Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu i ka kërkuar kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, që të ofrojë dorëheqje nga pozita e saj dhe në këmbim do t'i ofrojë asaj mirënjohje publike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë një burim i afërt me çështjen. Por, sipas këtij burimi, Daka e ka refuzuar dorëheqjen.
“Presidentja Osmani, në këmbim të dorëheqjes, kryetares së KQZ-së, Daka, i ofroi mirënjohje publikisht për punën e saj. Kryetarja e KQZ-së e refuzoi duke i thënë se e ka kryer detyrën në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë burimi për REL-in.
Kryetarja Daka dhe zyra e saj nuk kanë qenë të gatshme të deklarohen lidhur me këtë çështje.
As zyra e Presidentes Osmani nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar informacionin.
Gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka e udhëheq Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që nga qershori i vitit 2010.