Ndërlidhjet

Biden: Putin bëri gabim të madh që pezulloi traktatin për armët bërthamore


Presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë nisjes së samitit në Varshavë. 22 shkurt 2023.
Presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë nisjes së samitit në Varshavë. 22 shkurt 2023.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin, bëri “gabim të madh” kur një ditë më parë njoftoi se Rusia po pezullonte pjesëmarrjen në traktatin e armëve bërthamore New START.

Biden i bëri këto komente për gazetarët teksa arriti në pallatin presidencial në Varshavë, ku do të marrë pjesë në samitin e nëntë shteteve të Evropës Lindore.

Ky samit, ku marrin pjesë disa shtete të NATO-s, po zhvillohet në ditën e dytë të vizitës së Bidenit në Poloni.

I ashtuquajturi Grupi i nëntë i Bukureshtit përfaqëson vendet që përbëjnë krahun lindor të NATO-s. Aty bëjnë pjesë: Polonia, Rumania, Bullgaria, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Estonia, Letonia dhe Lituania.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjithashtu do të marrë pjesë në takim.

Vizita e Bidenit në Poloni është pjesë e një serie të konsultimeve me aleatët për t’u përgatitur për një fazë më të ndërlikuar të pushtimit rus të Ukrainës, që ka nisur pothuajse një vit më parë.

Gjatë fjalimit të tij të djeshëm para qytetarëve të mbledhur jashtë Kështjellës Mbretërore në Varshavë, ai tha se Ukraina “kurrë nuk do të jetë një fitore për Rusinë”.

Para Polonisë, ai vizitoi Ukrainën, ku qëndroi mbi pesë orë.

Vizita e paparalajmëruar atje nënvizoi edhe një herë bështetjen e Uashingtonit për Kievin.

Biden paralajmëroi Rusinë se nëse sulmon ndonjë shtet të NATO-s, do të përballej me një përgjigje të fuqishme ushtarake.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG