saj, në Shkup ka qëndruar kryeministri bullgar Bojko Borisov, ku së bashku me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev, kanë theksuar përkushtimin e tyre për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me përkatësinë etnike të disa personaliteteve historike, siç është edhe Goce Dellçev, hero për të dyja shtetet.

Shumë shkolla, sheshe, rrugë e institucione të larta në të dyja vendet mbajnë emrit e këtij personaliteti të historisë dhe të lëvizjeve revolucionare të fundit të shekullit XIX.

“Sot vendosëm që t’i inkurajojmë komisionet e të dyja vendeve të vazhdojnë të punojnë edhe për çështjet që kanë mbetur të hapura. Kemi arritur marrëveshje për katër personalitete historike, të cilët bashkërisht i nderojmë në manifestime të ndryshme dhe gjithashtu besoj se do të gjejmë zgjidhje edhe për figurën historike të Goce Dellcevit. Ai është një personalitet i njohur i historisë që i bashkon dy popujt, andaj si këtu, ashtu edhe në Bullgari, vazhdojmë ta nderojmë këtë figurë të njohur e të respektuar. Ne jemi të përcaktuar për forcimin e miqësisë”, ka deklaruar Zaev.

Ai ka theksuar më tej se dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e kontesteve jo vetëm mes dy vendeve, por edhe më gjerë në rajon. Ai ka theksuar se marrëveshja mes dy vendeve ka krijuar një atmosferë pozitive në të gjitha sferat, ndërsa këtë e ilustroi me rritjen e bashkëpunimit ekonomik me më shumë se 12 për qind.

“Ne, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgaria, çdo ditë po i tregojnë Ballkanit, Evropës dhe botës se sfidat tona mund t’i zgjidhin përmes bisedimeve, respektit të ndërsjellë dhe pa ndërmjetësues. Kemi arritur marrëveshje dhe tani bashkërisht përkujtojnë personalitete të ndryshme nga e kaluara. Në muajt që kemi para nesh, do të vazhdojmë me përkushtim të madh dhe pa paragjykime në shqyrtimin e të gjithë çështjeve tjera që kanë të bëjnë me aspektet historike të personaliteteve të ndryshme që na bashkojnë”, ka thënë Zaev.

Edhe kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, ka folur për raportet ndërmjet dy vendeve dhe nevojës për zgjidhjen e çështjeve të mbetura, ndërsa ka theksuar mbështetjen që vendi i tij i jep integrimit të Maqedonisë së Veriut në strukturat euroatlantike.

“Nuk dua as që të mendoj se do të vijmë në një situatë që Bullgaria t’i bllokojë integrimet euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Nëse do të shihnim vetëm interesat bullgare ne nuk do të angazhoheshim për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. U bëjmë thirrje historianëve dhe komisioneve që të kryejnë punën e tyre dhe politikanëve t’u mbetet vetëm të përkulen para përmendoreve të heronjve të rënë”.

“Komisionet kanë detyrë historike që deri në tetor të mbyllin të gjitha çështje që dalin nga marrëveshja mes dy vendeve”, ka deklaruar Borisov, i pyetur nëse Sofja mund të bllokojë integrimin apo marrjen e datës për nisjen e bisedimeve, nëse deri në tetor nuk ka zgjidhje për çështjet kontestuese.

Ai ka vlerësuar lart marrëveshjet që deri tani ka arritur Shkupi me vendet fqinje.

“Jemi dëshmitarë të zhvillimet të shumta në këto dy vitet e fundit. Maqedonia e Veriut ka arritur marrëveshje me Greqinë për çështjen e emrit, si dhe me Bullgarinë për fqinjësi të mirë, marrëveshje këto që kanë dhënë perspektivë të madhe për Maqedoninë e Veriut, për synimet e saj për integrimin në NATO dhe BE. Vendimet nuk ishin të lehta, por ato garantojnë të ardhmen për këtë vend”, ka deklaruar Borisov.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG