Ndërlidhjet

Uashingtoni dhe Moska përplasen për rrëzimin e dronit


Dron i llojit MQ-9 Reaper. Fotografi nga arkivi.
Dron i llojit MQ-9 Reaper. Fotografi nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar Rusinë për rrëzimin e dronit amerikan të spiunazhit në Detin e Zi dhe kanë paralajmëruar Moskën që të jetë më e kujdesshme në hapësirën ndërkombëtare, teksa Kremlini ka hedhur poshtë akuzat duke i karakterizuar raportet dypalëshe në “gjendje të dhimbshme”.

Uashingtoni tha se Rusia ka kryer “shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar” për shkak të sjelljes “të pasigurt dhe joprofesionale”, pasi avionët luftarakë rusë kanë derdhur karburante mbi dronin MQ-9 më 14 mars, në përpjekje për t’ia pamundësuar fluturimin apo për ta dëmtuar atë.

Më pas avionët rusë fluturuan para dronit dhe një prej avionëve u përplas me një nga helikat e dronit, tha zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigadieri, Patrick Ryder.

Pjesët e dronit ende nuk janë tërhequr nga Deti i Zi.

“Ky episod i rrezikshëm është pjesë e një sjelljeje agresive, të rrezikshme dhe me veprime të pasigurta nga pilotët rusë në hapësirën ndërkombëtare”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Ausitin.

Këto komente ai i bëri më 15 mars në nisjen e takimit me shtetet që mbështesin Ukrainën në luftën kundër forcave pushtuese ruse.

“Mos u gaboni, SHBA-ja do të vazhdojë të fluturojë dhe operojnë kudo që i lejohet në bazë të ligjit ndërkombëtar. Dhe është detyrë e Rusisë të operojë avionët e saj luftarakë në mënyrë të sigurt dhe profesionale”, shtoi ai.

The New York Times ka raportuar se droni i llojit MQ-9 Reaper po fluturonte nga baza në Rumani dhe ishte duke kryer një fluturim vëzhgimi.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se ambasadori rus në Uashington është thirrur në bisedë për këtë çështje dhe paralajmëroi avionët rusë të jenë më të kujdesshëm në hapësirën ndërkombëtare dhe të shmangin ngjarje që mund të përshkallëzojnë tensionet.

Ndërkaq, Moska ka vazhduar të mohojë se avioni i saj ka shkaktuar rrëzimin e dronit amerikan, që po fluturonte afër Gadishullit të Krimesë.

Moska mohon se ka rrëzuar dronin amerikan

Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anatoly Antonov, i bëri thirrje Uashingtonit të mërkurën që t’i ndalojë fluturimet "armiqësore" pranë kufirit të vendit të tij, pasi një dron amerikan u përplas me një avion rus mbi Detin e Zi.

“Ne supozojmë se SHBA-ja do të përmbahet nga spekulimet e mëtejshme në media dhe do të ndalojë fluturimet pranë kufijve rusë”, shkroi ambasadori në Telegram. “Çdo veprim me përdorim të armatimit amerikan, ne e konsiderojmë si haptazi armiqësor”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më 15 mars se nuk ka pasur asnjë kontakt të nivelit të lartë me SHBA-në lidhur me incidentin, por ai shtoi se raportet mes dy superfuqive “janë në pikën më të ulët, në një gjendje të dhimbshme”.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikoali Patrushev, konfirmoi se Moska po tenton të gjejë dronin e rrëzuar amerikan.

"Nuk e di nëse do të jemi në gjendje të tërheqim pjesët e dronëve. Sigurisht se ne po punojmë për këtë2, tha ai për mediat.

Tensionet midis Perëndimit dhe Rusisë janë të larta pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

Një zëdhënës i Qeverisë gjermane tha se incidenti me dron “është shkak për shqetësim”.

Si ndodhi incidenti mbi Detin e Zi?

Më 14 mars, ushtria amerikane njoftoi se avioni luftarak rus është përplasur me një dron vëzhgues pa pilot të Shteteve të Bashkuara. SHBA-ja tha se droni po kryente një operacion rutinë në hapësirën ndërkombëtare kur dy avionë luftarakë rusë tentuan që ta pengonin.

Gjenerali i forcave ajrore amerikane, James Hecker, tha se në incident u përfshinë dy avionë rusë të llojit Su-27. Sipas tij, një prej avionëve luftarakë rus goditi helikën e dronit MQ-9.

Incidenti ka ndodhur mëngjesin e së martën dhe ka detyruar ushtrinë amerikane që ta rrëzojë dronin e saj “në ujërat ndërkombëtare”.

Hecker tha se avionët e SHBA-së dhe të aleatëve “do të vazhdojnë të operojnë në hapësirën ndërkombëtare” dhe u bëri thirrje rusëve “që të sillen në mënyrë të sigurt dhe profesionale”.

Moska tha se avioni i saj nuk kishte armë në bord e as nuk kishte kontakt me dronin amerikan.

Autoritetet ruse thanë se sistemi i kontrollit të hapësirës ajrore të Rusisë kishte detektuar dronin MQ-9 të SHBA-së, i cili po fluturonte mbi Detin e Zi, afër Gadishullit të Krimesë, në drejtim të kufirit me Federatën Ruse.

Rusia akuzoi SHBA-në se ka shkelur kufijtë e hapësirës së përkohshme të saj ajrore “të krijuar për shkak të operacionit të posaçëm ushtarak”, apo për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Moska tha se ngriti në ajër avionët pasi u detektua droni, por për shkak të manovrimit të shpejtë, droni MQ-9 “nisi të bënte fluturim të pakontrolluar duke humbur lartësinë dhe u përplas me sipërfaqen e ujit”.

Një burim ushtarak perëndimor, i tha AFP-së në kushte anonimiteti, se kanalet diplomatike midis Rusisë dhe SHBA-së mund të ndihmojnë në kufizimin e çdo përplasjeje.

Ky incident pason disa veprime të rrezikshme të kryera nga pilotët rusë kur janë takuar me avionët e SHBA-së dhe të aleatëve në hapësirën ndërkombëtare, përfshirë edhe mbi Detin e Zi, u tha në deklaratën e ushtrisë amerikane.

Ushtria tha, gjithashtu, se forcat amerikane në mënyrë rutinore kryejnë fluturime në mbarë Evropën, mbi territore sovrane dhe përmes hapësirës ndërkombëtare, në koordinim me shtetet nikoqire dhe me ligjet ndërkombëtare.

Dronët MQ-9 kryesisht janë fluturake pa pilot, të dizajnuara të kryejnë fluturime të gjata dhe të bëjnë vëzhgime nga lartësi të mëdha.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG