Autoritetet në Kosovë kanë mirëpritur nismën e Shteteve të Bashkuar të Amerikës për vazhdimin e misionit të ushtarëve amerikanë në Kosovë.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe presidentin e përkohshëm të Senatit, Chuck Grassley, se forcat e Shteteve të Bashkuara do ta vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë.
Përmes një letre drejtuar këtyre dy zyrtarëve, Trump ka thënë se: “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kontribuojnë në forcat e KFOR-it, të udhëhequra nga NATO-ja, në bashkëpunim me autoritetet lokale, partnerët bilateralë dhe institucionet ndërkombëtare, për të penguar ripërtëritjen e armiqësive në Kosovë”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se askush dhe asnjëherë nuk duhet që ta vë në pikëpyetje përkrahjen e SHBA-së për Kosovën. Sipas tij, qëndrim si ai që ushtarët amerikanë duhet të qëndrojnë në Kosovë, ka qenë i pritur.
"Natyrisht ka qenë një vendim i pritur i SHBA-së, sepse me prezencën e trupave amerikane ka paqe dhe stabilitet në Kosovë edhe në tërë Ballkanin Perëndimor, natyrisht të gjithë trupave të NATO-s", tha Thaçi.
Thaçi i bëri këto komente pasi bëri homazhe pranë memorialit të ushtarëve të KFOR-it, të cilët kanë humbur jetën deri sa kanë qenë duke shërbyer në Kosovë.
Ai tha se Kosova do të jetë e përgjegjshme në raport me partnerët ndërkombëtarë.
Thaçi theksoi se Kosova beson në administratën e SHBA-së, udhëhequr nga presidenti Donald Trump dhe në rolin aktiv të ambasadori Richard Grenellit.
"Gjërat do të lëvizin në drejtim të një procesi produktiv dhe efektiv, mund të them të dialogut dhe të ndonjë marrëveshje eventuale përfundimtare, që sjell njohjen reciproke të të dy vendeve, pra Kosovë- Serbi dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuar", tha Thaçi.
Aktualisht në kuadër të misionit të KFOR-it janë të angazhuar 460 ushtarë amerikanë, nga 4,000 persona sa janë në total.
Paralajmërimi për tërheqje të trupave
Në mars të këtij viti, dy senatorë amerikanë, David Perdue dhe Rand Paul patën thënë se SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë nëse Kosova nuk e shfuqizon tarifën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë.
Kjo masë, e zëvendësuar fillimisht me reciprocitet, është pezulluar krejtësisht nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, për shkak të, siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
*Video nga arkivi rreth paralajmërimeve për largimin e trupave amerikane
Frika e largimit të trupave amerikane u rishfaq edhe ditëve të fundit pas raportimeve në media se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të tërheqin mijëra trupa amerikane nga Gjermania.
The Wall Street Journal ka raportuar se 9,500 pjesëtarë të personelit amerikan do të tërhiqen, ndërkaq Der Spiegel ka thënë se ndërmjet 5,000 deri në 15,000 pjesëtarë të personelit amerikan mund të tërhiqen nga Gjermania gjatë këtij viti.
Në Gjermani janë të vendosur rreth 34,000 trupa amerikane.
Ramaj: SHBA nuk ka ndryshuar politikën ndaj Ballkanit
Njohësja e çështjeve të Sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se letra e presidenti Trump, drejtuar Dhomës së Përfaqësuesve, tregon se SHBA-ja, në vazhdimësi, nuk ka ndryshime në vendimet e saj për forcat e ushtarake në Kosovë.
"Kjo është shenjë pozitive për faktin se nuk ka ndryshim. Ka pasur diskutime publikisht kur është diskutuar shumë për mundësinë e tërheqjes (v.j. trupave ushtarake nga Kosova) që mendoj se ka qenë më shumë spekulim sesa ndonjë hap konkret", tha ajo.
Kabashi-Ramaj, thekson që politika e SHBA-së në drejtim të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor nuk kanë ndryshuar.
"SHBA nuk ka ndryshuar nivelin e përkushtimit. Mendoj se në fakt ekziston një përkushtim më i madh. Për momentin fokusi është Ballkani Perëndimor e sidomos Kosova, për arsyen që SHBA-ja e shoh se ka ardhur momenti që përfundimisht të rregullohen marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, që të lehtësohen të dyja vendet për zhvillim dhe të stabilizohet paqja në Ballkan", tha Kabashi-Ramaj.
Në një komunikatë të Akademisë së Shkencave të Kosovës, të lëshuar ditën e martë, thuhet se të gjithë bartësit e përgjegjësive shtetërore duhet të mblidhen së bashku në mënyrë që faza përfundimtare e dialogut të zhvillohet nën kushtet e materializimit të plotë të interesit kombëtar dhe shtetëror të Kosovës, duke zbatuar Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
Kjo akademi thotë se vëmendja e shtuar e bashkësisë ndërkombëtare, veçmas të SHBA-së për nxitjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, duhet shfrytëzuar maksimalisht që të materializohet epilogu i dialogut disavjeçar me njohje të ndërsjellë dhe nën kushtet e respektimit të kuadrit kushtetues dhe ligjor në fuqi.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksën.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.