Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka marrë masa, duke u kundërpërgjigjur ndaj vendimit të Rusisë për të pezulluar traktatin bërthamor START.
Të enjten, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan për revokimin e vizave për inspektorët bërthamorë rusë, refuzimin e aplikacioneve në pritje për monitoruesit e rinj dhe anulimin e lejeve standarde për avionët rusë për të hyrë në hapësirën ajrore të SHBA-së.
Në vazhdën e "shkeljeve të vazhdueshme" të Rusisë të traktatit START, Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar për ndërmarrjen e masave të ndryshme si kundërpërgjigje.
Departamenti i Shtetit theksoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për zbatimin e plotë dhe reciprok të traktatit, por “rrjedhimisht, në përputhje me këtë angazhim, Shtetet e Bashkuara kanë zbatuar kundërmasa të ligjshme për të adresuar shkeljet e vazhdueshme të traktatit nga Rusia”.
Departamenti tha se revokimet e vizave dhe refuzimet e aplikacioneve, si dhe një vendim për të ndaluar shpërndarjen e informacionit mbi statusin ose vendndodhjen e raketave dhe të dhënave për lëshimet testuese të Rusisë, ishin në përputhje me ligjin ndërkombëtar për shkak të veprimeve të Rusisë.
Shtetet e Bashkuara, megjithatë, do të vazhdojnë të njoftojë Rusinë kur të kryejë lëshimet testuese, tha Departamenti, duke shtuar se hapat që ajo po ndërmerr ishin të kthyeshëm me kusht që Moska të rikthehet dhe të respektojë traktatin.
Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në START në muajin shkurt, një lëvizje që SHBA-ja e quajti "të pamundur ligjërisht".
Elementet thelbësore të traktatit START, të nënshkruar nga ish-presidentët Barack Obama dhe Dmitry Medvedev në vitin 2010, përfshijnë lejimin e inspektimeve të objekteve të armëve dhe shkëmbimin e informacionit në lidhje me vendosjen e raketave balistike ndërkontinentale.
Në mars, SHBA-ja njoftoi se ajo dhe Rusia kishin ndaluar shkëmbimin e informacioneve të armëve bërthamore.
Edhe pse START u zgjat pak pasi presidenti Joe Biden mori detyrën në janar të vitit 2021, konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë e ka tensionuar traktatin. Që kur presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se Rusia nuk do t'u përmbahet më detyrimeve të saj sipas traktatit, START ka qenë në prag të kolapsit.
Brenda traktatit, ka dispozita specifike që i kufizojnë të dyja vendet që të kenë një maksimum prej 1.550 kokash bërthamore. Marrëveshja përfshin, gjithashtu, inspektime gjithëpërfshirëse në vend për të siguruar se vendet janë në bashkërendim me këto kufizime.
Inspektimet u mbyllën në vitin 2020 për shkak të pandemisë COVID-19. Diskutimet për rifillimin e tyre supozohej të zhvilloheshin në nëntor të vitit 2022, por Rusia i anuloi befas, duke cituar mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën.
Departamenti i Shtetit tha se Rusisë i ishte thënë paraprakisht për kundërmasat, por ka nënvizuar që Uashingtoni është ende i interesuar të mbajë gjallë traktatin.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme të punojnë në mënyrë konstruktive me Rusinë për rifillimin e zbatimit të Traktatit START”, thuhet në deklaratë.