Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkarkuar kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
“Kryetarja e KQZ-së me veprimet e saj, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve te parakohshme të 14 shkurtit 2021, ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së. Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike, kështu duke pamundësuar balancën e nevojshme në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësueses të partive politike të KQZ-së. rrjedhimisht, kryesuesja, qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuar në përshkallëzim të situatës përgjatë mbledhjeve të këtij organi”, thuhet në vendimin e presidencës.
Pas shkarkimit të Dakës, Osmani emëroi Kreshnik Radoniqin, kryetar të ri të KQZ-së, i cili është gjyqtar në Departamentin special të Gjykatës së Apelit.
Radoniqi ka kryer studimet në nivelin bachelor në Prishtinë, ndërkaq ato të nivelit master në Shtetet e Bashkuara.
Shoqëria civile: Shkarkimi i Dakës, i motivuar politikisht
Njëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile kanë kundërshtuar vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e Dakës, duke e cilësuar si vendim të motivuar politikisht, "si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit".
“Bazuar në vendimin për shkarkim, ne vlerësojmë që argumentet e shtruara nga presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse”, thuhet në reagimin e organizatave të shoqërisë civile.
Ndërkaq, më herët gjatë të hënës, Radio Evropa e Lirë raportoi se gjatë takimit në mes të Dakës dhe presidentes, Osmani, kjo e fundit i kërkoi Dakës dorëheqjen nga kreu i KQZ-së, në këmbim të një "mirënjohjeje".
Por, Daka refuzoi të japë dorëheqjen, pasi siç ka thënë ajo, "ka kryer detyrën në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
Kryetari i KQZ-së emërohet dhe shkarkohet nga presidenti. Mandati shtatëvjeçar i Dakës përfundonte më 2025.
Gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka e ka udhëhequr Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që nga qershori i vitit 2010.