Ndërlidhjet

SHBA-ja publikon video të avionit rus duke hedhur karburant mbi dronin e saj


Momenti kur avioni rus hedh karburant mbi dronin amerikan
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:29 0:00

Videoja e publikuar nga SHBA-ja, që shfaq momentin kur avioni rus hedh karburant mbi dronin amerikan.

Pentagoni publikoi të enjten pamjet e një avioni rus që hedh karburant mbi një dron mbikëqyrës të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi. Ky veprim dëmtoi një teh të dronit duke prerë helikën e tij.

Videoja e shkurtër tregon një Su-27 rus që i afrohet pjesës së pasme të dronit amerikan MQ-9 dhe fillon të lëshojë karburant, tha Pentagoni, duke shtuar se “hedhja e karburantit dukej se kishte për qëllim të verbonte instrumentet optike të dronit dhe ta dëbonte atë nga zona”.

Fragmenti i videos i publikuar nga Pentagoni nuk tregon ngjarjet para ose pas konfrontimit të dukshëm të hedhjes së karburantit.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe shefi i Shtabit të Përbashkët, gjenerali Mark Milley kanë folur me homologët e tyre rusë për shkatërrimin e dronit amerikan pas përplasjes.

Thirrjet me ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e shtabit të përgjithshëm rus, gjeneralin Valery Gerasimov të mërkurën, ishin të parat që nga tetori i vitit 2022.

Teksa përpjekjet për përgjim nuk janë të rralla, incidenti në mes të luftës në Ukrainë ka ngritur shqetësime se mund t'i sjellë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë më afër një konflikti të drejtpërdrejtë.

Fakti që udhëheqësit kryesorë të mbrojtjes dhe ushtarakëve të të dy vendeve po flisnin kaq shpejt pas kësaj ndeshjeje mbi Detin e Zi, nënvizoi seriozitetin e tij.

Ministria ruse e Mbrojtjes në njoftimin për telefonatën me Austin dhe Shoigu, tha se ky i fundit akuzoi SHBA-në për provokimin e incidentit, pasi ka injoruar kufizimet e fluturimit që Kremlini kishte vendosur mbi SHBA-të “për shkak të operacioneve të tyre ushtarake në Ukrainë”.

Rusia fajësoi gjithashtu SHBA-në për “intensifikimin e aktiviteteve të inteligjencës kundër interesave të Federatës Ruse” dhe tha se “Moska do t'i përgjigjet njëlloj të gjitha provokimeve".

MQ-9, i cili ka një hapje krahësh prej 20 metrash, përfshin një stacion kontrolli tokësor dhe pajisje satelitore. Ai është i aftë të mbajë municione, por gjenerali Pat Ryder, një zëdhënës i Pentagonit, nuk tha nëse droni i hedhur në det ishte i armatosur.

Ai tha se incidenti ndodhi në orën 7:03 të mëngjesit mbi ujërat ndërkombëtare dhe shumë larg Ukrainës, pasi avionët rusë kishin fluturuar në afërsi të dronit për 30 deri në 40 minuta.

Shtetet e Bashkuara nuk e kanë rikuperuar dronin e rrëzuar, thanë Forcat Ajrore të SHBA-së në Evropë, por as Rusia nuk e ka bërë një gjë të tillë, tha Ryder.

Zyrtarët rusë të mërkurën thanë se do të përpiqeshin të shpëtonin fragmente të dronit MQ-9 nga Deti i Zi.

Zyrtarët amerikanë kanë lënë të hapur mundësinë e përpjekjes për të rikuperuar një pjesë të dronit të rrëzuar që kushton 32 milionë dollarë, për të cilin ata thanë se u rrëzua në ujërat që ishin 1,200 deri në 1,500 metra të thella.

Zyrtarë të tjerë amerikanë thanë se SHBA nuk ka anije ushtarake në rajon dhe nuk ka gjasa të rekuperojë mbetjet e dronit. Megjithatë, ata shprehën besimin se nuk do të mbetej asgjë me vlerë ushtarake në dron, edhe nëse Rusia arrin të marrë mbetjet e tij.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG